Kërko

Evropa kremton Edith Stein, grua e dialogut dhe e shpresës

Kanonizuar më 1998 nga Gjon Pali II, Papa Françesku e kujtoi dje Shën Terezën Benedikta e Kryqit për dashurinë dhe ndershmërinë e kërkimit të Zotit: “grua martire e popullit hebraik e të krishterë. Ajo, Pajtore e Evropës, u luttë dhe e ruajttë Evropën nga qielli”.

R.SH. - Vatikan

Më 9 gusht 1942 ndërronte jetë në kampin e përqendrimit nazist të Aushvicit, “si bijë e popullit të vet të martirizuar”, shën Tereza Benedikta e Kryqit, në shekull, Edith Stein. Dje, Papa Françesku e përmendi në audiencën e përgjithshme si “martire të popullit hebraik e të krishterë”. “Hebreje, filozofe, murgeshë e martire” e kthyer në krishterim, nuk e mohoi kurrë se i përkiste popullit hebraik, me të cilin ndau fatin e paracaktuar nga nazistët. “Bijë e shquar e Izraelit e njëkohësisht, bijë e Karmelit”, siç e pati quajtur Gjon Pali II, shën Tereza Benedikta e Kryqit, karmelitane e zbathur, ishte thellësisht e vetëdijshme se “i përkiste Krishtit jo vetëm shpirtërisht, por edhe nga prejardhja”.

Nga ateizmi tek Krishti

         “Kur isha vajzë 14-vjeçare – shkruan ajo vetë – nuk e praktikoja më fenë hebraike e pikë së pari, kur u ktheva tek Zoti, e ndjeva veten hebreje”. Prandaj, për Edith Stein, pagëzimi i mëvonshëm në Krishtin, nuk donte të thoshte t’i prishte lidhjet me popullin hebraik. Ajo, që ia ndryshoi rrjedhën e jetës shenjtes së ardhshme dhe e afroi me Kishën Katolike, është një ngjarje e thjeshtë, njëherësh e zakonshme dhe tronditëse: pa një grua, që pati hyrë në kishë bashkë me strajcën me ushqime. “Mosbesimi im – shkruan Edith Stein – u shkërmoq në njëmijë copëza e Krishti nisi të shndrisë”. Në sigurinë prej graniti të bindjeve të vajzës, Zoti gjeti një të çarë, nga e cila, pashmangshmërisht, hyri rrezja hyjnore.

Misteri i Kryqit

         “Qe e aftë të jepte arsyet e asaj shprese, në të cilën besoi e së cilës, vetëm pas kthimit të vet në krishterim arriti t’i jepte një emër: Krishti” – shpjegon për ne, motër Tiziana Caputo, domenikane eksperte e mendimit të shën Terezës Benedikta e Kryqit. Hyri në misterin e Kryqit, përqafoi vuajtjen, duke i treguar botës se “dashuria e bën të frytshme dhimbjen dhe se dhimbja e thellon dashurinë”, siç pati thënë Papa Gjon Pali II, edhe ai shenjt i ardhshëm, në homelinë e frymëzuar, gjatë meshës së kanonizimit, më 1998.

         “Motër Tereza Benedikta e përshkoi deri në fund udhën e shkollës së Kryqit. Shumë nga bashkëkohësit tanë duan ta heshtojnë Kryqin. Por asgjë s’është më shprehëse se Kryqi i heshtuar”(Gjon Pali II).

Shën Tereza Benedikta e Kryqit dhe gruaja

         “Ia përplasi në sy botës tmerrin e Shoah – vijon motër Caputo – e përmes udhës së saj shpirtërore, propozoi këndvështrimin e gruas, që merrte parasysh gjithë ndërlikimet e veçoritë e jetës së saj në botë, pa e sheshuar në një kopje të thjeshtë, të kundërt me burrin”. Trashëgimia e Edith Stein – përfundon rregulltarja italiane – është pasuri e madhe, me shumë tematika të vyera, që bëhen burim kërkimi, frymëzimi e kundrimi. E duke cituar sërish Papën Gjon Pali II:

         “Fillimisht, ideali i saj ishte liria. Përshkoi udhën e mundimshme të filozofisë me pasion të zjarrtë. Duke e parë këtë periudhë të jetës së saj, si karmelitane, shkroi: ‘Kush kërkon të vërtetën, me vetëdije ose jo, kërkon Zotin’”.

09 gusht 2018, 13:58