Kërko

 Shenjtërimi i Maksimilian Kolbes Shenjtërimi i Maksimilian Kolbes 

Fitorja e Shën Maksimilian Kolbes në Auschwitz: “Dha jetën për vëllain”

Më 10 tetor 1982, kur po e shpallte Maksimilian Kolben Shenjt, Papa Gjon Pali II skaliti, me pak fjalë, një portret të paharrueshëm të Fratit të thjeshtë. “E flijoi jetën për dashurinë, duke ngadhënjyer, kështu, mbi gjithë sistemin e përbuzjes dhe të urrejtjes për njeriun”.

R. SH. - Vatikan

Më 10 tetor 1982, kur po e shpallte Maksimilian Kolben Shenjt, Papa Gjon Pali II skaliti, me pak fjalë, një portret të paharrueshëm të Fratit të thjeshtë. “E flijoi jetën për dashurinë, duke ngadhënjyer, kështu, mbi gjithë sistemin e përbuzjes dhe të urrejtjes për njeriun”.

Vdiq, në një situatë sa tragjike, aq optimiste. Duke dhuruar jetën për jetën e duke e mundur, kështu, vetë vdekjen! Një ditë, aty nga fundi i korrikut 1941, në kampin famëkeq të Auschwitz-it - pati kujtuar Papa polak gjatë homelisë - me urdhër të komandantit të kampit, të burgosurit u vunë në radhë. Ndërmjet tyre do të zgjidheshin dhjetë vetë, të cilët do të vdisnin nga uria, për të shpaguar njërin prej tyre, që kishte guxuar të ikte. Kur dhjetë fatzinjtë u shkëputën nga radha njëri-pas-tjetrit, Maksimilian Kolbe, i caktuar në grupin e hebrenjve, sepse meshtar, doli nga radha dhe kërkoi ta zëvendësonte njërin nga të dënuarit. Të vdiste, për një tjetër! Një bashkëvuajtës, prind i përgjëruar për fëmijët e tij, që kishte vetëm një ëndërr: t’i përqafonte përsëri një ditë! Ëndërr, të cilën ia kishte rrëfyer sa e sa herë françeskanit. E rregulltari bëri çka mundej, që ëndrra e të mbërthyerit në pranga, të realizohej. E mbyllën në koliben e urisë ku, pas më se dy javësh pa ngrënë e pa pirë - pati kujtuar Papa Wojtyla në homelinë e Meshës së shenjtërimit - ia morën jetën, në të shuar, me një injeksion vdekjeprurës. E kështu i mbylli sytë në një kamp, si Auschwitz-i, ku gjatë Luftës II Botërore u dënuan me vdekje rreth 4.000.000 njerëz, ndërmjet të cilëve, edhe Shën Tereza e Kryqit, Edith Stein.

E drejta e një babai familjeje për të jetuar

“Atë Maksimilian Kolbe, duke qenë vetë i burgosur në kampin e përqendrimit, pohoi, në vendin e vdekjes, të drejtën e një njeriu të pafajshëm, Franciszek Gajowniczek, një nga të 4 milionët, për të jetuar. Për këtë flijim kaq të lartë - pati theksuar Papa polak në homelinë e Shenjtërimit - Maksimiliani u përgatit duke ndjekur Krishtin që në vitet e para të jetës së tij, në Poloni. Që nga vitet e rinisë, pati ndjerë thellë në shpirt një dashuri të madhe për Krishtin e një dëshirë po aq të madhe  për t’u martirizuar, si Zoti i vet! Ashtu si edhe u martirizua!

Maksimiliani nuk vdiq, dha jetën për vëllain

Ç’ndodhi në bunkerin e urisë, më 14 gusht 1941? - pati pyetur Wojtyla - Maksimiliani nuk vdiq - nënvizoi - por dha jetën për vëllain. Ai u flijua për dashuri. E pikërisht për këtë, vdekja e Maksimilian Kolbes u bë simbol i fitores. Ishte fitore mbi gjithë sistemin e përbuzjes e të urrejtjes kundër njeriut e kundër hyjnores së gjithëpranishme në zemrën e tij, fitore e ngjashme me atë të vetë Zotit tonë, Jezu Krishtit, mbi Kalvar. Maksimiliani nuk ishte, pra, martir i urrejtjes, por i dashurisë, siç do ta quante Papa Pali VI, që e lumnoi më 17 tetor 1971.

14 gusht 2018, 12:37