Kërko

Pallati ipeshkvnor, që u dogj në Oradea të Rumanisë Pallati ipeshkvnor, që u dogj në Oradea të Rumanisë 

Imzot Bercea: zjarri në ipeshkvinë e Oradeas, dramë që na bashkon

Shkatërrohet nga zjarri ipeshkvia greko-katolike e Oradeas. Dhimbja e ipeshkvit rumun, në intervistën për Vatican News.

R.SH. - Vatikan

Është fjala për një fatkeqësi të madhe. Me këto fjalë, akoma i tronditur thellë, ipeshkvi rumun Virgil Bercea komenton zjarrin, që më 25 gusht, bëri shkrumb pallatin e ipeshkvisë së Kishës greko-katolike të Oradeas, në Rumani. Flakët e përfshinë ndërtesën, duke filluar nga ora 10 e darkës, për shkaqe, që akoma nuk dihen. Ndërhyrja e zjarrfikësve nuk mundi ta shuajë zjarrin, që e shkrumboi ndërtesën historike, për restaurimin e së cilës po punohej prej kohësh.

Dëme të mëdha për një simbol të qytetit

         Ndërtesa, në stilin barok, ngritur në gjysmën e ‘700-ës nga perandoresha Maria Tereza e Austrisë, ka vlerë të madhe simbolike për bashëksinë greko-katolike të gjithë vendit. Në vitin 1948, me mbylljen e kishave greko-katolike nga regjimi komunist, ajo u konfiskua dhe u shndërrua në Shkollë Arti e pastaj, në Bibliotekën e rajonit Bihor, para se t’i kthehej sërish Kishës në vitin 2005. “Pallati ishte simbol për qytetin”, shton ipeshkvi rumun, duke nënvizuar keqardhjen e gjithë besimtarëve e banorëve të Oradeas. “Është dramë, dramë për Kishën dhe për qytetin. Njerëzit e ndjejnë si diçka, që i prek personalisht”.

Solidaritet dhe ekumenizëm

         Para një fatkeqësie të tillë, që anulon të gjitha përpjekjet, sidomos ekonomike, për të ristrukturuar pallatin, ipeshkvi Virgil Bercea flet jo vetëm për solidaritetin e bashkisë, por edhe për dorën e shtrirë nga përfaqësues të besimeve të tjera të krishtera. “Katolikët, ortodoksët, protestantët, katolikët romakë”, saktëson, “më ndihmuan në mënyrë fantastike. Më mori në telefon dhe patriku ortodoks”. Në fatkeqësi, gjurma të ekumenizmit të jetuar!

28 gusht 2018, 15:06