Cerca

Vatican News
 “Lotët" e Shën Lorencit “Lotët" e Shën Lorencit 

“E lucean le stelle”: Nata e Shën Lorencit

Sot Kisha katolike kremton festën e Shën Lorencit, që njihet edhe si Festa e shiut të yjeve e vijon të ngjallë emocione e të frymëzojë legjenda e lirika.

 Është një nga mrekullitë natyrore më të pritura e, vit për vit, Nata e Shën Lorencit e përtrin magjinë e kozmosit. Shiu i yjeve, që bie nga qielli vijon  të ngjallë emocione e të frymëzojë legjenda e lirika: thuhet se kush shpreh një dëshirë, duke ndjekur me sy yllin në rënie, do ta shikojë shpejt të realizuar. Prej këndej, mijëra sy ndjekin sonte vallen e yjeve! Natë yjesh, natë dëshirash romantike, edhe pse të kujton një nga torturat më mizore ushtruar mbi martirët e krishterë: pjekjen mbi skarë të Shën Lorencit. Prej këndej shiu meteorik, njihet edhe me emrin “lotët e Shën Lorencit”. Lotë që s’janë tjetër, veçse grimcat e kometës Swift-Tuttle, që shpërbëhen e bien në atmosferën tokësore, duke e mbushur me iskra të arta, që ngjajnë si lotë.

Historia…

Historia, pra, na flet për fundin tragjik të një diakoni, Lorencit. Lorenci, Shenjti i shiut të yjeve, lindi në Osca (Huesca), qytet në Spanjë, aty nga gjysma e shekullit III. I ardhur në Romë, qendër e krishterimit, u shqua për dashurinë ndaj të varfërve, jetimëve, vejushave. Falë këtyre virtyteve, Papa Siksi II e emëroi Diakon të Kishës dhe e ngarkoi me detyrën e rojtarit të thesarit, të cilin Kisha romake e përdorte për të ndihmuar të varfërit. Prandaj qe një nga njerëzit më të njohur nga bashkësia e parë e të krishterëve romakë. U kap nga ushtarët e Perandorit Valeriani, më 6 gusht të vitit 258, në katakombet e Shën Kalistit, së bashku me Papën Siksti e diakonët e tjerë. Ndërsa Papa e diakonët e tjerë u martirizuan menjëherë, Lorenci u kursye, sepse duhej të dorëzonte thesaret e Kishës më parë, pastaj të martirizohej. Donin thesarin, jo diakonin. Po ai u tregoi me gisht të varfërit e u tha një të vërtetë të madhe, tejet aktuale edhe sot: “Ja, ky është thesari i Kishës”. Prandaj e munduan me mundimin më të zgjatur, më të keqin, sepse më të ngadalshmin: pjekjen në skarë. Me shpresë se më në fund do të fliste. Po ai, në vend që të fliste, qau për verbimin e njerëzve e, sipas gojëdhënës, janë lotët e tij, që vijojnë të bien nga qielli në amshim, natën kur u kthye në Shtëpinë e Atit, duke krijuar atmosferën magjike, ngarkuar me shpresa e ëndrra. Sipas traditës popullore, yjet e 10 gushtit njihen edhe si zjarret e Shën Lorencit, sepse të kujtojnë shkëndijat, që ngriheshin nga zjarri, mbi të cilin qe vendosur skara, ku piqej Martiri.  Prej nga ai, shakaxhi i madh, u pati thënë persekutuesve të tij: “Më ktheni nga ana e majtë, se nga e djathta u poqa”. Për të mbetur, kështu, Pajtor i njerëzve, që kanë të bëjnë me zjarrin, si kuzhinerët e zjarrfikësit.  

Legjenda

E që aso kohe, gjithnjë sipas gojëdhënës, Lorenci qan sa herë shikon tokën e lotët e tij bien nga lart në trajtën e yjeve të arta, që këputen nga kupa blu e qiellit të gushtit.

Legjenda i quan meteorët e 10 gushtit “Lotët e Shën Lorencit”, duke kujtuar fundin e martirit. E tregon se Lorenci, kur i erdhi fundi, i fali fajtorët e mbeti me sy të hapur fort, që shprehnin atë dhimbje, të cilën zëri tashmë nuk mund ta shprehte. Sy pa lot, të tharë nga zjarri. Prandaj qan vit për vit  me lot yjesh, natën kur bota vijon ta kujtojë!

Shenjti në poezi

Lotët e Shën Lorencit na kujtojnë, ndërmjet tjerash, poezinë e poetit të famshëm italian Giovanni Pascoli, titulluar “10 gushti”. Për poetin yjet që bien nga qielli, janë lotët e Shën Lorencit, që dëshpërohet kur shikon, nga lart, se në botë vijon të sundojë e keqja.

Shkruan Pascoli, në fund të poezisë së tij pesimiste:

“E ti, o Qiell,  prej lartësive të botëve paqtore

(sepse s’e njohin të keqen e as dhimbjen,

larg prej mjerimesh njerëzore)

e resh këtë atom të errët, në hapësirën pa fund,

ku e Keqja sundon gjithnjë e  gjithkund!”.

Për të rinjtë

Për të rinjtë është nata romantike e dëshirave, çasti magjik i kalimit të meteorëve, që mund ta bëjnë realitet ëndrrën e atij çasti.

Për astronomët

Lotët e Shën Lorencit këto iskra të ndritshme që bien mbi tokën tonë, për astronomët janë meteorë, që duket se vijnë nga konstelacioni i Perseut.

Janë si janë, janë pamja më e pritur e gjithë verës, që i shtyn njerëzit të bisedojnë me yjet e t’u tregojnë dëshirat më të fshehta, që nuk ia tregojnë askujt, veç qiellit!

Mbi gjurmët e Shenjtit

Mbi gjurmët, që la Shenjti në Romë, u ngritën tri Kisha: “Shën Lorenci in Fonte (vendi i burgosjes), Shën Lorenci në Panisperna(vend i martirizimit) e Shën Lorenci në Verano (vend i varrosjes).

E që asokohe, sa herë vjen 10 gushti, bota e përkujton në këto, e kisha të tjera që i kushtohen kudo, edhe në Shqipëri e Kosovë. Por sidomos, e kujton qielli, duke reshur mbi tokë lotët e artë....Vit për vit...

10 gusht 2018, 13:51