Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Të Ngjiturit e Zojës në Qiell Të Ngjiturit e Zojës në Qiell 

Devocioni dhe kulti marian, në prag të të Ngjiturit të Zojës në Qiell

Kishat ortodokse dhe Kisha katolike vijojnë të përgatiten shpirtërisht për festën të Ngjiturit të Zojës në Qiell, kulm i të gjitha festave të verës, në pritje të 15 gushtit. Ndërkaq vijon me lutje e agjërim, pesëmbëdhjetëditëshi i përgatitjes për Solemnitetin.

R. SH. - Vatikan

Kairo: Të krishterët koptë ortodoksë në mbarë botën po e jetojnë me devocion të thellë pesëmbëdhjetëditëshin e “agjërimit të Virgjërës Mari”- duke u lutur sipas ndjeteve të Patrikut të tyre, Tawadros II edhe për manastiret e Egjiptit, në çastet e vështira që po kalon e gjithë bashkësia murgare, pas vdekjes së ipeshkvit-abat Epiphanios, vrarë në manastirin e Shën Makarios, mëngjesin e 29 korrikut. Koha e lutjes dhe e agjërimit do të përfundojë më 22 gusht, datë në të cilën Kisha kopto-ortodokse kremton “Të Ngjiturit e Marisë në qiell”, ndërsa disa Kisha të tjera ortodokse si dhe Kisha katolike e kremtojnë këtë festë, kulm i të gjitha festave të verës, më 15 gusht e tani po vijojnë pikërisht pesëmbëdhjetëditëshin e përgatitjes për Solemnitetin.

Adis Abeba: Edhe Etiopia përgatitet për festën e Përgjumjes së Zojës së Bekuar. Patriku Mathias I dhe Sinodi i Kishës ortodokse Tewahedo, në Etiopi, vijojnë 16 ditët e agjërimit  e të lutjes, që i paraprijnë solemnitetit liturgjik të Përgjumjes së Shën Marisë, Nënë e Zotit, festë, të cilën edhe Etiopia e kremton më 15 gusht. Lypin dhuratën e paqes e të pajtimit etiopët, nga Zoja e Ngjitur në Qiell, pas dhunës me karakter etnik të ditëve të kaluara, që shkaktuan 30 viktima. Pikërisht Kisha ortodokse etiope e pagoi më shtrenjtë spiralen e dhunës: sipas njoftimeve të mediave vendase, më se shtatë kisha ortodokse u sulmuan dhe u dogjën e, në valën e dhunës me karakter etnik, humbën jetën edhe gjashtë meshtarë e besimtarë.

Irak, Karamles: Qindra të krishterë irakianë morën pjesë, mbrëmjen e 6 gushtit, në një procesion, që përshkoi rrugët e Karameles, qytezë e Rrafshit të Ninives, e banuar nga të krishterët. Në prag të festës së madhe të të Ngjiturit të Zojës në Qiell, deshën të kujtojnë ngjarjet që, natën ndërmjet  6 e 7 gushtit, i detyruan me dhjetra mijëra të krishterë të largohen nga qyteti dhe fshtatrat e Rrafshit të Ninives, të ndjekur nga milicët xhihadistë të Shtetit të vetëshpallur Islamik(Daesh). E sidomos, rikthimin!

10 gusht 2018, 13:52