Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Shtegtim në Jasna Gora Shtegtim në Jasna Gora 

Jasna Gora: 4 milionë shtegtarë, çdo vit, tek Zoja e Zeshkët

Më 26 gusht, në Solemnitetin e Zojës së Czestochov-ës, polakët nderojnë Marinë si Nënë, Mbretëreshë e Pajtore e kombit!

R. SH. - Vatikan

Më 26 gusht, në Solemnitetin e Zojës së Czestochova-s, polakët e nderojnë Marinë si Nënë, Mbretëreshë e Pajtore e kombit polka! Jasna Gora - kujton Papa Françesku - është kryeqytet shpirtëror i Polonisë.

Në gjunjë para Marisë, në çaste të mira e të vështira

Në çastet më të vështira  të jetës, polakët vrapojnë tek Maria. Në çastet më të vështira të historisë, Polonia shtegton e gjunjëzohet tek këmbët e Pajtores së Kombit. Shtegtime, që nuk reshtën as gjatë pushtimit nazist e regjimit komunist. Dhuna nuk mundi të fitonte mbi devocionin e një populli të tërë! E tani që Polonia është e lirë, numri i shtegtarëve bëhet gjithnjë më i madh. Shkojnë në këmbë, me biçikleta, motoçikleta, kuaj e deri me patina, për t’ia besuar Zojës ndjetet e tyre personale e kombëtare.

Ndjeti kryesor i lutjeve të sivjetme

Ndjeti kryesor i lutjeve sivjet është ai i falënderimit për 100-vjetorin e fitimit të pavarësisë së Polonisë dhe 40-vjetorin e zgjedhjes së Karol Wojtylës në fronin e papnisë, me emrin Gjon Pali II.

Shtegtim, gjatë gjithë vitit

Shtegtarët nisen drejt Jasna Gorës gjatë gjithë vitit. E ç’mund t’u bëjë dimri me ngrica e vera me vapë, atyre që nuk mundi t’i pengojë diktatura e as pushtimi, ngarkuar me dhunë e me krime?  Nisen, vetëm a me shokë! Stina kulmore e shtegtimeve është vera. Muaji korrik e gusht, kur drejt Shenjtërores dynden më se 40 shtegtime dioqezane  e disa duzina rajonale.  Udha më e gjatë - 617 km - është ajo që bëjnë shtegtarët e kryedioqezës së Szczecin-Kamien. Ndërsa numri i shtegtimeve organizuar me biçikleta sivjet arriti në 113.

Festa e Zojës së Zeshkët, gusht 2018

Natën e Solemnteuit në Jasna Gora u takua Këshilli i ipeshkvijve dioqezanë. Tema: “Kisha katolike në Poloni e në botë”. Në solemnitetin  e Zojës së Çestokovës ipeshkvijtë morën pjesë në Meshën e ndjekur nga mijëra shtegtarë. Eukaristinë e kryesoi primati i Polonisë, kryeipeshkvi Wojciech Polak.

Pakëz histori

Festa e Zojës së Çestokovës për Shenjtëroren e Jasna Gorës, u themelua nga Papa Piu X, në vitin 1904. Në vitin 1931, Papa Piu XI e caktoi datën 26 gusht për kremtimin e festës. Katër vjet më pas u miratuan edhe tesktet liturgjike  të Zojës së Çestokovës, që flasin për Mbrojtjen e Polonisë nga Maria. Që nga viti 1956, Solemniteti kremtohet jo vetëm në Shenjtëroren e Zojës së Zeshkët, por në të gjitha Kishat e Polonisë! Është festë Kombëtare e, sidomos popullore, e një vendi, që i është kushtuar i tëri Zojës!

 

 

24 gusht 2018, 14:41