Kërko

Gesù inivia i discepoli Andate per le strade Gesù inivia i discepoli Andate per le strade 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 21-të gjatë vitit kishtar “B”

Edhe në botën e sotme jo pak njerëz shkandullohen nga paradoksi i fesë së krishterë. Mësimi i Jezusit duket i vështirë për t’u pranuar e vënë në jetë. E Ai kërkon nga secili prej nesh përgjigje personale. Nuk kënaqet me qëndrime të cekta e formale, nuk i mjaftojnë disa hapa entuziaste pas tij, përkundrazi, duhet të mendosh si Ai e të bësh vullnetin e Tij për gjithë jetën.

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj here do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 21 gjatë vitit kishtar, sipas kalendarit liturgjik. 

Liturgjia e Fjalës së Zotit, që e dëgjojmë këtë të diele, i mbyll të dielat e verës, të cilat mund t’i quajmë një “liturgji të bukës”, temë e pasionuar dhe qendrore e misterit të krishterë. Koncili kishtar i Dytë i Vatikanit ka pohuar se Eukaristia është “burimi dhe kulmi” i fesë. Të besosh, të kremtosh, ta pranosh Eukaristinë do të thotë ta pranosh vet Krishtin, do të thotë të pranosh jetën e amshuar hyjnore.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 21-të gjatë vitit kishtar ‘B’

Jemi në fundin e kapitullit të gjashtë të Ungjillit të Gjonit, kapitullit të Eukaristisë (6, 60-69), i cili përfundon në një mënyrë të hidhur, duke regjistruar një hemorragji në dishepujt e Jezusit, një largim të shumë dishepujve nga Mësuesi Hyjnor. Me një krizë e madhe, kështu përfundon misioni i Jezuit në Galile: “Që atëherë, shumë prej nxënësve të tij, kur i dëgjuan këto fjalë, thanë: “I pakuptueshëm është ky mësim! Kush mund ta dëgjojë?”.... e shumë prej nxënësve të tij u shmangën dhe nuk shkuan më me të".

Po edhe sot ka shumë njerëz që shkandullohen nga feja e krishterë, sepse të besosh në Të, kërkon të bësh gjithë jetën vullnetin e Krishtit. Pra, edhe sot e kësaj dite feja e krishterë shkandullon e ka nga ata, që përpiqen t’ia përshtasin kohës e edhe nga ata, që e braktisin besimin në Krishtin. Vetëm duke e lëshuar plotësisht veten në dorë të Zotit, siç bёri Shёn Nёnё Tereza, mund të gjejmë përgjigjen dhe lumturinë e vërtetë. 

Në Ungjillin e sё dielёs Jezusi u kërkon dishepujve t’i kushtohen plotësisht planit të Tij të shëlbimit. Por shumë prej tyre, pasi e ndoqën për një copë udhë, u kthyen prapa. Edhe në botën e sotme jo pak njerëz shkandullohen nga paradoksi i fesë së krishterë.Mësimi i Jezusit duket i rëndë, i vështirë për t’u pranuar e aq më tepër, për t’u vënë në jetë. Disa, atëherë, e mohojnë dhe e braktisin Krishtin; të tjerë kërkojnë t’ia përshtasin fjalën e Tij modave të kohës, duke ia shtrembëruar kuptimin e vlerën. E Kisha na drejton si besimtarë të njëjtën pyetje, që Jezusi ua pati bërë apostujve. “A doni të shkoni edhe ju?” Ky ngacmim shqetësues jehon përsëri ndër zemra e kërkon nga secili prej nesh përgjigje personale. E Jezusi nuk kënaqet me qëndrime të cekta e formale, nuk i mjaftojnë disa hapa entuziaste pas tij, përkundrazi, duhet të mendosh si Ai e të bësh vullnetin e Tij për gjithë jetën.

Ecja në gjurmët e Krishtit, pra, duhet të vijojë gjithë jetën. Ndjekja e Zotit ta mbush zemrën me gëzim e i jep kuptimin më të plotë jetës sonë, pa harruar se nuk është aspak e lehtë, se kërkon të heqim dorë nga shumë sende e se tepër shpesh duhet të shkojmë kundër rrymës. “Doni të shkoni edhe ju?” – Pjetri përgjigjet, në emër të apostujve, duke shprehur besimin e tij të plotë në fjalët e Zotit, fjalë të jetës së amshuar!.

Edhe ne mund ta përsërisim përgjigjen e Pjetrit, të vetëdijshëm, natyrisht, për brishtësinë tonë njerëzore, por plot besim në forcën e Shpirtit Shenjt, që na flet e na duket në bashkim me Jezusin.
Feja është dhuratë që i bën Hyji njeriut e, njëkohësisht, lëshim i lirë e i plotë në dorë të Zotit; feja është dëgjim i bindur i fjalës së Zotit, i cili është llambë për hapat tonë e dritë mbi rrugën tonë.
Në se ia hapim plot besim zemrën Krishtit, në se e lëmë të na pushtojë, mund të provojmë edhe ne, së bashku me famullitarin e Shenjt të Arsit, shёn Gjonin Vijanej se “e vetmja lumturi mbi këtë tokë është ta duash Zotin e ta dish se edhe Ai të do”.

                                                    Liturgjia e Fjalës

Leximi I Joz 24, 1-2.15-17.18

Në qytetin Sikem disa fise endacake bashkohen për të vendosur një qeveri qendrore dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin në rast nevoje. Rrënja e njësisë është besimi i përbashkët në Jahveun. Secili braktis zotat e tij për të rrëfyer besimin e vet në të njëjtin dhe të vetmin Zot. Ky popull i ardhur nga hiçi ka një thirrje të jashtëzakonshme: fillimet e tij të historisë nuk lindin nga motive politike apo etnike racore, por vetëm fetare. 

Lexim prej Librit të Jozuehut
Në ato ditë, Jozuehu i bashkoi të gjitha fiset e Izraelit në Sikem, dhe i grishi pleqtë, gjyqtarët dhe udhëheqësit. Këta qëndruan në praninë e Hyjit. Atëherë Jozuehu iu drejtua mbarë popullit: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Dikur, moti, etërit tuaj, Tarehu, baba i Abrahamit e i Nahorit, jetonin përtej Lumit dhe u shërbenin hyjnive të huaja. Në qoftë se u duket punë e ligë që t’i shërbeni Zotit, zgjidhni ju sot se kujt doni t’i shërbeni: zotave të cilëve u shërbyen të parët tuaj në Mesopotami, apo zotave të amorrenjve, në tokën e të cilëve banoni. Sa për mua e për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Zotit!”
Populli u përgjigj: “Zoti mos e thashtë që ta lëmë Atë e t’u shërbejmë zotave të huaj! Zoti, Hyji ynë, Ai na nxori ne dhe etërit tanë nga toka e Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërimit. Ndër sy tanë bëri shenja mrekullisht të mëdha, dhe na ruajti në çdo udhë nga kaluam dhe në mes të gjithë popujve, ndër të cilët kaluam. Mandej, Zoti i dëboi para nesh të gjithë këta popuj, posaçërisht amorrenjtë, banorët e këtij vendi, në të cilin hymë ne. Pra, edhe ne do t’i shërbejmë Zotit, sepse Ai është Hyji ynë!” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!


Psalmi 34
Zoti është afër atij që i shërben


Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë është lavdi i tij.
Shpirti im mburret në Zotin: 
le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.

Sytë e Zotit këqyrin të drejtët,
veshët e tij ua dëgjojnë ofshamat.
Fytyra e Zotit është kundër bakëqijve
për ta zhdukur prej dheut kujtimin e tyre.

Klithin të drejtët, Zoti i dëgjon,
i liron prej të gjitha vështirësive të tyre.
Zoti është ngjat atyre që pendohen me zemër,

i shpëton shpirtpërgrirët.


Sado të vështira të ketë i drejti,
prej të gjithave do ta shpëtojë Zoti.
Zoti i ruan eshtrat e tyre:
asnjë prej tyre nuk do t’u thyhet.

E keqja e vet do ta vrasë bakeqin,
e do ta paguajnë ata që e urrejnë të drejtin.
Zoti e shpaguan shpirtin e shërbëtorëve të vet, 
nuk do të ndëshkohen ata që shpresojnë në të.

Leximi II Ef 5,21-32
Apostulli Pal duke folur për martesën sheh në të shenjën e një misteri më të madh, misterin e dashurisë që bashkon Hyjin me njerëzimin. Ai na u dhurua ne nëpërmjet Birit të tij, dhe me anë të pagëzimit ne jemi bërë bij të tij. Dashuria njerëzore trashëgon nga dashuria hyjnore thellësi dhe seriozitet. Dashuria e Krishtit dhe e të krishterëve është e pandryshueshme, kërkuese, e plotë dhe bujare.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, nënshtrohuni njëri-tjetrit në frikën e Krishtit! Gratë le t’u binden burrave të vet sikurse Zotit. Sepse burri është kryet e gruas sikurse edhe Krishti është kryet e Kishës, Ai Shëlbuesi i Trupit. Pra, sikurse Kisha i nënshtrohet Krishtit, ashtu edhe gratë le t’u binden burrave të vet në gjithçka. Ju, o burra, doni gratë tuaja sikurse Krishti e ka dashur Kishën dhe e ka flijuar vetveten për të, për ta bërë të shenjtë duke e pastruar me larje dhe me fjalë, që ta bënte gati për vete një Kishë të lavdishme, të panjollë, të parrudhë, pa ndonjë send si këto, të jetë e shenjtë dhe e patëmetë. Në këtë mënyrë duhet që edhe burrat t’i duan gratë e veta, porsi trupin e vet. Kush e do gruan e vet, do vetveten. Sepse askurrë askush nuk e urren trupin e vet, por e ushqen dhe kujdeset për të, porsi Krishti për Kishën. Sepse jemi gjymtyrët e Trupit të tij. ‘Për këtë arsye njeriu do ta lërë babën dhe nënën e do të jetojë bashkë me gruan e vet e të dy do të bëhen një trup i vetëm.’ Ky është mister i madh: e kam fjalën për lidhjen e Krishtit me Kishën. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Aleluja. Aleluja.
Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë; ti ke fjalët e jetës së pasosur.
Aleluja.

Ungjilli Gjn 6, 60-69
Mesazhi i Ungjillit është shumë kërkues, dhe nëse fjala e Krishtit është e pranuar seriozisht, ngjall shqetësim. Nëse Jezusi duke thënë se Ai është “Buka e jetës” ka skandalizuar dëgjuesit e tij, çfarë do të ndodhë kur Ai të flasë për kryqëzimin e tij? Kush do të mund ta kuptojë që Krishti i lartësuar mbi kryq do të lartësohet në lavdi? Të besosh nuk do të thotë të kuptosh me mendje, por të rrezikosh që t’i dorëzohesh një personi.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, shumë prej nxënësve të tij, kur i dëgjuan këto fjalë, thanë: “I pakuptueshëm është ky mësim! Kush mund ta dëgjojë?” Kur Jezusi e hetoi se nxënësit e tij po nynykatnin lidhur me këtë mësim, u tha: “A po ju shkandullon kjo gjë? E po ta shihnit Birin e njeriut duke u ngritur atje ku ishte më parë? Shpirti është ai që jep jetën, korpi nuk vlen asgjë. Fjalët që unë ju thashë, janë shpirt dhe janë jetë. Por, janë disa ndër ju, që nuk besojnë.” Sepse Jezusi e dinte qysh në fillim cilët ishin ata që nuk besonin dhe cili është ai që do ta tradhtonte. Dhe shtoi: “Prandaj edhe ju thashë se askush s’mund të vijë tek unë, po qe se nuk iu dhurua nga Ati.” Qysh atëherë shumë prej nxënësve të tij u shmangën dhe nuk shkuan më me të. Atëherë Jezusi i pyeti edhe të dymbëdhjetit: “A mos doni të shkoni ndoshta edhe ju?” Simon Pjetri i përgjigj: “Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur! Ne besojmë dhe e dimë se ti je Shenjti i Hyjit!” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

24 gusht 2018, 16:02