Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Jona villet nga peshku Jona villet nga peshku 

Ҫelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Jonës profet

Do t’ju flasim sot për Librin e Jonës profet, katër kapituj, që ndikuan fort mbi Jezusin, i cili, kur foli për vdekjen e ringjalljen e vet,e bëri këtë duke iu referuar tri ditëve të Jonës në barkun e peshkut. Bazohemi, edhe kësaj radhe, në vëllimin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Jona profet, vërtet, hidhet në det e një peshk i madh e gëlltit për ta vjellë pas tri ditësh. Paraqitja e kësaj ngjarjeje, në pikturë e skulpturë, s’ka mbarim e kjo, në një farë mase, e ka përcaktuar edhe fatin e Librit. Hebrenjtë e lexojnë të tërin në ditën e Yom Kippur-it; në liturgjinë greko-ortodokse lexohet të Shtunën e Madhe të Pashkëve; ndërsa, në ritin ambrozian të Milanos e rrethinave, teksti hap Treditëshin e Pashkëve.

Jona përmendet edhe në Kuran

Jona është i vetmi profet i Besëlidhjes së Vjetër, që përmendet edhe në Kuran, me emrin Jonuz(Yunus), që në arabisht do të thotë “Ai i peshkut”. Muhameti e përmend ndër apostujt e Zotit dhe figura e tij pranë ricinit apo urthit (që në Kuran shndërrohet në bimën e kungullit) pasqyrohet në shumë vepra artistike të Lindjes së Mesme.

Në vështrim të parë, libri duket një histori ironike dhe simpatike, që s’ka të bëjë aspak me solemnitetin e Shkrimeve të Shenjta. Në të vërtetë, ndokush mund të buzëqeshë me ironi, kur mendon për njeriun brenda peshkut e për tregimin përrallor mbi të. “A ka ekzistuar Jona?”, mund të pyesë ndokush. Ndoshta jo, por sigurisht dikush e ka shkruar këtë histori, duke e përdorur si simbol. Është më se e qartë se argumenti qendror i Librit është qëndrimi i Izraelit ndaj kombeve armike. Ai ka shumë mundësi të jetë shkruar gjatë periudhës së reformës së Esdrës e shi për këtë, është tekst revolucionar. Esdra përdori grushtin e hekurt për rindërtimin e Izraelit e Libri i Jonës lindi, ndoshta, pikërisht prej atyre, që nuk e pranuan mënyrën e tij të veprimit, pavarësisht se kishin të njëjtin objektiv me të.

Jona nuk dëshiron të niset për Ninive

         Libri i Jonës është shembëlltyrë për të gjithë ata, që do të dëshironin një Zot më pak të mëshirshëm e më hakmarrës, që e tregon gjithë pushtetin e vet… natyrisht, me të tjerët. Historia lexohet me një frymë. Zoti e thërret Jonën dhe e çon në Ninive, kryeqytet i Asirisë, e cila pati shkatërruar Mbretërinë e Veriut në vitin 721. Jona duhet t’u kërkojë banorëve të kthehen në rrugë të drejtë, që Hyji të ketë mëshirë për ta. Por profeti nuk është dakord me Perëndinë dhe merr një anije për Spanjë, për Tarsis. Zoti i çon një stuhi të furishme e të gjithë marinarët luten, përveç Jonës, i cili…fle! Në parantezë: marinarët lusnin secili Zotin e vet, prandaj, ky çast shënon lutjen e parë “ekumenike” të historisë.

Jona gëlltitet nga peshku, por Zoti nuk e braktis

         Kur e zgjojnë, Jona kupton e, u kërkon marinarëve ta hedhin në det, ku një peshk i madh e gëlltit. Aty, në thellësitë më të errëta, më në fund, profeti i lutet Hyjit dhe i kërkon ndihmë. Kështu, peshku e vjell në një bregdet. Zoti e nis për herë të dytë në Ninive e… mrekulli e mrekullive, vetëm pas një ditë predikimi, i gjithë qyteti agjëron, që nga mbreti tek kafshët shtëpiake. Misioni përfundon me sukses, por këtu mbërrin e papritura. Jona zemërohet e zhgënjehet që gjithçka shkoi mirë e kështu, armiqtë më të mëdhenj të hebrenjve do të faleshin. Më mirë të vdesë, se të shohë një “mizori” të tillë. Atëherë Zoti “tallet” me të. Bën të rritet një pemë ricini, urth, që e mbron Jonën nga vapa, por pastaj, çon një krimb për ta brejtur e për ta tharë. Jonën e kap paniku, dëshiron të vdesë e thotë: “Më mirë është për mua të vdes se të rroj!”(Jn 4,8). Atëherë Zoti i bën profetit pyetjen me të cilën mbyllet Libri:

“Ty po të dhimbset urthi rreth të cilit nuk u mundove aspak as nuk bëre asgjë që të rritet, i cili për një natë mbiu e për një natë u tha: e unë të mos e fal Ninivën, qytetin e madh, në të cilin janë më se njëqind e njëzet mijë njerëz, të cilët nuk dinë ta dallojnë të djathtën nga e majta e vet, dhe një numër i madh kafshësh?” (Jn 4,10-11).

Libri i Jonës, kritikë radikale për teologjinë “nacionaliste”

Shembëlltyra, në dukje e thjeshtë e fëminore, që përfundon me këtë pyetje, është aty, gjithnjë gati për të dënuar ata, të cilët, në shekuj, shpresojnë që Zoti të jetë gjithnjë nga ana e tyre, për të luftuar e për të dënuar kundërshtarët. Një Zot i njëanshëm, gjithnjë me më të fortin, që dënon gjithmonë të tjerët. Të shkretët!

Libri i Jonës është kritikë radikale për teologjinë “nacionaliste” të epokës së vet, kur Izraeli po rindërtonte mbretërinë, por donte ta bënte këtë duke i dëbuar të huajt. Por është kritikë, që vlen edhe sot, për të gjithë ata, që duan një Zot në shërbim të tyre, një lloj roje për fenë e tyre, intolerant ndaj feve të tjera. Ndërsa Hyji i Librit të Jonës kërkon vetëm që njerëzit të mos bëjnë më të këqia. Sa modern është ky mesazh!

A do të niseshim për t'i kthyer xhihadistët e Isisit?

Ah, edhe një gjë të fundit! Zoti i Jonës është i mirë, por jo budalla. Ninive pati bërë keq, prandaj nuk u kursye, por u shkatërrua vërtet nga dora e medëve dhe e babilonezëve. Në kohën tonë, Isis shkatërroi Niniven, por edhe këtij të ashtuquajturi Shtet Islamik po i vjen fundi, si çdo mbretërie keqbërëse. E në qoftë se Zoti do t’i kërkonte sot, ndonjërit prej nesh të shkonte për të kthyer në udhë të drejtë xhihadistët e Isisit, a do të nisej për në Pllajën e Ninives, apo do të merrte anijen për Tarsis, në Spanjë? Duke reflektuar për përgjigjen, mund ta kuptojmë Jonën profet.

09 gusht 2018, 09:00