Kërko

2018.08.17 Gesu pane di vita, Eucaristia, discepoli di Emmaus 2018.08.17 Gesu pane di vita, Eucaristia, discepoli di Emmaus 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 20-të gjatë vitit kishtar 'B'

Nё Ungjillin e sё dieles, Jezusi flet për vete; e quan veten Bukë e vërtetë, e zbritur nga qielli, që të mban gjallë përgjithmonë e jetës. Ai është shujta, që jep jetën e pasosur, sepse Bir i vetëm i Hyjit, që është në gji të Atit, i ardhur për t’i dhuruar njeriut jetën e përkryer, për ta përfshirë në vetë jetën e Zotit.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku Liturgjinë Hyjnore të Fjalës së Zotit të dielës së 20-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë.

Fjalët e Jezusit për bukën e zbritur nga qielli, qё na i propozon Ungjilli i kёsaj sё diele, na ftojnӫ t’i afrohemi kӫsaj Buke qӫ ӫshtӫ Jezusi, bukӫ tӫ cilӫn Kisha  na thotӫ ‘hajeni me fe’, sepse kjo bukë e shndërron jetën tonë e na jep zemër të ndajmë gjithë ç’kemi me vëllezërit e motrat tona, që kanë uri për bukën e gojës e atë të shpirtit, për dashuri e shpresë.

Po çka dëshiron të na thotë Jezusi kur, duke shumëzuar bukët e peshqit, shuan urinë e pesëmijë njerëzve? Jezusi dëshiron të na ndihmojë ta kuptojmë simbolikën e thellë të mrekullisë që kreu: duke shuar mrekullisht urinë e tyre fizike, i përgatit ta pranojnë kumtimin se është Ai vetë buka e zbritur nga qielli (cfr Gjn 6,41), që e shuan urinë njeriut një herë e përgjithmonë.

Po kujtojmӫ se edhe populli hebraik, duke ravguar gjatë, rrugë pa rrugë, në shkretëtirë, e shijoi bukën e zbritur nga qielli, manën, me të cilën mbajti frymën gjallë. Tani Jezusi, siç na tregon Ungjilli i kӫsaj sӫ diele, flet për vete; e quan veten Bukë e vërtetë, e zbritur nga qielli, që të mban gjallë përgjithmonë e jetës.

A, pra, është shujta, që jep jetën e pasosur, sepse Bir i vetëm i Hyjit, që është në gji të Atit, i ardhur për t’i dhuruar njeriut jetën e përkryer, për ta përfshirë në vetë jetën e Zotit. Në mendimin hebraik, ishte e qartë se buka e vërtetë e qiellit, që ushqente Izraelin, ishte Ligji, Fjala e Zotit. Tani Jezusi, duke u dëftuar si Bukë e qiellit, dëshmon se është Ai vetë Fjala e Zotit, Fjala e mishëruar, përmes së cilës njeriu mund të ushqehet me vullnetin e Hyjit (cfr Gjon 4,34) që e orienton dhe e mban gjallë jetën. Atëherë mund të themi se të dyshosh për natyrën hyjnore të Jezusit, siç bëjnë judenjtë në fragmentin ungjillor të së dielës, do të thotë t’i kundërvihesh veprës së Hyjit.

Judenjtë, nuk shkojnë përtej zanafillës tokësore të Jezusit e prandaj edhe nuk duan ta pranojnë si Fjalӫn e mishëruar tӫ Hyjit sepse, siç na kujton Shën Agostini “ ishin shumë larg nga kjo bukë qiellore e të paaftë të ndjenin uri për Të”. E edhe ne duhet ta pyesim veten në se kemi vërtet uri, uri për Fjalën e Zotit, uri për ta njohur kuptimin e vërtetë të jetës. Vetëm kush tërhiqet nga Hyji Atë, kush e dëgjon dhe e ndjek pa asnjë kundërshtim mësimin e Tij, vetëm ai mund të besojë në Jezu Krishtin, mund ta takojë, të ushqehet me Të e të gjejë, kështu, jetën e vërtetë, rrugën e jetës, drejtësinë, vërtetësinë, dashurinë.

Çdo do herë që marrim pjesë në Meshën Shenjte, plotësohen fjalët e Jezusit: “Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit. Buka e gjallë është korpi im për jetën e botës”. Zoti, pra, e pajis njeriun me gjithçka që i duhet gjatë udhës së tij tokësore, gjithçka që i duhet për të kaluar nga kjo botë për tek Ati Qiellor. E udha e domosdoshme që e lidhë njerëzoren me hyjnoren, tokësore me qielloren është Jezu Krishti. 

Së fundi, mos tӫ harrojmӫ se të hash bukën e gjallë do të thotë të rilindësh për një jetë më të vërtetë. Duke e lutur të Shenjtnueshmen Mari Virgjër, t’i kërkojmë të na prijë në takimin me Jezusin, që miqësia jonë me Të të jetë gjithnjë më e ngushtë; t’i kërkojmë të na hapë portën e bashkimit me Birin e saj, bukë e gjallë, e zbritur nga qielli, që kështu të përtërihemi prej Tij deri në thellësitë e shpirtit.

                                 Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi I Fu 9, 1-6
Të ftosh dikë për drekë do të thotë të bashkëndash me të njëfarë miqësie. Me imazhin e drekës Hyji shfaq afërsi me ne, të ftuarit e tij dhe shpall tryezën e Eukaristisë. Çdo Meshë Shenjte ripërtërin ftesën për drekë me Hyjin.

Lexim prej Librit të Fjalëve të urta

Urtia e ndërtoi shtëpinë e vet dhe i latoi shtatë shtylla. I kushtoi flitë e veta, e përzjeu verën dhe e shtroi tryezën e vet. I dërgoi shërbëtoret e veta në qytezë, në vendet e larta për të grishur: “Kush është i papërvojë, le të vijë tek unë!” e të pamendit i çoi fjalë: “Ejani, hani bukën time, pini verën që e kam përzier për ju! Lëreni marrëzinë e jetoni dhe ecni udhëve të mençurisë!”  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 34

Përherë do ta bekoj Zotin, Hyjin tim
Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë është lavdi i tij. Shpirti im mburret në Zotin: le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.

Nderojeni Zotin, ju shenjtërit e tij,
s’u mungon gjë atyre që e druajnë.
Pasanikët u varfëruan dhe patën uri,
ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.

Ejani, o bij, e më dëgjoni:
do t’jua mësoj frikën e Zotit.
A e dëshiron jetën, o njeri?

A dëshiron ditë të shumta për të gëzuar të mirat?
Rrudhe gojën tënde prej së keqes,
gojën tënde prej fjalëve gënjeshtare.
Ik prej së keqes e bëj të mirën,
kërkoje paqen e ndiqe atë!

Leximi II Ef 5,15-20

Ata që janë zgjuar nga gjumi i mëkatit prej Krishtit, nuk mund të kenë një jetë si persona të çrregullt. I krishteri është i ndriçuar nga dituria për të zgjedhur vullnetin e Hyjit dhe i udhëhequr nga Shpirti Shenjt që shndërron të gjithë jetën në një falënderim.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Vëllezër, vëreni me kujdes si jetoni: jo si njerëz të marrë, por si njerëz të urtë, të cilët dinë ta shfrytëzojnë mirë kohën, sepse ditët janë të këqija. Prandaj mos jini të paarsyeshëm, por dini ta kuptoni mirë vullnetin e Zotit. Mos u dehuni me verë, në të cilën është shfrenimi, por mbushuni me Shpirtin Shenjt. Thoni së bashku psalme, himne e këngë të përshpirtshme! Këndoni e lavdëroni Zotin në zemrat tuaja! Gjithmonë dhe për çdo gjë falënderoni Hyjin Atë në emër të Zotërisë tonë Jezu Krishtit!  Fjala e Zotit.Falënderojmë Hyjin

Aleluja. Aleluja.

Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim, thotë Zoti,
ai mbetet në mua dhe unë në të.
Aleluja.

Ungjilli Gjn 6, 51-58
Sot do të dëgjojmë pjesën e fundit të “diskutimit mbi bukën e jetës” të Jezusit. Pas protestave të judenjve Ai ripohon realitetin e mrekullueshëm të dhuratës së tij hyjnore. Mishi dhe gjaku i tij i komunikojnë njeriut jetën hyjnore dhe e shndërrojnë në një krijesë të re. Ata që i afrohen Bukës së jetës pa u shtirur dhe jopër zakon e dinë se aty gjendet përgjigjja e gjithë të qenit të tyre të krishterë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është korpi im, për jetën e botës.” Atëherë judenjtë filluan të grinden me shoqi-shoqin e thoshin: “Si mundet ky të na japë korpin e vet për ushqim?”. Prandaj Jezusi u tha: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani korpin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete! Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit. Sepse korpi im është ushqim i vërtetë, e gjaku im është pije e vërtetë. Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të. Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që ha mua do të jetojë për mua. Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo porsi ajo që hëngrën etërit e vdiqën: kush ushqehet me këtë bukë do të jetojë në amshim.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

17 gusht 2018, 19:01