Kërko

Indigjenët e Amazonës Indigjenët e Amazonës 

Imzot Frigeni: në Amazonë, plane për fitime, duke shkatërruar natyrën

Ipeshkvi i Parintins, në takimin, që përfundon sot në Manaus, në përgatitje të Sinodit panamazonik të tetorit 2019: “Shqetësimi i Papës në ‘Laudato sì’ duhet të bëhet yni: ta duam natyrën, që Zoti e ka krijuar në shërbim të njeriut”.

R.SH. - Vatikan

“Ne, ipeshkvijtë e Amazonës, por edhe të gjithë laikët, që jetojnë këtu, duhet ta kuptojmë se ka projekte të mëdha për shkatërrimin e ambientit, vetëm për të fituar para e, se nuk tregohet vëmendje për  njerëzit e Amazonës e për natyrën, siç denoncon Papa Françesku në enciklikën ‘Laudato sì’”. Kështu pohon ipeshkvi i Parintins, misionar i Pime (Institutit Papnor të Misioneve të Jashtme), imzot Giuliano Frigeni, një ndër 58 ipeshkvijtë brazilianë, protagonistë të Takimit të tretë të Kishës Katolike në Amazonë, që përfundoi sot në Manaus.

“Po trajtojmë të gjitha problemet e Amazonës”

         Temat kryesore të Takimit, organizuar nga Rrjeti kishtar panamazonik Repam dhe nga Komisioni i veçantë për Amazonën i Konferencës Ipeshkvnore Braziliane, ishin çështja ambientale dhe Sinodi kushtuar rajonit të Amazonës, që do të mbahet në tetor 2019 në Vatikan. “Të gjitha takimet, në përgatitje të këtij Sinodi – thotë imzot Frigeni në mikrofonin tonë – janë si dritare, që na bëjnë të shohim problemet e vërteta të Amazonës, të cilat nuk janë vetëm ato të dioqezave tona”.

Zhvillimi nuk duhet të jetë i shpejtë, nëse shkatërron ambientin

         Parintins është një rajon me 64 mijë kilometra katrore, me një popullsi prej 200 mijë banorësh, në të cilën bëjnë pjesë 450 bashkësi e 70 fshatra indigjenësh, që jetojnë përgjatë lumenjve, liqeneve e pyjeve. “Ka një harmoni të thellë ndërmjet jetës sonë të përditshme, punës dhe mënyrës së përdorimit të të mirave materiale ekzistuese, madje, edhe në përdorimin e teknologjive, por me një udhë shumë më të ngadaltë e jo me këtë shpejtësi e me pretendimin arrogant për ta pasuruar Brazilin apo Amazonën me miliarda e miliarda dollarët e prodhuar duke shkatërruar njerëzit dhe pyjet”.

Puna për dokumentin përgatitor të Sinodit

         Gjatë takimit, që u hap më 20 gusht, kardinali Claudio Hummes, kryetar i Repamit dhe i Komisionit të veçantë për Amazonën, së bashku me anëtarët brazilianë të Këshillit parasinodal, paraqitën dhe analizuan dokumentin përgatitor të Sinodit. “Sinodi – sqaron imzot Frigeni – na vë të gjithë për udhë, jo me ëndrrën e kthimit edhe një herë tek lundra për të peshkuar secili peshkun e vet, por me përgjegjësinë për të kuptuar projektet e mëdha, madje madhështore, që ka në Brazil e në nëntë vendet me zona amazonike, në mënyrë që ta bëjmë tonin shqetësimin e Papës: ta duam këtë natyrë, që Zoti e ka krijuar në shërbim të njeriut”.

23 gusht 2018, 15:27