Kërko

 Kardinali Tumi mes meshtarëve e besimtarëve Kardinali Tumi mes meshtarëve e besimtarëve 

Kamerun: takohen liderët e krishterë e myslimanë

Rrugëzgjidhja e krizës separatiste në zonat anglofone: ky, qëllimi i takimit, organizuar dje e sot me pjesëmarrjen e liderëve të krishterë e myslimanë, për të nxitur dialogun ndërmjet qeverisë dhe lëvizjes indipendentiste. Nga pala katolike, i pranishëm, Kardinali Tumi.

R. SH. - Vatikan

Filloi dje, për të përfunduar sot, në Buea, jug-perëndim i Kamerunit, takimi për zgjdhjen e krizës, ashpërsuar shumë muajt e fundit. Është një përpjekje për të nxitur dialogun  ndërmjet qeverisë dhe lëvizjes indipendentiste.

Kameruni në kaos

Vendi afrikan ëshë ndarë më dysh. Zonat frëngjishtfolëse nga njëra anë, anglishtfolëset, nga ana tjetër. Zona anglofone, që përfaqëson 20% të popullsisë,  diskriminohet politikisht dhe ekonomikisht nga qeveria. Në vitin 2016 nisën rebelimet e para, me pasojë dhjetra të vdekur e mijëra arrestime. Protesta nisi nga grupi i avokatëve, që u hodhën në grevë kundër emërimit të gjykatësve të gjuhës frënge në gjykatat lokale. Me protestën e avokatëve u bashkuan edhe studentët  e mësuesit, që e denoncuan qeverinë e presidentit Paul Biya për diskriminimin kundër provincave anglofone të vendit.

Kriza më e rëndë, që ka parë Kameruni

Me kalimin e muajve, pakënaqësia u thellua gjithnjë më shumë, duke krijuar krizën më të rrezikshme në historinë e vendit. Dhjetra civilë u vranë, ndërsa sulmet e armatosura shkaktuan vdekjen e 16 ushtarëve dhe zyrtarëve të policisë.  Për të frenuar rebelimin, Yaoundé nisi trupat e zgjedhura, të vendosura në veri të vendit, kundër terroristëve të Boko Haram. Që asokohe 7.500 vetë i braktisën shtëpitë e morën arratinë, duke u sulur drejt Nigerisë, ndërsa 40 mijë të tjerë përgatiten ta lënë Kamerunin. Përpjekjet e presidentit për të rifilluar dialogun ndërmjet palëve, deri tani nuk kanë pasur asnjë rezultat. Zanafilla e pakënaqësive nisi qysh me pavarësinë e vendit, kur u unifikua në një federatë dygjuhësh, me kryeqytet Yaundenë, me një sistem të centralizuar pushteti, që diskriminon pakicën anglofone.

Një takim ndërfetar

Nër këtë situatë organizohet një takim ndërfetar, për të diskutuar lidhur me krizën në vend e edhe për të gjetur rrugëdalje. Ndërmjet liderëve fetarë, që do të marrin pjesë, do të jetë edhe kardinali Christian Tumi, kryeipeshkëv nderi i Douala-së; pastori Babila George Fochang, i Kishës presbiteriane të Kamerunit; imami Tukur Muhamet Adamu, i xhamisë qendrore të Bamenda-s si dhe kryeimami Alhadiji Mohammed Aboubakar, i xhamisë qendrore të Buea-s.

 

30 gusht 2018, 11:01