Kërko

Bibla Bibla 

Ҫelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Habakukut profet

Pse ekziston e keqja? Pse ka kaq shumë vuajtje, sidomos, pse ka kaq shumë ligësi, nëse është Zoti ai, që e ka krijuar këtë botë? Në Bibël, i pari që fillon t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve është Habakuku profet. Pikërisht për të do të flasim në emisionin e sotëm, duke u bazuar në librin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Asirët sapo ishin mposhtur nga superfuqia e re babiloneze dhe profeti e dëshmon këtë fazë të vështirë për popullin e Izraelit, i cili nuk pati kohë as të festojë rënien e Ninives gjakatare, pasi iu desh të merrej me diçka edhe më të tmerrshme. Mbreti i madh Nabukodonosor, në vitin 597 para Krishtit, pushton e nënshtron Jezuralemin e dhjetë vjet më vonë e shkatërron atë.

Habakuku nuk është i pari zë profetik, që jep dëshmi për këtë fatkeqësi, por e bën në mënyrë të re. “Deri kur do të thërras në ndihmë, o Zot, e ti nuk do të dëgjosh? “Dhunë”! ‑ do të klith kah ti, e ti nuk do të më shpëtosh? Pse ma qet para ta shikoj prapësinë e ti vetëm e kundron mbrapshtinë?”(Hab 1,2-3).

Zoti nuk dëgjon, është spektator i thjeshtë, që nuk ndihmon, që mbetet në heshtje para dhunës nën kupën e qiellit. Pyetja e profetit është e fuqishme e ja, përgjigjja e parë e Hyjit: “Në këmbë po bëj të çohen kaldenjtë, popull idhnak edhe i prapë, që e përshkon anë e kënd vendin për të bërë të vetat banesat jo të tijat” (Hab 1,6).

Akuza e parë kundër Zotit

Profeti e kupton se është Zoti ai, që vendos për ndryshimet, por përgjigjja e parë nuk e bind e kështu, ngulmon sërish, pasi nuk mund ta imagjinojë një Hyj, që e dorëzon popullin e Tij në duart e një armiku edhe më gjakatar se i mëparshmi. Vite përpara Librit të Jobit, pikërisht në këtë çast, formulohet akuza e parë e vërtetë kundër Zotit, që hesht, që duket sikur nuk i sheh padrejtësitë, që i trajton njerëzit si krimba, që duket se s’ka mëshirë. Ja fjalët mizore të Habakukut:

“I bëre njerëzit si peshq deti, zvarranikë që zot nuk kanë mbi vete. Të gjithë i gjuan kaldeu me grep, të gjithë i nxjerr jashtë me rrjetë, i bashkon në kariq të vet: për këtë gjë gëzon e galdon! Këndej edhe rrjetës i kushton fli, kariqit të vet kem i djeg, sepse i sjellin kafshatë të majme, ushqim të shijshëm! A për këtë, thua, do të nxjerrë shpatën për të prerë popuj pa pikë mëshire?!” (Hab 1,14-17).

Zoti kërkon fe pa kushte

Ka nga ata, që thonë se të mendosh gjëra të tilla e të kesh dyshime të tilla është mëkat, madje blasfemi. Këta duhet të kujtohen se në Shkrimin Shenjt, edhe vetë profetët, si Habakuku, kanë guxuar ta sfidojnë pushtetin e Hyjit të tyre, por me dëshirën e zjarrtë, që Zoti t’u përgjigjet vajtimeve. E ja, Zoti përgjigjet, por pa dhënë shpjegime, duke e ftuar profetin të mos dyshojë, të besojë, të ketë fe:

“Zoti atëherë m’u përgjigj e më tha: “Shkruaje vegimin, gdhende përmbi rrasëza, që lexuesi ta lexojë rrjedhshëm. Është vegim për kohë të caktuar, kah përmbushja shkon, nuk gënjen; nëse vonon, prite me shpresë, se do të vijë e s’do të vonojë!”(Hab 2,2-3).

Kjo është zbulesa, që përbën thelbin e Librit të Habakukut. Nuk është përgjigjja, që do të priste secili prej nesh, kur e kemi zemrën plot me pyetje e kur, ashtu si profeti, do të donim shpjegime prej Zotit. Nuk na jepen, por Hyji është i qartë, kur kërkon fe të vërtetë: “Sharron ai që i drejtë s’është në shpirt: në sajë të fesë së vet jeton i drejti!”(Hab 2,4).

Pesë nëmat e Habakukut

Deri këtu arrin mendja e profetit, i cili duke mos gjetur shpjegime në qiell, u kushtohet gjërave të kësaj toke e na jep kështu pesë nëma kundër të këqinjve. Duket se në to shfryn zjarrin dhe zemërimin e shpirtit të vet:

“Mjerë kush mbledh çka s’është e tij! Mjerë kush nxjerr fitim të padrejtë! Mjerë kush në gjak ndërton qytetin! Mjerë kush pijen i jep mikut të vet, i qet helm dhe e deh! Mjerë ai që i thotë drurit: “Zgjohu!”, gurit të pagojë: “Çohu nga gjumi!””.

         Është Zoti ai, që do të vendosë drejtësinë, por profeti e paralajmëron këtë larje hesapesh dhe mallkon me një formulë, që Jezusi do ta përdorë më vonë kundër farisenjve. Libri mbyllet me një lutje të mrekullueshme, ndoshta për të na kujtuar se mund të diskutojmë, madje edhe të grindemi me Zotin, por është vetëm lutja, çasti kur e hapim zemrën, që na afron me Hyjin. E Habakuku e hap zemrën:

         “Dëgjova, o Zot ç’thuhet për ty, tmerr, o Zot, më ngjall vepra jote! Përsërite në ditët tona, në ditët tona nxirre në pah! Kur të zemërohesh, mos harro, i mëshirshëm të jesh!” (Hab 3,2).

Shpresa në Zotin

         Habakuku pati frikë, nuk e kuptoi planin hyjnor e i kërkon Zotit t’ia zbulojë atë, t’ia shpjegojë. E vegimi i mëpasëm i Zotit në betejë, që përfshin gjithë natyrën, e cila bëhet shigjeta, harqe, kuaj luftarakë, është gati epik. Këtij Hyji homerik, Habakuku i dorëzon besojmën e tij pa kushte:

“Do të pushoj kur dita e zezë t’i vijë popullit që më pushton! Kurse unë do të gëzoj në Tenzonë, do të gëzoj në Hyjin, Shëlbuesin tim! Zoti Hyj është forca ime, do të m’i bëjë këmbët si të kaprollit e do të më çojë në malet e larta!”

Siç thotë në një film, ku luan rolin e priftit, aktori komik Rowan Atkinson – Mr. Bean për ata që e njohin nga ekrani – “Zoti nuk dëshiron t’i bëjmë shumë pyetje. Një rresht nga Isaia thotë: ‘udhët e mia nuk janë udhët tuaja’. Mendoj se, pak a shumë, kjo do të thotë: ‘Jam tip i mistershëm o njerëz. Mësohuni me këtë’”. Duke lexuar Librin e Habakukut, vërejmë se, ndoshta, Mr. Bean ka të drejtë.

30 gusht 2018, 13:09