Cerca

Vatican News
 Vajzë indiane nga Orisa Vajzë indiane nga Orisa 

Indi: dhjetë vjet më parë, masakrat antikristiane në Orisa

“National Solidarity Forum” kërkon që 25 gushti të shpallet Ditë e Kujtimit për viktimat e sulmit më të rreptë që është parë deri më sot mbi ndonjë bashkësi besimtarësh në Indi.

R. SH. - Vatikan

“National Solidarity Forum” kërkon që 25 gushti të shpallet Ditë e Kujtimit për viktimat e sulmit më të rreptë që është parë deri më sot mbi ndonjë bashkësi besimtarësh në Indi. Pasojat: më se 100 të vdekur, 393 kisha e 6500 shtëpi të shkatërruara, 56.000 refugjatë nga zona e Kandhamal. E më keq akoma: fajtorët vijojnë të bredhin të lirë! Asnjë nuk u gjykua, asnjë nuk u burgos. E as që u shkon nëpërmend se pas shkatërrimit, duhet të mendohet edhe për dëmshpërblimet, të cilat aktualisht janë një hundë burnot.

Sulmi më i rreptë kundër bashkësisë së besimtarëve në Indi

“Shresojmë se nuk e keni harruar tragjedinë  e Orisës, më 2008”. Vetëm tetë ditë pas kremtimit të Ditës së Pavarësisë, India jetoi sulmin më të rreptë që ishte parë kundër ndonjë bashkësie fetare në historinë e saj. Që nga viti 2009, banorët e Kandhamal e kremtojnë 25 gushtin si Ditë e kujtesës për viktimat. Sivjet përkujtohet dhjetëvjetori i dhunës, nënvizon “National Solidarity Forum”, një rrjet prej më se 70 organizatash indiane, në të cilin bëjnë pjesë aktivistë, priftërinj, rregulltarë, avokatë, besimtarë të krishterë e hinduistë.

U shkatërruan 393 Kisha e 6500 shtëpi

Sipas të dhënave të “National Solidarity Forum”, gjatë kësaj vale dhune, 393 kisha e vende kulti, që u përkisnin të krishterëve adivasi (të organizuar sipas fiseve) dhe dalit, u shkatërruan, rreth 6500 shtëpi u bënë rrafsh me tokë, 100 vetë u vranë, më se 40 gra u përdhunuan, u ngacmuan, u poshtëruan, shumë institucione edukative, shoqërore e shëndetësore u plaçkitën. Më se 12 mijë fëmijë humbën mundësinë për të vijuar shkollën. E më se 56 mijë vetë u detyruan të ikin nga Kandhamal e të strehohen nëpër pyje. Gjatë gjithë kësaj tragjedie, shumë njerëz u detyruan me forcë të kthehen nga  feja e krishterë, në atë hinduiste, nga grupi hinduist “Sangh Parivar”.

Nga 25 gushti, nismat përkujtimore

Me rastin e dhjetëvjetorit, Forumi Kombëtar i Solidaritetit dhe shoqata e të mbijetuarve të Kandhamal-it, u bëjnë thirrje atyre, që besojnë në laicitetin, demokracinë e drejtësinë, paqen e harmoninë, të kremtojnë një ditë për viktimat e Kandhamalit, më 25 gusht 2018 ose rreth kësaj date. Dita do të kremtohet më 28 gusht në Kandhamal e më 29, në Bhubaneshwar. Parashikohet që në kremtime të marrin pjesë 10 mijë vetë.

Forumi kërkon drejtësi për viktimat e Kandhamal

Gjatë kësaj ngjarjeje, në kremtimet e ndryshme, do të kërkohet të zbatohet drejtësia për viktimat, të kapen e të dënohen fajtorët, të rindërtohen kishat e shtëpitë e rrënuara. Do të kërkohet edhe të themelohet një “Komision për pakicat e Orisës”, që të parandalohen, në të ardhmen, vendimet tendencioze e të mbahet qëndrim i barabartë ndaj qytetarëve, pavarësisht nga besimi i tyre. Përfaqësuesit e Forumit kujtojnë se të gjitha këto kërkesa ia paraqitën presidentit të Indisë tri vjet më parë. U përcollën me shumë premtime, por “fjalët e mëdha e gurët në strajcë”.

10 gusht 2018, 14:05