Kërko

Në pritje të Gjykimit të Zotit Në pritje të Gjykimit të Zotit 

Ҫelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Abdisë profet

Më i vogli, ndër profetët e vegjël: kështu njihet Abdia profet, për të cilin do të flasim në emisionin e sotëm, duke u bazuar, si gjithnjë, në librin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Libri i Abdisë përbëhet vetëm nga një kapitull, ku përshkruhet vegimi i profetit kundër edomitëve. Edomi apo Idumea ishte një rajon kryesisht malor e i shkretë, në jug të Jeruzalemit. Sipas traditës, banorët e tij, edomitët, ishin “kushërinj” të izraelitëve, pasi, pasardhës të Ezaut, - thirrur edhe Edom - i cili për një pjatë me thjerrëza ia shiti të drejtën e të parëlindurit Jakobit - thirrur edhe Izrael – ati i popullit hebraik. E këtë, edomitët nuk ia kishin falur kurrë Izraelit.

Në Librin e Ligjit të Përtërirë, Zoti u dha urdhër izraelitëve të mos i urrejnë edomitët, sepse ishin vëllezër me ta, por armiqësia u shtua në shekuj, siç e përshkruan në librin e tij, edhe Ezekieli profet. Natyrisht, njohim vetëm variantin izraelit të kësaj historie, që tregon se edomitët i kishin lënë në baltë izraelitët, kur babilonezët shkatërronin Jeruzalemin. Që në fjalët e para, Libri i Abdisë nuk lë shteg për dyshime mbi ndjenjat e izraelitëve për kushërinjtë e tyre edomitë:

“Kështu i thotë Zoti Hyj Edomit. E kemi dëgjuar një lajm prej Zotit dhe një kasnec ka qenë dërguar ndër kombe: ‘Çohuni! Të sulemi kundër tij! Në luftë!’”(Ab 1,1).

Abdia s’ka asnjë dyshim se edomitët janë popull për t’u përbuzur, pikërisht sepse në vend që t’i ndihmonin kushërinjtë e tyre, përfituan nga situata për vete, duke i tradhtuar. E Abdia gjëmon:

“Ti qëndroje përballë atë ditë, kur të huajt rob ushtrinë ia merrnin, kur barbarët ia thyenin dyert, mbi Jerusalem kur hidhnin short, edhe ti ishe si një ndër ta. Mos iu kënaq çmoskurrjes së vëllait tënd, mos iu gëzo ditës së vështirësisë së tij! Mos u kënaq mbi bijtë e Judës ditën e rrënimit të tyre! Mos e hap vesh e më vesh gojën në ditë të ngushticës! Mos ia thyej popullit tim derën ditën e rrënimit të tij, mos ia shiko me kënaqje të keqen, ditën e shkretimit të tij! Mos vër dorë mbi kamje të tij,

ditën e emnesës së tij! As ndër shtigje mos u vër pritë për t’i vrarë ata që ikin! Mos tradhto ata që shp’tuan ditën e ngushticës së tyre!” (Ab 1,11-14).

E pas këtyre akuzave të mnershme, Abdia profet ngre zërin në një dënim edhe më të madh: u tregon edomitëve Ditën e Gjyqit të Zotit. Atë ditë, lavdia e Sionit do të shkëlqejë sërish e banorët e shkrepave, edomitët e fshehur në sigurinë e shtëpive të tyre, do të digjen si kashta. Gjykimi i Zotit bëhet një me hakmarrjen e Izraelit.

Me ç’sy duhet ta lexojmë sot Librin e Adisë profet? Mjafton të mendojmë se është shumë pranë nesh si mendësi, sa herë ndodhemi para një të afërmi, një miku, një kushëriri, i cili largohet prej nesh, pikërisht kur kemi nevojë për të, madje, nganjëherë, edhe përfiton nga situata në të cilën ndodhemi, për shkak të një fatkeqësie, ose të një gabimi. Në ato ditë, thellësisht të zemëruar, përdorim edhe ne fjalë plot mllef e hakmarrje.

Por, historia dëshmon se është gjithnjë më mirë ta ndërpresim spiralen e dhunës e të hakmarrjes. E në rastin e Abdisë shihet mirë se hakmarrja e bijve të Ezaut për lojën, që u punoi Jakobi, u servir si gjellë shumë, shumë e ftohtë, pas vitesh të tëra. Edhe në këtë rast pra, historia tregon se e keqja, që i bën tjetrit, kthehet mbrapsht gjithnjë.

02 gusht 2018, 13:57