Kërko

Bibla më e madhe në botë (Graceland Festival) Bibla më e madhe në botë (Graceland Festival) 

Ҫelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Nahumit profet

Për Nahumin profet – emër që do të thotë “ngushëllim” – dimë vetëm se ishte nga Elkos, një vend krejt i panjohur, por që mund të identifikohet me Elqush-in, pranë Mosulit, jo larg nga Ninive, ku, sipas një tradite të vonë judaike, ndodhet varri i profetit. Pikërisht për të do të flasim në emisionin e sotëm, duke u bazuar në librin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Dimë me siguri se Nahumi profet jetoi rreth gjysmës së shekullit VII para Krishtit, kur Ninive ishte akoma qytet i lulëzuar, por tepër afër kapitullimit të tij përfundimtar. Vërtet, libri biblik përmban një parashikim të vetëm, dashakeq, për kryeqytetin e urryer të perandorisë asire. Nahumi profet duhet lexuar së bashku me Librin e Jonës, pasi nuk duhet harruar se Bibla është dialog me shumë zëra, të cilat, nganjëherë, i bien ndesh njëri-tjetrit, në udhën e vështirë të kërkimit të të vërtetave, akoma të pakuptuara mirë.

Profecia e Nahumit kundër Ninives

Ekspertët thonë se profecia e shkurtër e Nahumit bën pjesë në faqet më të bukura të letërsisë për nga oratoria poetike dhe gdhendja e fjalëve. Stili jashtëzakonisht i gjallë dhe gjuha e pastër e bëjnë atë një nga leximet letrare më të bukura të poezisë hebraike. Natyrisht, për ata që dinë hebraishten!

Ndërkaq, përmbajtja shpirtërore e Librit të Nahumit është mjaft e thjeshtë, pasi profeti sillet më tepër si poet patriot se sa si rapsod me përshpirtëri të thellë. Ai kënaqet me katastrofën e afërt, që do ta zhdukë qytetin armik, të cilin e sheh, ndoshta, nga pllaja e Mosulit, nga ku duken muret e Ninives. “Fortesat e tua janë si fiku i ngarkuar me fiq të pjekur: posa të shkundet në gojë i bien atij që i ha!” (Nah 3,12), shkruhet në Libër.

Zoti hakmarrës i Nahumit profet

Zemërimi për armikun, Asirinë, pret ndërhyrjen e Zotit, të cilin Nahumi e vesh me petkat e hakmarrësit:

“Hyj ziliqar e hakmarrës është Zoti! Hakmarrës është Zoti e plot zemërim! Hakmarrës është Zoti kundër armiqve të vet, dhe ruan zemërimin për kundërshtarët e vet. Zoti është i durueshëm e i madhërueshëm në fuqi, s’ka fajtor që e lë të pandëshkuar!” (Nah 1,2-3).

Furia e Zotit mbi Niniven

Në tekst përshkruhet, më pas, shkatërrimi, që vjen nga dora e Zotit, në një mënyrë, që s’ka shoqe në Bibël. Pasi paralajmëron furinë hyjnore mbi Niniven, në kapitullin e dytë, Nahumi profet admiron rënien e qytetit e nuk i kursen fjalët plot helm. Ninive quhet me përbuzje “bukuroshe, liqen i trazuar, strofull luanësh, qytet gjakatar, prostitutë, magjistare e bukur, mjeshtre e magjepsjes dhe e tregtarëve”. Me detaje më të imta, profeti paralajmëron veprën e tmerrshme të Zotit të vet:

“Merrni argjend! Rrëmbeni ar! Fund nuk ka kamja e saj, thesari me gjë të paçmueshme! Shpërndarje, shkretim, shkatërrim; pëlcet zemra, gjunjtë lëshojnë, s’mbetet ijë për pa u dridhë, të gjithëve faqet u ndërrojnë ngjyrë!” (Nah 2,10-11).

Reflektimi mbi dhunën

Ëndërra për hakmarrje ia shqetëson gjumin profetit e për ta kuptuar, duhet të mendojmë për britmën e të shtypurve nga arroganca e dhunës. Vetëm kështu mund të kuptohet libri më zemërak i Biblës. Në vitin 609 para Krishtit, Ninive u shkatërrua vërtet. Ndodhi ashtu si kishte parashikuar Nahumi profet, pasi trupat babiloneze e fshinë me gjithsej ushtrinë e qytetin, që kishte terrorizuar botën. Libri biblik s’bën tjetër, veçse e çon lexuesin drejt reflektimit të pashmangshëm mbi dhunën e luftën, shoqëruese të pandashme të njerëzimit.

Është përvojë njerëzore e trishtuar dhe e hidhur të kuptosh se nuk ka ekzistuar botë pa luftë, pa krime, pa spirale dhune e hakmarrjeje. Njerëzit e popujt e çdo epoke duhet të luftojnë gjithnjë kundër fantazmës së dhunës e të luftës. Bibla, edhe përmes Librit të Nahumit profet, na zhyt në këtë rreth dantesk, për të parë, ashtu siç thotë edhe poeti i madh italian, “të gjaktën brrakë e valë” ku “brendë rrijnë tue u zi, ata që duert e veta kanë përgjakë”. E, duke e përshkruar me fjalë, na bën ta përfytyrojmë mirë, na kërcënon, na paralajmëron, në mënyrë që askush të mos shkojë andej pari… por, fatkeqësisht, më kot. Bota shkon se shkon drejt atij bregu të dhunshëm, drejt asaj "të gjakte brrakë".

23 gusht 2018, 15:28