Kërko

 Krishti u mëson Atynën Apostujve Krishti u mëson Atynën Apostujve   (© Biblioteca Apostolica Vaticana)

Konferenca ipeshkvnore italiane do ta ndryshojë tekstin e Atynës

Më 11 gusht Papa Françesku foli për përkthimin e gabuar të Atynës në gjuhën italiane, e pikërisht të frazës “Mos na shtyjë në tundim”.

R. SH. - Vatikan

Sipas njoftimit nga ana e burimeve të Konferencës ipeshkvnore italiane, do të ndryshojë, në nëntor, teksti italisht i “Atynës”. Fraza “Mos na shtyj në tundim”, do të zëvendësohet me një tjetër, më të përshtatshme: “Mos na lërë të biem në tundim” ose “mos na lësho dore në tundim”, siç  e kujtoi më 11 gushtin e kaluar Papa Françesku, gjatë fjalimit drejtuar të rinjve italianë në Cirkun Massimo, në Romë, duke nënvizuar se Zoti nuk mund ta shtyjë njeriun në tundim. Përkundrazi, Zoti e çliron atë, që tundohet për të bërë keq. Shpjegon teologu Bruno Forte: “Në përkthimin italisht të Biblës nga ana e Konferencës ipeshkvnore italiane, formulimi tashmë është ndryshuar nga 'mos na shtyj në tundim', në 'mos na braktis në tundim', por mbetet ende në përdorim liturgjik: tani jemi në pritje të rishikimit të këtij teksti".

Ideja themelore është se Zoti nuk mund ta shtyjë njeriun në tundim. Shprehja duhet kuptuar në mënyrë korrekte, siç e kujton edhe Papa, në kuptimin që e ka përkthimi i Atynës në gjuhën shqipe. Në variantin tradicional gegë: “Mos na len me ra në të keq”, në atë të gjuhës zyrtare: “Mos na lërë të biem në tundim”.

Theksojmë se ndryshimi bëhet sepse Zoti nuk i braktis kurrë bijtë e vet, por i ndihmon gjithnjë e gjithkund, me dashurinë e tij të pafundme!

17 gusht 2018, 16:42