Kardinali Puljiç  kremton meshën, në Sarajevë,  me kardinalin Schonborn Kardinali Puljiç kremton meshën, në Sarajevë, me kardinalin Schonborn 

Bosnjë-Hercegovinë. Kard Puljiç: “Evropa të ruajë rrënjët e veta"

Kard Puljiç, duke folur për situatën e vështirë të katolikëve në Bosnjë- Hercegovinë, e fton Evropën t’i ruajë rrënjët e veta të krishtera, nëse nuk dëshiron të ketë frikë nga islamizmi radikal, që po e përdor Ballkanin si portë për të hyrë lirisht në Kontinentin e vjetër.

R. SH. - Vatikan

“Evropa duhet të rizbulojë rrënjët e saj, identitetin e saj të krishterë. Vetëm kështu nuk ka pse trembet nga radikalizmi islamik”. Janë fjalët e kardinalit Vinko Puljiç, kryeipeshkëv i Sarajevës e primat i Kishës së Bosnjës e Hercegovinës, në bisedë me përfaqësuesit e Fondacionit “Ndihmë për Kishën që vuan”, të cilët këto ditë nisën fushatën për mbledhjen e fondeve, me titull: “Nuk ka Evropë, pa Krishtin”. Fushata ka për qëllim të ndihmojë  studentët e seminarit Redemptoris Mater të Vinnitsa, në Ukrainë dhe të zgjerojë qendrën rinore Shën Gjon Pali II, në Sarajevë.

Rreth 10 mijë katolikë emigrojnë çdo vit nga Bosnjë-Hercegovina

Kardinali Puljiç u foli përfaqësuesve të Ndihmë për Kishën që Vuan për situatën e vështirë të vendit ballkanik, nga i cili, sipas statistikave, çdo vit emigrojnë rreth 10 mijë katolikë. “Që nga fundi i luftës, bashkësia jonë e vogël vijon të pakësohet nga viti në vit, për shkak të mungesës së barazisë si në nivelin politik, ashtu edhe në atë juridik. Disa nuk gjejnë punë, të tjerë punojnë, por nuk mund të jetojnë më në një vend, ku nuk gëzojnë të njëjtat të drejta me qytetarët e tjerë”.

Katolikët diksriminohen

Katolikët diskriminohen në të dyja entitetet e krijuara nga marrëveshja e Dayton, më 1995. Në Federatën kroato-myslimane, sepse fe jo islamike e në Republikën serbe të Bosnjë-Hercegovinës, sepse kryesisht me origjinë kroate. Kryeipeshkvi i Sarajevës kujton, kështu, përgjegjësinë e bashkësisë ndërkombëtare, “që nuk u jep katolikëve të njëjtën ndihmë, e cila nuk u mungon grupeve të tjera.

Angazhimi i Kishës vendase për promovimin e tolerancës

Kisha vendase kërkon të favorizojë një atmosferë tolerance përmes nismave të ndryshme, posaçërisht për të rinjtë e Qendrës Shën Gjon Pali II, që mirëpret edhe të rinj të feve të tjera. Por këtë nuk mund ta bëjmë  vetëm, sepse jemi një bashkësi fare e vogël - pohon kardinali - duke falënderuar bamirësit e Ndihmë për Kishën që vuan. Një pengesë tjetër e madhe është islami radikal, gjithnjë më i përhapur në Bosnjë-Hercegovinë.

Kërcënimi i islamit radikal në Bosnjë e Hercegovinë

“Këtu bëhen investime të mëdha nga ana e vendeve arabe, që ndërtojnë xhami e edhe fshatra të tëra, për banorë të rinj, të ardhur nga kombet e tyre. Me myslimanët sllavë kemi marrëdhënie të mira, por me islamikët e radikalizuar, të ardhur nga bota arabe, është e vështirë të dialogojmë. E kjo, kryesisht sepse, posaçërisht në nivelin politik,  nuk duan t’ia dinë fare për ne, si të mos ishim në viset tona. Për islamin radikal, vendi ballkanik është portë, nga e cila mund të hyjnë lirisht në Evropë. E Evropa, e them me keqardhje, “nuk e njeh mirë islamin e as që i shkon në mend ç’do të thotë të jetosh pranë e pranë me radikalizmin islamik”. Për t’iu kundërvënë fenomenit, që tashmë ka marrë dhenë, kardinali Puljiç mendon se duhet rinisur nga rizbulimi i rrënjëve të krishtera. “Sot për sot bota interesohet vetëm për materializmin, duke e harruar përmasën shpirtërore të njeriut. Evropa duhet të mësohet t’i ruajë  rrënjët e veta të krishtera, përndryshe do të vijojë të ketë frikë nga radikalizmi.

03 gusht 2018, 13:24