Kërko

Imzot Giovanni Peragine - administrator apostolik i Shqipërisë së Jugut - në Liban Imzot Giovanni Peragine - administrator apostolik i Shqipërisë së Jugut - në Liban 

Imzot Peragine në mision, pranë refugjatëve sirianë në Liban

Administratori apostolik i Shqipërisë së Jugut, imzot Giovanni Peragine, ndodhet në një kamp fëmijësh refugjatë sirianë në Liban. Ka 1,4 milion fëmijë sirianë, në moshën shkollore, që jetojnë si refugjatë në vendet fqinjë. Vetëm Libani i ka integruar në sistemin e tij shkollor, 150 mijë fëmijët, që janë strehuar në vendin e cedrave.

R.SH. - Vatikan

Që nga data 1 deri më 12 gusht, administratori apostolik i Shqipërisë së Jugut, imzot Giovanni Peragine, ndodhet në një kamp refugjatësh sirianë në Liban. Zv.kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, emëruar nga Papa Françesku më 15 qershor 2017, së bashku me ipeshkvin e Sapës, imzot Simon Kullin dhe me ipeshkvin e Rrëshenit, imzot Gjergj Metën, po qëndron në Kefraiya, me një grup të organizuar nga murgeshat marçeline të Sarandës. Veprimtaria e tij e parë ka qenë njohja me fëmijët, për të cilët kujdesen murgeshat, por edhe takimi me ipeshkvin maronit të zonës.

Gjendja e fëmijëve refugjatë në Liban

         Rreth 1,4 milion fëmijë sirianë, në moshën shkollore, jetojnë si refugjatë në vendet fqinjë. Vetëm Libani i ka integruar në sistemin e tij shkollor, 150 mijë fëmijët, që kanë ikur nga lufta në Siri, bashkë me familjet e tyre e janë strehuar në vendin e cedrave. Po kaq janë edhe fëmijët libanezë, që frekuentojnë shkollën, prandaj Libanit i është dashur të përballojë probleme të jashtëzakonshme, pasi popullsia shkollore i është dyfishuar në kohë të shkurtër.

Përvoja pozitive libaneze

         Shkollat kanë krijuar një sistem me dy turne, që parashikon një punë më intensive për mësuesit, të cilët e kanë shtuar numrin e orëve të tyre, pikërisht për t’u marrë me fëmijët refugjatë. Sirianët kanë pësuar edhe trauma të mëdha nga lufta, pasi kanë parë gjëra, që asnjë fëmijë s’duhet t’i shohë, prandaj, shteti libanez ka parashikuar një mbështetje të veçantë edukative.

Impenjimi i Kishës dhe i organizatave humanitare

         Pavarësisht nga kjo, mungojnë strukturat për fëmijët në moshë parashkollore e sidomos mjedise, ku fëmijët mund të luajnë, të këndojnë, të vizatojnë, të lidhin miqësi me njëri-tjetrin. Në këtë fushë punon Kisha Katolike dhe organizata të tjera humanitare. Lumturia në sytë e këtyre fëmijëve dëshmon se puna e Kishës – në rastin tonë e murgeshave marçeline – ka ndikim pozitiv, pavarësisht nga përvoja e tmerrshme, që kanë përjetuar fëmijët, familjet e të cilëve kanë qenë në shënjestër të luftës pa kuptim të xhihadistëve të Isisit.

Photogallery

Imzot Giovanni Peragine në Liban
07 gusht 2018, 09:26