Kërko

 Imzot Giovanni Peragine në Kefraiya të LIbanit Imzot Giovanni Peragine në Kefraiya të LIbanit 

Imzot Peragine, Administrator Apostolik i Shqipërisë së Jugut, në kampin e refugjatëve të fëmijëve sirianë, në Kefraiya.

Përfundoi sot, 12 gusht, misioni i imzot Giovanni Peragine, Administrator Apostolik i Shqipërisë së Jugut, i nisur në fillim të muajit, në Liban.

R. SH. - Vatikan

Imzot Peragine, së bashku me një grup të dioqezës së vet, organizuar nga Motrat Marçeline të Sarandës, vizitoi kampin e fëmijëve sirianë, refugjatë në Kefraiya, ku u takua edhe me ipeshkvin maronit. “Ideja për misionin  në kampin e refugjatëve libanezë - pohon imzot Peragine - lindi ndonjë muaj më parë kur, duke u takuar me motër Danielën, më foli për mbresat e shtegtimit të saj në Liban, verën e kaluar. Në bisedë e sipër vendosëm t’ia propozojmë një grupi të administraturës sonë apostolike këtë përvojë takimi me fëmijët sirianë, refugjatë në një nga kampet e pranishme në vendin e kedrave”.

“Në Liban - vijon imzot Peragine - edhe pse vend i vogël me rreth 4 milionë banorë, strehohen më se 1,5 milionë refugjatë të rregullt e shumë të tjerë klandestinë. E gjithë kjo popullsi, e detyruar të largohet nga trojet e veta për shkak të dhunës e të luftës, që strehohet në kampe të ndryshme, të përhapura nëpër Liban, është në pritje të përhershme për të njohur fatin e vet, që varet nga vendimet politike të ‘padronëve' të kësaj pjese të botës” – kujton akoma Ipeshkvi.

“Pa hyrë në çështje politike - vijon prelati i Shqipërisë Jugore - prania jonë në Liban, në zonën e Kefraiya, në pjesën perëndimore të Bekah, pati për qëllim të jetonim disa çaste jetën e përditshme të shumë njerëzve e, sidmos, të fëmijëve, që mbushnin plot njërin prej këtyre kampeve të refugjatëve. Hymë në kampin e tyre, pamë kushtet, në të cilat jetojnë, dëgjuam, pavarësisht nga vështirësitë e gjuhës, historitë e tyre e, posaçërisht, pamë realitetin e tyre aktual. Shikimet dhe të qeshurat gazmore të fëmijëve, nuk mundën ta fshihnin vuajtjen e së kaluarës së afërt, e as dhimbjen e së ardhmes së paqartë”.

“Si të krishterë, deshëm të jetojmë bashkë një çast të jetës së tyre, duke shijuar mikpritjen reciproke të vëllazërimit njerëzor, që kapërcen çdo pengesë kulturore e fetare” - vijon të tregojë prelati.

Kthehemi në shtëpi të pasuruar nga takimet me shumë njerëz, nga kujtimi i shumë fytyrave, por edhe me bindjen se këta fëmijë, ashtu si të gjithë njerëzit, që jetojnë në këto kushte, kanë të drejtë, falë dinjitetit të tyre njerëzor, për ardhmëri dinjitoze. Përgjegjësi, që na takon të gjithëve” - përfundon imzot Peragine.

12 gusht 2018, 10:59