Kërko

 Katolike e vogël nga Orisa, në lutje Katolike e vogël nga Orisa, në lutje 

India: Letër Papës “Të shpallen martirë viktimat e Orisës”

Katolikët indianë i shkruajnë Papës Françesku një Letër, përmes së cilës kërkojnë të shpejtohet procesi i shpalljes Martirë për viktimat e dhunës nga ana e grupeve ekstremiste hinduiste që, dhjetë vjet më parë, kryen, në distriktin e Kandhamal-it, në Shtetin indian Orissa, një spastrim të mirëfilltë etnik të të krishterëve vendas.

R. SH. - Vatikan

Letra i dërgohet Papës pikërisht në 10-vjetorin e kësaj tragjedie. Nënshkruhet nga John Dauyal, laik katolik indian, intelektual e ish-kryetar i “Bashkimit të katolikëve të Indisë”, lëvizja më e vjetër shekullare në Azi. Në të nënvizohet “forca e fesë e njerëzve më të varfër e më të ligshtë të bashkësisë”, duke theksuar se ishin ata frymëzues të kësaj Letre.

Kushtetuta indiane garanton lirinë e fesë

Pas ungjillëzimit të lashtë të subkontinentit, besimtarët indianë “jetojnë  të sigurt në Indinë demokratike, Kushtetuta e së cilës u garanton lirinë e fesë. Që nga pavarësia, kjo ishte garanci e mjaftueshme. Prej këndej, jetuam në paqe”- lexohet në tekstin, dërguar edhe agjencisë Fides.

Çaste të vështira në historinë e Indisë

“Por nuk munguan as çastet e traumave në historinë tonë”- vijon Letra që, më pas, ndalohet tek disa nga këto çaste, duke nisur nga fundi i shekullit XVII, kur sulltani i Mysores, Tipu, pati burgosur njëqind mijë katolikë në bregun perëndimor të Keralasë e Mangalores. Një pjesë e mirë e tyre vdiqën nga torturat e sëmundjet. Deri më 2008 kjo kujtohej si dhuna më e egër kundër bashkësisë katolike, me një mori viktimash, që ende nuk janë njohur, ashtu si e meritojnë

Tragjedia e 2008-tës

Tragjedi pas tragjedie për të krishterët. Pas sulltanit, në vitin 2008, mbi bashkësinë katolike të distriktit Kandhamal, në shtetin e Orissës u sulën bandat e ekstremistëve, të miratuara edhe nga shteti. Sulmi nisi më 25 gusht 2008 e zgjati disa javë. Viktimat do t’ua kishin kaluar atyre, që u martirizuan për fenë 300 vjet më parë, po të të mos ishte pylli, që rrethonte fshatrat e shtëpitë. Rreth 60.000 fëmijë, gra e burra, të vjetër e të rinj, të posalindur e gra shtatzëna, ikën në pyll. Më pas, 30.000 prej tyre jetuan në kampe refugjatësh, ngritur nga qeveria. Më se 400 fshatra u “spastruan” nga të krishterët. U rrënuam 6.000 shtëpi, 300 kisha e të gjitha institutet sociale, ngritur nga urdhërat fetare e nga murgeshat. U vranë 120 vetë, ndërmjet të cilëve, atë Bernard Digal, prift dalit e ruajtës i thesarit të Kryedioqezës Cuttack-Bhubaneswar. Shumë barinj e predikatarë të krishterë laikë humbën jetën. Burra e gra u dhunuan, u copëtuan me shpata, me hanxharë ose u dogjën mbi turra drush, por fenë nuk e mohuan. Përkundrazi, e shpallën me një guxim të pashoq -  sot - të harruar!

Dhjetë vjet më pas, shumica e vrasësve, e lirë

“Dhjetë vjet pas këtyre ngjarjeve, shumica e vrasësve është e lirë. Do të duheshin vjet e vjet procesesh, që Gjykata e Lartë e Indisë të vlerësonte dëmet e të përcaktonte dëmshpërblimet për rindërtimin e shtëpive të rrënuara. Po njerëzit e vdekur - kush mund t’i rikthejë në jetë? Kush mund të përcaktojë sa kushton gjaku i tyre i derdhur për fenë?  Kush mund t’i  shërojë fëmijët nga traumat? T’ua vërë në vend të rinjve kohën e humbur? T’ua kthejë familjeve të shkatërruara jetën, që u shua në këto rrethana tragjike? Pyetje - pa përgjigje!

Viktimat e dhunës së 2008-tës të njihen nga Kisha si Martirë të fesë

Megjithëkëtë nuk duhet harruar - vijon në Letra drejtuar Papës - se ata  ishin e janë fanar shpirtëror për bashkësinë e besimtarëve indianë. Besojmë se feja e të krishterëve të Kandhamal duhet njohur në atë mënyrë, me të cilën Kisha e njohu historikisht këtë flijim. I kërkuam kryeipeshkvit të Cuttack Bhubaneswar dhe ipeshkvijve indianë që viktimat e 2008-tës  të shpallen nga Kisha Martirë të Fesë. Kjo do ta përforcojë fenë e popullit indian, posaçërisht në çastin që po kalojmë.

Ky, teksti i Letrës, që përfundon me fjalët: “Kryeipeshkvi i Cuttack Bhubaneswar e ka nisur formalisht procesin. I lutemi e i kërkojmë Papës Françesku që ta shpejtojë. Kjo do ta përtërijë fenë e secilit prej nesh”.

28 gusht 2018, 13:10