Kërko

2018.08.11 Stefaan Van Den Bremt: Gesu pane di vita 2018.08.11 Stefaan Van Den Bremt: Gesu pane di vita 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 19-të gjatë vitit “B”

Jeta jonë është një udhëtim që na çon te Zot midis një mijë vështirësish, dyshimesh dhe paqartësish. Në këtë udhëtim jemi të udhëhequr nga vetë Krishti: ai na përforcon me «bukën e jetës», që është trupi i tij i ofruar për ne dhe për shpëtimin tonë.

R. SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 19-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 19-të “B”

Dialogu ndërmjet Jezusit dhe turmës, dëshmitare e mrekullisë së shumëzimit të madh të bukës dhe peshkut, vazhdon edhe këtë të diele. Mrekullia e shumëzimit të bukës i jep Jezusit rastin për të shpjeguar domethënien e asaj dhurate të Atit, që na kujton dhuratën par excellence, atë të Birit, Jezu Krishtit, i cili është bukë që jep jetën e vërtetë e të përjetshme. Kushdo që shkon tek Ai nuk do të ketë kurrë uri dhe kushdo që beson se në Të nuk do të ketë më etje.

Zoti kërkon nga ne të mos mendojmë vetëm për shqetësimet materiale.

Besimi në Jezusin nuk është ide, por takim me një Vetje të gjallë, që i jep kuptim jetës sonë. Këtë nënvizojnë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele. Kisha na fton të mos habitemi pas telasheve të përditshme aq, sa të harrojmë se në jetë ka gjëra shumë më të rëndësishme. Edhe në ditët më të ngarkuara me probleme të vështira, besimtarët nuk duhet ta harrojmë Zotin, por ta forcojnë gjithnjë më shumë lidhjen me Të.

Jezusi, na fton të mos mbyllemi në horizonte thjesht njerëzore, por të shikojmë shumë më larg, ta hapim zemrën për të parë horizontet e pafundme të Zotit, horizontet e fesë. Fragmenti i Ungjillit të kësaj së diele (Gjn 6,41-51), na tregon turmat e kërkojnë Jezusin, sepse kishte kryer punë të mrekullueshme, kjo do të thotë se Zoti dëshiron t’i ndihmojë njerëzit të shkojnë përtej plotësimit të menjëhershëm të nevojave të tyre materiale, ndonëse edhe ato, pa dyshim, të rëndësishme. Jezusi dëshiron t’u hapë një horizont jete, që nuk është thjesht ai i shqetësimeve të përditshme, shqetësimit për të ngrënë, për t’u veshur, për të ngjitur shkallët e karrierës. Jezusi flet për një ushqim, që nuk mbaron kurrë, të cilin njeriu duhet ta kërkojë e ta bëjë të vetin.

Moisiu, , i pati dhënë Izraelit manën, bukën e rënë nga qielli. Ndërsa Jezusi nuk jep ndonjë gjë. Jezusi jep vetveten: është Ai vetë, buka e zbritur nga qielli. Por Jezusi, buka e vërtetë e gjallimit, që na shuan urinë e kuptimit të jetës, të së vërtetës, nuk mund të ‘fitohet’ me punën njerëzore. Vjen ndër ne vetëm si dhuratë e dashurisë së Zotit, si vepër e Zotit, që duhet kërkuar e duhet pranuar. Në ditët e ngarkuara me shqetësime e probleme, por edhe në çastet e prehjes e të vetëharrimit, Zoti na fton të mos harrojmë gjënë më të rëndësishme. Vërtetë, është e nevojshme të shqetësohemi për bukën e gojës e për t’i ripërtërirë forcat e shkalitura, por më e rëndësishme është të kërkojmë lidhjen me Zotin, ta forcojmë këtë lidhje me Atë, që është buka e jetës, që na e përmbush dëshirën e zjarrtë për vërtetësi e dashuri.

Qendra e jetës, ajo që i jep kuptim e shpresë të patundur udhës sonë të përditshme, shpesh tepër të vështirë, është besimi në Jezusin, takimi me Krishtin. E këtu nuk bëhet fjalë, për të ndjekur një ide, një projekt, por për të takuar Jezusin si Vetje e gjallë, për ta lëshuar plotësisht vetveten në dorën e Tij, për t’i besuar me gjithë zemër Ungjillit të Krishtit. Besimi në Të është gjëja më themelore për zemrën njerëzore, gjithnjë në kërkim të jetës së vërtetë

Shën Leoni i Madh na kujton se: “Pjesëmarrja e jonë në Korpin e në Gjakun e Krishtit nuk priret drejt asgjëje tjetër përveç se ne Të bëhemi ajo çka marrim në zemër“. Nëse kjo është e vërtetë për çdo të krishterë, aq më shumë është e vërtetë për meshtarët. Të jemi Eukaristia! Në çdo kremtim të Eukaristisë, marrim nga Korpi dhe Gjaku i Krishtit atë dashuri të lirë dhe të pastër që na bën dëshmitarë të denjë të Krishtit dhe dëshmitarë të gëzimi të Tij. Shën Gjon Mari Vianejt i pëlqente t’u përsëriste besimtarëve të famullisë: “Ejani në kungim...Është e vërtetë se nuk jeni të denjë për të, por keni nevojë”.

Misteri eukaristik, prania e Zotit në trajtën e bukës e të verës është kondensimi më i madh e më i lartë i këtij qëndrimi-me-ne të Zotit… duhet të na pushtojë gëzimi e falënderimi se Ai na është dukur e na është dhuruar si bukë - ushqim; se Ai, i Pafundmi dhe i Pakapshmi për arsyen tonë, është Zoti i afërt që na do, Zoti që mund ta njohim e ta duam. Prandaj, t’i lutemi Zotit që ta kuptojmë gjithnjë më thellë misterin e mrekullueshëm të Eukaristisë, ta duam gjithnjë më shumë e në të, ta duam gjithë më tepër vetë Krishtin. Të lutemi që Kungimi Shenjt të na tërheqë gjithnjë më shumë brenda vetes e të na ndihmojë të mos e mbajmë jetën tonë për vete, por t’ia dhurojmë Atij, e kështu të veprojmë së bashku me Të, që njerëzit të gjejnë jetën – jetën e vërtetë, e cila mund të vijë vetëm nga Ai që është vetë Rruga, e Vërteta, Jeta.

Fjala e Zotit

1 Mbretërve 19.4-8 – Leximi I. Elia pati guximin të sfidonte 450 priftërinjtë e Baalit dhe tani është në një ikje të dëshpëruar. I lodhur tej mase nga udhëtimi ai bie për tokë, duke dëshiruar të vdes. Por engjëlli i Zotit vjen në shpëtimin e tij. Elia ha e pi dhe e vazhdon udhëtimin drejt malit të Hyjit, Oreb.

Efesianëve 4,30-5,2 Leximi II. Vazhdon letra drejtuar Efesianëve. Pali apostull u kërkon efesianëve të jetojnë një jetë të re, duke lënë vetveten të udhëhiqen nga Shpirti, duke jetuar e mishëruar dashurinë me të cilën Krishti na ka dashur.

Gjoni 6, 41-51 - Ungjilli. Turma e hebrenjve befasohet nga deklaratat e Jezusit, që pohon se është "buka që zbret nga qielli". Por Jezusi këmbëngul dhe e rinovon mesazhin pa zbritje dhe pohon: “Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim”. Kujdesuni jo për ushqimin që prishet, po për atë që qëndron për jetën e amshuar” (Gjn 6,27).

 O Zot, sot Ti na dhuron jetën, na dhuron vetveten. Hy në ne me dashurinë tënde Hyjnore. Na bëj të jetojmë “të sotmen” tënde. Na bëj mjete të paqes tënde. Amen

                               Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi I 1 Mbr 19, 4-8
Profeti Elia përplaset me një qeveri të 

dhunshme dhe kërcënuese dhe me ankthin dhe frikën e vet. Do të donte të braktiste gjithçka, por Hyji vetë e ngre dhe e mbështet me një ushqim që na kujton manën e shkretëtirës. Arratisja e Elisë shndërrohet në një shtegtim drejt Hyjit. Ai ashtu si Moisiu arrin në malin Oreb ku do të takojë Hyjin e besëlidhjes. 

Lexim prej Librit të parë të Mbretërve

Në atë kohë, Elia vetë mori rrugën e shkretëtirës e udhëtoi një ditë rrugë. Kur mbërriti, u ul të pushojë nën një dëllinjë, i dëshiroi vetes vdekjen e tha: “S’mundem më, o Zot! Ma merr tani jetën se nuk jam më i mirë se të parët e mi!” Atëherë ra e fjeti nën hijen e dëllinjës. Por ja, e preku engjëlli dhe i tha: “Çohu e ha!” I hapi sytë, kur qe, te kryet e tij një bukë e pjekur dhe një katrovë me ujë. Elia hëngri e piu dhe përsëri ra e fjeti. Porse engjëlli i Zotit u kthye edhe të dytën herë, e preku dhe i tha: “Çohu e ha; sepse të duhet të bësh rrugë të gjatë.” Elia u çua, hëngri e piu. I forcuar me atë shujtë, udhëtoi dyzet ditë e dyzet net deri në malin e Hyjit, në Horeb.
Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin

Psalmi 34
Ushqimi yt, o Zot, i forcon skamnorët në udhën e tyre

Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë është lavdi i tij.
Shpirti im mburret në Zotin: le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.
Bashkë me mua jepni lavdi Zotit,
le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
E kërkova Zotin e ai më dëgjoi,
edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.

Shikojeni atë e do të ndriçoheni,
fytyra juaj nuk do të turpërohet.
Ja, skamnori e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi
dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tija.

Engjëlli i Zotit ngreh llogore rreth atyre
që e kanë frikë dhe i shpëton.
Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti!
I lumi ai që shpreson në të!

Leximi II Ef, 4.30-5.2
Të jesh i udhëhequr nga dashuria do të thotë të jetosh dialogun e vërtetë me Atin e mëshirshëm; do të thotë t’i lejosh Hyjit të vulosë praninë e tij në botë. Të jesh i udhëhequr nga dashuria do të thotë, që nën shembullin e Krishtit, të kryesh një kalim të madh (Pashkët), pra të dalësh prej vetvetes për tu dhuruar.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, mos e trishtoni Shpirtin Shenjt të Hyjit, me të cilin Hyji ju vulosi për ditën e shpërblimit. Le të flaket larg jush çdo pikëllim, zemërim, hidhërim, britmë, sharje me çdo lloj ligësie. Përkundrazi, jini njëri për tjetrin të mirë, zemërdhimbshëm; falni njëri-tjetrin sikurse edhe Hyji ju fali ju në Krishtin. Përngjani Hyjit porsi bij të dashur dhe jetoni në dashuri, sikurse Krishti na deshi ne dhe për ne ia flijoi vetveten Hyjit porsi kusht e fli që jep erë të mirë. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin

Aleluja. Aleluja.
Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit, thotë Zoti: kush ta hajë këtë bukë do të jetojë për amshim.
Aleluja.

Ungjilli Gjn 6, 41-51

Farisenjtë nynykasin kundër Jezusit, janë të shurdhër ndaj mësimit të Atit, nuk dëgjojnë Ungjillin e tij, përçmojnë Jetën që u falet atyre. Jezusi na ofrohet ne si Buka e jetës, jo vetëm nëpërmjet besimit, por edhe nëpërmjet Eukaristisë. Është e nevojshme të jemi të tërhequr prej Atit: e gjitha kjo është hir, dhe jo fryt i forcave tona.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Judenjtë nynykatnin kundër tij pse tha: ‘Unë jam buka që zbriti prej qiellit.’ Ata thoshin: “Vallë, a nuk është ky Jezusi, biri i Jozefit? Po, a nuk ia njohim babën e nënën? Si mund të thotë tani: ‘Kam zbritur prej qiellit’?” Jezusi u përgjigj: “Mos nynykatni njëri me tjetrin! Askush s’mund të vijë tek unë, po qe se Ati, që më dërgoi, nuk e tërheq. Atë unë do ta ringjall në ditën e fundit. Profetët shkruan: ‘Të gjithë do të jenë nxënës të Hyjit.’ Kushdo, pra, e dëgjon Atin dhe e përvetëson mësimin e tij, vjen tek unë. Kjo s’do të thotë se ndokush e pa Atin, përveç Atij që është te Hyji; vetëm Ai e pa Atin! Përnjëmend, përnjëmend po ju them: ai që beson, ka jetën e pasosur. Unë jam buka e jetës. Etërit tuaj hëngrën mannën në shkreti dhe vdiqën. Kjo është buka që zbret nga qielli: që, kush ta hajë atë, të mos vdesë askurrë. Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është korpi im, për jetën e botës.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

10 gusht 2018, 19:19