Bibla Bibla 

Ҫelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Mikesë profet

Mikea profet, për të cilin do t’ju flasim sot, është i pari ndër të ashtuquajturit “profetët e vegjël”. Pra, si të gjithë profetët, që bëjnë pjesë në këtë grup, duket sikur nuk e ka forcën letrare dhe teologjike të profetëve, që i paraprijnë. Ashtu duket… Si gjithnjë, bazohemi në vëllimin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Për Mikenë dimë pak. Është lindur në fshatin Moreset të Judesë, në jugperëndim të Jeruzalemit, në shekullin VIII para Krishtit. Emri i tij do të thotë: “Kush është Zoti?”. Libri biblik i Mikesë hapet me një britmë, me një thirrje për gjithë popujt e tokës, për t’u treguar se Zoti del nga tempulli dhe ecën në mes të tokës. Imazh i ri ky, tejet e fuqishëm:

“Dëgjoni, popuj, të gjithë! Të dëgjojë toka me gjithçka është në të! Le të dëshmojë Zoti Hyj kundër jush, Zoti nga Tempulli i tij i shenjtë! Sepse, ja, Zoti po del nga vendi i vet i shenjtë: Ai po zbret e po i shkel majat e tokës!” (Mk 1,2-3).

Vjet para se lavdia e Zotit ta linte tempullin, siç shkruan Ezekieli, Mikea e sheh Hyjin të shëtisë nëpër malet e Izraelit e të denoncojë idhujtarinë e tij. Në vegimin e Mikesë, Zoti djeg e shkatërron të gjitha idhujt. Profeti e thërret dëshmitar, sepse populli nuk e beson e, atëherë, vetë jeta e Mikesë bëhet shenjë e fjalës, që kumton: “Për këtë do të qaj e do të ulërij, do të eci zbathur e zhveshur” (Mk 1,8).

Të pushtetshmit janë të pangopur, shtypin e vjedhin, e Mikea nuk ka frikë të thotë të vërtetën. Prandaj, bëhet zëri i atyre, që s’kanë zë, por edhe i atyre, që s’kanë frikë të sfidojnë pushtetin:

“Ju e urreni të mirën dhe e doni të keqen! Ju njerëzve ua rrjepni me dhunë lëkurën e prej eshtrave ua shpulponi mishin! Ia hanë mishin popullit tim, lëkurën ia rrjepin, eshtrat ia copëtojnë, siç pritet mishi që piqet në tavë, porsi mishi që zihet në vegsh!”(Mk 3,2-3).

Mikea është profet i fuqishëm, që flet për proces e grindje, për dënim e shkatërrim, duke vënë në shënjestër krerët e popullit e profetët e rremë, kundër të cilëve përdor fjalë plot helm:

“Kështu thotë Zoti kundër profetëve që e ngashnjejnë popullin tim, që parakallëzojnë paqen nëse kanë çka të bluajnë me dhëmbë, e, nëse ndokush nuk ua mbush gojën, ata kundër tyre shpallin luftë!” (Mk 3,5).

Kjo frazë është ndoshta ndër më efikaset nga ato, që profetët ua kanë përplasur në fytyrë hipokritëve. I jashtëzakonshëm, është edhe dënimi, që premton Mikea:

“Këndej, në vend të vegimit natë do të keni, terr do të keni në vend të zbulimit; mbi profetë do të perëndojë dielli, dita errësirë do t’u bëhet” (Mk 3,6).

Në kapitullin IV, teksti përkon me vegimin e famshëm të Isaisë profet, në të cilin të gjitha kombet shkojnë në malin Sion. Ai përmban një profeci për paqen, ndër më të bukurat e Biblës:

“E do të ndodhë në kohë ‑ që do të vijnë… Shpatat e veta do t’i kthejnë në palla, në drapërinj heshtat e veta. Një popull kundër tjetrit shpatën s’do ta nxjerrë, s’do ta mësojnë më mjeshtrinë e luftimit!”(Mk 4,1.3).

E për këtë, në kapitullin e mëpasëm, profeti na përvijon një mundësi, paralajmëron lindjen e Mesisë në një fshat të vogël të Judesë, të cilin, tashmë, e njohim mirë: Betlehemin. Kjo është profecia, që shën Mateu do ta përmendë në Ungjillin e tij:

“E ti, o Betlehem ‑ Efratë, i vogël ndër qytetet princërore të Judës, prej teje do të më dalë ai që do ta sundojë Izraelin” (Mk 5,1).

Në kapitullin e gjashtë rifillon procesi kundër popullit e të gjithë atyre, që mendojnë se mund ta marrin hirin hyjnor përmes kotësisë së kulteve e të flijimeve. Mikea imagjinon pyetjet e hipokritit para Zotit:

“Çka kam të denjë t’i kushtoj Zotit kur bie në gjunj para të Tejetlartit Hyj? T’i kushtoj, vallë, fli shkrumbimi ose viça që e mbushën vitin? A thua Zotit do t’i pëlqejnë mijëra deshë e përrenj vaji me miliarda? T’i kushtoj, thua, të parëlindurin si shpërblim për fajin tim, frytin e kraharorit tim për mëkat që bëra?” (Mk 6,6-7).

 Janë pyetje, që tregojnë për zakonin e keq të blerjes së hirit hyjnor, a thua se Zoti ha desh e pi vaj. Profeti kujton cili është kulti, që i pëlqen Hyjit. Fjalët e tij tingëllojnë si epitaf mbi varret e atyre, që do të donin t’i mbulonin me fli nëpër tempuj e kisha, të këqiat që kanë bërë gjatë gjithë jetës:

“T’është dëftuar ç’është e mirë, o njeri, e çka Zoti kërkon prej teje: s’kërkon tjetër pos të zbatosh drejtësinë, të duash mirësinë, të jetosh kujdesshëm me Hyjin tënd!”(Mk 6,8).

Mikenë e gjejmë me këto fjalë edhe në Ungjill, në episodin e Jezusit në tempull, që përzë tregtarët nga shtëpia e Hyjit, por edhe në lumnitë, ku tregohet si e do Hyji njeriun. E duhet të falenderojmë Zotin, që është i mirë, pasi, pikërisht sepse e ka kuptuar këtë, Mikea përfundon me një himn për mëshirën hyjnore:

“Cili Hyj është porsi ti që shlyen fajin, që fal mëkatin Tepricës së trashëgimit tënd, që hidhërim s’mban përgjithmonë, pse kënaqet kur mund të përdëllejë?! Do të kthehet, do të na përdëllejë, fajësitë tona do t’i shkelë, do t’i flakë në fund të detit të gjitha mëkatet tona” (Mk 7,18-19).

 Nuk janë fjalë të një profeti “të vogël”. Libri i Mikesë, nëse lexohet me kujdes, të shpërblen me forcën dhe lirinë, që rrezaton.

16 gusht 2018, 08:51