Kërko

Fëmijë indiane që lutet për Viktimat e Orisës, Indi Fëmijë indiane që lutet për Viktimat e Orisës, Indi 

Indi: dhjetë vjet më parë, dhuna e madhe kundër të krishterëve

Dëshmia e kryeipeshkvit të Cuttack Bhubaneswar, imzot John Barwa, me rastin e 10-vjetorit të dhunës në shtetin e Orisës, ploja më e madhe kundër të krishterëve në historinë e Indisë.

R.SH. - Vatikan

Ishte 25 gushti i vitit 2008, kur hinduistët radikalë ndërmarrin sulmin më të dhunshëm kundër të krishterëve në historinë e Indisë. Dhjetë vjet pas tij, kryedioqeza e Cuttack Bhubaneswar është akoma pranë viktimave, në kuadrin e betejës për drejtësi.

Masakra

         “Sulmi çnjerëzor kundër të krishterëve mbetet njollë e zezë në historinë e Indisë së pavarur. Ajo që ta copëton zemrën është se masakrimi i të pafajshmëve vazhdoi pa pushim për muaj të tërë. Agresorët morën jetën njerëzish e shkatërruan kisha, shtëpi, shkolla, spitale e zyra. Gra e vajza u përdhunuan”. Me këto fjalë, kryeipeshkvi i Cuttack Bhubaneswar, imzot John Barwa, kujton për Vatican News, plojën e 10 vjetëve më parë: 393 kisha e vende kulti rrafshuar me tokën, së bashku me 6.500 shtëpi; më se 100 të vrarë; më se 40 gra të përdhunuara; më se 12 mijë fëmijë nuk mundën të vazhdonin shkollën e; më se 56 mijë vetë u strehuan nëpër pyje, për të mos folur për rastet e kthimit me forcë nga krishterimi në hinduizëm.

Impenjimi i kryedioqezës

         “Objektivi i kryedioqezës – shpjegon imzot Barwa – është të kujtojë ç’ndodhi atëherë, për të kuptuar pse po luftojmë sot. Prandaj, janë organizuar manifestime e kremtime. Duam t’ia besojmë gjithçka Zotit përmes lutjes, duke besuar se gjithçka duket e pamundur për njerëzit, nuk është për Hyjin. Për Të, gjithçka është e mundur”.

Mesha solemne

         Kryedioqeza e Cuttack Bhubaneswar, në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Indisë, po organizon një meshë falenderimi për ata, që e dëshmuan fenë me jetë. “Duam të lutemi për faljen, pajtimin e paqen e vërtetë”, deklaron kryeipeshkvi, duke i ftuar të gjithë të marrin pjesë në kremtimin e 25 gushtit. “Mund të them – pohon imzot Barwa – se feja e njerëzve, këtu në Orisa, është shtuar, është pasuruar me vetëdijen se duhet të mbështesin njëri-tjetrin, të jenë më të bashkuar. Është rritur numri i thirrjeve për meshtari e për jetën rregulltare e kjo është mrekulli. Falenderojmë Zotin që feja e të krishterëve është e fortë”.

17 gusht 2018, 14:52