Kërko

Patriarku i Babilonisë së Kaldeasve, kardinali Louis Raphael Sako Patriarku i Babilonisë së Kaldeasve, kardinali Louis Raphael Sako 

Irak, ipeshkvijtë kaldeas: paqe në Siri e dialog Teheran-Uashington

Përfundoi dje, Sinodi kaldeas 2018, filluar më 7 gusht në Bagdad. Temat e takimit: situata në Irak e në Siri dhe marrëdhëniet ndërmjet SHBA-ve e Iranit.

R.SH. - Vatikan

Lutje për fundin e luftës në Siri e në të gjitha zonat e tjera të Lindjes së Mesme, si edhe ftesë për të bashkëpunuar që të arrihet paqja e qëndrueshme. Me këtë thirrje përfundoi Sinodi 2018 i Kishës kaldease në Bagdad, nën drejtimin e Patriarkut Louis Raphael Sako.

Dialog ndërmjet Teheranit e Uashingtonit

         Krerët e Kishës shqyrtuan edhe marrëdhëniet ndërmjet Iranit dhe SHBA-ve, gjithnjë e më tepër në qendër të një “lufte psikologjike”, siç e ka quajtur presidenti iranian, Rouhani. Sipas ipeshkvijve irakianë, e vetmja mënyrë për zgjidhjen e tensioneve ndërmjet dy shteteve është dialogu e diplomacia dhe jo sanksionet e masat ndëshkimore, që dëmtojnë vetëm popullsinë civile.

Të ndalet dhuna në Lindjen e Mesme

         Patriarkët kërkuan ndalimin e dhunës në Lindjen e Mesme. Shqyrtuan gjendjen në Irak, duke vërejtur rilindjen e ngadaltë të bashkësisë katolike, pas persekutimeve të Isisit. Nënvizuan nevojën e një ekonomie më të qëndrueshme për t’i dhënë hov punësimit. Uruan gjithashtu, që Iraku të ketë një qeveri kombëtare të fuqishme, e cila t’i trajtojë të gjithë qytetarët njësoj, duke u dhënë liri, demokraci e pluralizëm.

Kisha kërkon kthimin e të krishterëve në pllajën e Ninives

Natyrisht, kësaj qeverie do t’i takojë të sigurojë kthimin e të shpërngulurve, sistemimin e tyre dhe rindërtimin e infrastrukturave. Kisha uron kthimin e të krishterëve në pllajën e Ninives, zona ku ata ishin shumicë, por kjo kërkon forcimin e sigurisë dhe të veprimtarive shoqërore e humanitare. Duke u kërkuar besimtarëve të vet të kenë durim, Kisha Katolike u siguron atyre gjithë mbështetjen e vet për të mbajtur gjallë fenë e shpresën, thuhet në notën e Sinodit kaldeas.

14 gusht 2018, 14:16