Kërko

Kard. Bassetti të rinjve: jini tharm për Kishën

Gjatë Meshës, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit për fundin e shtegtimit parasinodal të të rinjve, kryetari i Konferencës ipeshkvore italiane, kardinali Gualtiero Bassetti foli për rëndësinë e shtegtimit dhe të mikpritjes.

R. SH. - Vatikan

“Një popull mrekullisht i bukur, një pjesë e Kishës së mrekullueshme”. Me këto fjalë kardinali Gualtiero Bassetti, kryeipeshkëv i Perugia-Città della Pieve e kryetar i Konferencës ipeshkvnore italiane, iu drejtua të rinjve  ardhur në Romë, pas shetegtimit të këtyre javëve, që arriti një kulm  në takimin e djeshëm me Papën në Cirkun Massimo, për të vijuar me një kulm të dytë, kremtimin e sotëm eukaristik në Sheshin e Shën Pjetrit dhe Engjëllin e Tënzot të Papës Françesku.

Mënyra më e mirë për ta falënderuar Zotin

Kardinali Bassetti, që bashkëkremtoi Meshën me 120 ipeshkvij, i ftoi të rinjtë të jenë “tharm i shpresës për Kishën e shoqërinë tonë”. Shtegtimi - shpjegoi Kryetari i konferencës ipeshkvnore Italiane - është mënyra më e bukur për ta falënderuar Zotin për jetën e për moshën rinore, ndonëse  ndonjë nga pjesëmarrësit, “i lodhur nga pesha e çantës e nga vapa e madhe e këtyre ditëve”, mund të ketë menduar se nuk do të arrinte deri në fund të rrugës. Madje mund ta ketë pyetur veten edhe nëse ia vlente ta vijonte shtegtimin.

Zoti t’i rikthen forcat e humbura

“Janë pyetje të thella, që kanë të bëjnë me udhën e jetës, gjatë së cilës lodhja, zhgënjimet, mosbesimi, rrinë gjithnjë në pritë” - kujtoi kardinali Bassetti. - Mungesat, një situatë pune, që të pengon të bësh plane për të ardhmen, vështirësitë e jetesës në familje, por edhe emergjencat, që jeton sot Italia, qyteti, lagjja ku banon, janë situata që mund të të çkurajojnë. Por përvoja e këtyre ditëve për udhë ju bëri të kuptoni se nuk ka vështirësi as frikë, që nuk mund të kapërcehet, kur përballohet së bashku. Zoti nuk pushon duke dërguar engjëllin e tij për të na sjellë, në çastin e duhur, çka kemi nevojë, që t’i rifitojmë forcat e ta rigjallërojmë guximin.

Profeti Elia dhe shoqëria e sotme

Tri herë rresht Elia qe në prag të vdekjes, por sa herë bëhej gati t’i mbyllte sytë përgjithmonë, e ndjente dorën e Zotit, pranë tij për t’i dhënë ndihmë. Një herë ia shuan urinë korbat, pastaj gruaja skamnore, e vejë dhe e huaj. Kjo figurë - shpjegoi Kardinali - na kujton se e kemi gjithnjë për detyrë të mikpresim, sido e kudo që të jemi: edhe kur mbetemi vetëm me një thërrime miell e disa pika vaji, si vejusha, që e ndihmoi Elinë, mund të bëjmë diçka. Pa harruar kurrë se Provania vepron mrekullisht, por shërbehet nga duart tona e, sidomos, nga zemra jonë.

Jezusi është shoku i vërtetë i udhës

Në  kulmin e dëshpërimit, Zoti, përmes engjëllit të Tij e fton Elinë të vijojë udhën, duke i kërkuar të impenjohej për popullin e vet e t’i nxiste edhe të tjerët në këtë shërbim. Po kështu edhe të rinjtë - përfundoi kardinali Bassetti – “nuk duhet të pushojnë kurrë s’e kërkuari Jezusin, sepse vetëm Zoti e di ç’fshihet në zemrën e njeriut, e edhe pse, gjatë shtegtimit të mirëfilltë,  shok i vërtetë e cak i udhës, është vetë Jezusi, që nuk të zhgënjen kurrë”.

12 gusht 2018, 11:31