Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Të rinjtë në Sheshin e Shën Pjetrit, për takimin me Papën Françesku Të rinjtë në Sheshin e Shën Pjetrit, për takimin me Papën Françesku  (Vatican Media)

Kolumbi: takimi i ipeshkvijve të Amerikës Latine në prag të Sinodit të të rinjve

Gjatë ditëve të kaluara, ipeshkvijtë e Amerikës Latine u mblodhën në Kolumbi për të diskutuar mbi tematikat e Sinodit të të rinjve, programuar në tetor, në Vatikan.

R.SH. - Vatikan

Në përgatitje të Sinodit të tetorit, kushtuar të rinjve, ipeshkvijtë latinoamerikanë u mblodhën nga 6 deri më 10 gusht, në Bogota të Kolumbisë, së bashku me 40 të rinj, me të cilët diskutuan tematikat sinodale dhe u konfrontuan mbi problemet e veçanta të vendeve të Amerikës së Jugut. Së bashku me të rinjtë, prelatët analizuan pyetësorët e shpërndarë gjatë këtyre muajve në vendet e tyre, duke u thelluar në disa problematika.

Të përforcohet prania e Kishës

         Në Romë, Amerika Latine do të përfaqësohet nga 25 ipeshkvij, së bashku me ekipin e baritorisë rinore latinoamerikane. Në Bogota, ata diskutuan mbi transmetimin e fesë, mbi Kishën në dalje e mbi disa probleme të mprehta të jetës në vendet e tyre si, droga, dhuna, alkooli, prostitucioni dhe emigracioni. U vërejt se në të gjitha vendet, të rinjtë e shohin Kishën, thirrjen për t’ia kushtuar jetën Zotit dhe shoshitjen e saj, pak a shumë, në të njëjtën mënyrë. Por jo gjithmonë kuptohen si duhet. Disa nga ipeshkvijtë vunë në dukje se gjatë 15-20 vjetëve të fundit, prania e Kishës në gjithë Amerikën Latine, ka nevojë të përforcohet. Por të gjithë u zotuan të bashkëpunojnë më shumë për të parë ku e çon Shpirti Shenjt Kishën e, si duhen shoqëruar, dëgjuar e kthyer të rinjtë në protagonistë të saj.

14 gusht 2018, 13:21