Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Pamje pas tërmetit Pamje pas tërmetit  (AFP or licensors)

Indonezi: Kisha pranë popullsisë së dëmtuar nga tërmeti

Në Indonezi numërohen më se 142 të vdekur, pasojë e tërmetit që ra më 5 gushtin e kaluar në ishullin Lombok. Intervistë me drejtuesin e projektit Caritas Indonesia, Yohanes Baskoro.

R. SH. - Vatikan

Në Indonezi gjendja është dramatike. Sipas burimeve vendase, bilanci i viktimave, akoma i përkohshëm, vijon të rëndohet. Fshatra të tëra janë pa dritë elektrike. Mbrojtja civile njofton se janë shembur më se 13 mijë shtëpi. Dëshmitarë të ndryshëm ankohen se mungojnë planet e nevojshme për evakuimin. Më se 20 mijë njerëz kanë gjetur strehë të përkohshme. Veprimtarët e Oxfam, ojq e pranishme në ishull, njoftojnë se mungon edhe uji i pijshëm.

Largohet rreziku i tsunamit

Lëkundja e së dielës i shtohet një lëkundjeje tjetër, që goditi Indonezinë, ajo e 29 korrikut. Në këtë rast vdiqën 17 vetë. Shqetësimi mbetet, sepse lëkundjet vijojnë, ndërsa nuk flitet më për rrezikun e tsunamit. Më 2004, vetëm në Indonezi, vdiqën më se 120 mijë njerëz, për shkak të tërmetit të fuqishëm dhe të tsunamit, që pasoi. Kjo lëkundje e re shkaktoi dhimbje e ankth të ri. Papa Françesku, më 6 gushtin e kaluar, në një telegram, shprehu ngushëllimin e tij, duke siguruar “afërsinë në lutje”.

Angazhimi i Karitasit indonezian

Katolikët në Indonezi janë pakicë. Por kontributi i tyre, edhe në këto çaste kaq dramatike, është tejet i çmuar. Kisha është e pranishme në zonat e dëmtuara nga lëkundjet e 29 korrikut e të 5 gushtit, për të koordinuar ndërhyrjet e para. Posaçërisht në ishullin Lombok, në dioqezën e Denspasar. Në këtë fazë të parë, po shpërndahen pako higjienike e po planifikohen projektet e rindërtimit. Në intervistën dhënë Vatikan News, drejtuesi i projekteve të Karitasit Indonezian për rindërtimin, Yohanes Baskoro, na flet kryesisht për situatën në ishullin Lombok. Në zonat e dëmtuara nga tërmeti - njofton – do të vijnë  vullnetarë të rinj:

 “Në këtë çast po japim ndihmën tonë e po e bëjmë këtë që nga dita pas tërmetit të 29 korrikut: vullnetarët po shpërndajnë kitet higjienike e po mbartin të plagosurit në spitalet më të afërme për mjekimet e para. Këkohen kite të reja higjienike për 188 banesat e fshatrave më të dëmtuara. Sipas llogarive, do ta përfundojmë shpërndarjen e kiteve javën e dytë të gushtit e, ndërsa e bëjmë këtë, parashikojmë ndihmën për të dëmtuarit nga lëkundja e dytë. Për llogari të Karitas Indonezia, javën e ardhshme do të angazhojmë vullnetarë të tjerë. Do të bëjmë edhe vlerësimet e dëmeve”.

Indonezia është vend me shumicë myslimane. A keni hasur vështirësi, si organizatë katolike e duke pasur parasysh se të krishterët janë pakicë?

Nuk kemi vështirësi në shpërndarjen e ndihmave humanitare: nuk e përmendim kurrë emrin e Kishës e ua çojmë jo vetëm katolikëve, por edhe të gjitha bashkësive të dëmtuara nga tërmeti, pa marrë parasysh përkatësinë fetare e as atë etnike.

08 gusht 2018, 10:44