Leximi i librit Leximi i librit 

Dom Ndre Mjeda, në përvjetorin e vdekjes

Përkujtojmë dom Ndre Mjedën, në përvjetorin e vdekjes, si sot, më 1 gusht 1937

Poeti Ndre Mjeda cilësohet si "mjeshtër i fjalës poetike" dhe "poet me një konceptim poetik të mirëfilltë, që solli risi në vargun e poezisë shqipe".


Lindi në Shkodër në një familje të varfër, të ardhur nga fshati Mjedë. Mësimet e para i ndoqi në Shkodër dhe më pas vazhdoi studimet e mesme dhe të larta teologjike në disa vende të Evropës. Kur u kthye në Atdhe, Ndre Mjeda u emërua famullitar në disa fshatra dhe u lidh me lëvizjen patriotike. Në vitin 1901, bashkë me të vëllain, themeloi shoqërinë "Agimi", e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. 


Për veprimtari patriotike autoritetet osmane e arrestuan. Në vitin 1908, në Kongresin e Manastirit, u zgjodh anëtar i komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes. Në periudhën e Lëvizjes Demokratike Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratik u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Në vitet e fundit të jetës ishte mësues i gjuhës shqipe në Shkodër, ku dhe ndërroi jetë në gusht të vitit 1937.

Veprimtarinë poetike Ndre Mjeda e nisi që herët. Poema romantike e njohur "Vaji i bylbylit" u shkrua më 1887; në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi. Vepra përmbyllet me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihej për të fituar lirinë. Që nga kjo kohë e deri më 1917, kur pa dritën e botimit "Juvenilja", Ndre Mjeda shkroi, por nuk botoi gati asgjë. Të kësaj kohe janë poema tjetër romantike "I tretuni", në të cilën është derdhur malli për atdheun, për njerëzit dhe natyrën e vendit, vjersha "Shtegtari", "Malli për atdhe", "Gjuha shqype", "Bashkonju" etj. Ndre Mjeda hartoi edhe vepra poetike si "Liria", ku gjeti pasqyrim demokratizimi, që, bashkë me patriotizmin, përbën anën më të fortë të botëkuptimit dhe të krijimtarisë së tij.
Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndre Mjedës, e cila nisi pas Luftës së Parë Botërore, i përkasin poemat "Scodra" dhe "Lissus", ku përmes historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme e popullit tonë dhe sidomos periudha e ilirëve. Në prodhimin poetik të Ndre Mjedës zënë vend edhe vjershat për fëmijë, disa shqipërime të goditura etj, ku tregoi mjeshtëri të rrallë poetike.

Ndre Mjeda dha ndihmën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua edhe në gramatikë, leksikologji, filologji, duke dhënë ndihmesë të shquar në lëvrimin e gjuhës letrare. Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit dhe të P. Budit, shkroi për dialektin shqiptar të Istries dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV.

01 gusht 2018, 16:40