Kërko

 Papa takohet me Patrikët e Kishave Lindore Papa takohet me Patrikët e Kishave Lindore 

Lindja e Mesme. Krerët e Kishave katolike: Perëndimi të heqë dorë nga nxitja e përçarjeve ndërmjet popujve tanë.

Një mesazh i titulluar “Të krishterët e Lindjes sot, ndërmjet frikës e shpresës”, nënshkruar nga shtatë krerët e Kishave katolike lindore, u përhap këto ditë, që bota t’i njohë ndryshimet dramatike dhe dhunën në Lindjen e Mesme.

R. SH. - Vatikan

Një mesazh i titulluar “Të krishterët e Lindjes sot, ndërmjet frikës e shpresës”, nënshkruar nga shtatë krerët e Kishave katolike lindore, u përhap këto ditë, që bota t’i njohë ndryshimet dramatike dhe dhunën,  barrë gjithnjë më e rëndë mbi kurrizin e të krishterëve, por edhe të myslimanëve, në pjesën më të madhe të vendeve arabe. Gjë që i shtyn shumë prej tyre t’i braktisin shtëpinë e të ikin nga sytë këmbët.

A do të zhduken të krishterët në Lindjen e Mesme?

Sot shumë njerëz - lexohet në mesazh - mendojnë se së shpejti do të zhdukemi ose do të pakësohemi tepër në Lindjen e Mesme. Por ne besojmë se Zoti është Zotëria i Historisë, bariu ynë e bariu i Kishës në Lindje.

Të krishterët do të mbeten në Lindjen e Mesme

Ne besojmë në Jezu Krishtin, të Ngjallurin e Ngadhënjyesin mbi çdo të keqe! Falë fesë sonë, besojmë se të krishterët do të mbeten në Lindje, për të vijuar kumtimin e Ungjillit të Zotit tonë Jezu Krishtit e për ta dëshmuar ngjalljen e Tij të lumnueshme. Edhe nëse mbetemi pak e aspak, do të jemi “kripë, dritë, tharm”(Mt 5,13 e 14; 13,33), pikërisht si paralajmëroi vetë Jezusi: “Ju do të përndiqeni nga bota, por kini besim; unë e munda botën!”, e edhe: “Mos të trazohet zemra juaj e mos të ketë frikë”(Gjn 16,33;14,27).

Ftesë për të mos u larguar

Mesazhi i krerëve të Kishave katolike në Lindje u drejtohet besimtarëve, qytetarëve, qeveritarëve e edhe drejtuesve politikë në Perëndim e në Izrael. Patrikët i ftojnë besimtarët të mos tunden nga shtëpitë e tyre dhe të japin ndihmesën për rindërtimin e vendeve të rrënuara nga konfliktet, edhe pse rrethanat vijojnë të jenë të vështira. Qeveritarët nxiten ta ndjejnë më shumë përgjegjësinë e t’u bëjnë ballë përçarjeve, që përpiqet të ushqejë Perëndimi ndërmjet popujve lindorë, duke krijuar një atmosferë respekti e pluraliteti etnik e duke vijuar diskutimin dhe formimin lidhur me çështjet fetare. Së fundi, patrikët i kujtojnë Perëndimit dhe Izraelit se, por të vijojnë të hapin udhë vdekjeje, “vdekja një ditë prej ditësh do t’i përlajë të gjithë”. Bëhuni të vetëdijshëm, ndryshojeni politikën shkatrrimtare kundër viseve tona e të krishterëve të Lindjes - lexohet në mesazhin - në të cilin ripohohet edhe se paqja në Palestinë e në Jeruzalem vijon të jetë kyç për paqen në të gjithë rajonin, e dhe në Perëndim. Kujtohet me forcë edhe urgjenca për të rrënjosur në Lindjen e Mesme Stadet e së të drejtës jo konfesionale, gjë “që garanton barazinë ndërmjet gjithë qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare”.

07 gusht 2018, 15:57