Shenjtërorja e Mariacelit në Austri Shenjtërorja e Mariacelit në Austri 

Austri: shtegtimi i romëve dhe i sintëve te Zoja e Mariacelit

Sot, në Austri, shtegtimi i 23-të i romëve dhe i sintëve të vendit, por edhe të atyre të Gjermanisë e të Hungarisë, në shenjtëroren e Mariacelit në Stiri.

R.SH. - Vatikan

Mesha u kremtua nga ipeshkvi ndihmës i Vjenës, imzot Franc Scharl, në orën 10.00. Pasoi lutja drejtuar Zojës.

Shenjtërorja e Mariacelit

         Shenjtërorja e Mariacelit është më e rëndësishmja e Austrisë, një nga më të rëndësishmet në Evropë. Kisha, që tashmë ka rangun e bazilikës së vogël, i kushtohet lindjes së Virgjërës Shenjte e përmban shtatoren e drunjtë të Zojës, objekt nderimi që nga shekulli XII.

Rruzarja e shpëtoi Austrinë nga komunizmi

         Shenjtërorja lidhet me ngjarjet dramatike, që ndodhën në Vjenë ndërmjet viteve 1945 e 1955. Ndërsa anglezët donin ta linin Bashkimin Sovjetik vetëm në Lindje, amerikanët i ndalën tanket në Berlin, duke i lejuar Stalinit të përhapej drejt Evropës Qendrore e të pushtonte Austrinë. Vendi u nda në katër zona, sipas modelit të Gjermanisë, por ajo, që iu dha rusëve, ishte më e rëndësishmja e përfshinte edhe kryeqytetin. Ministri i jashtëm, ai Molotov që pati nënshkruar traktatin me Hitlerin, duke i lejuar kështu të niste luftën, deklaroi disa herë se “Moska nuk do të tërhiqej kurrë”. Të gjithë prisnin që, si në Pragë e Budapest, komunistët të organizonin një grusht shteti për të marrë në dorë krejt Austrinë. Edhe kancelaritë perëndimore patën hequr dorë nga çdo shpresë.

Shpresa e françeskanit, atë Petrus

         Por, nuk hoqi dorë një françeskan, atë Petrus, i kthyer nga burgimi në Rusi, ku e kishte provuar mbi kurriz të vet tmerrin e atij regjimi. Shkoi në Mariacel e aty, dëgjoi një zë të brendshëm, që i tha: “Lutuni të gjithë, ditë për ditë, thoni Rruzaren e do të shpëtoni”. Organizator i mirë, përveçse meshtar i vlerësuar, atë Petrus promovoi një “Kryqëzatë kombëtare të Rruzares”, sipas frymës së Fatimës. Miliona austriakë, përfshirë edhe presidentin e Republikës, Leopold Figl, ditë-natë, u mblodhën në sheshe, në qytete e fshatra, duke u lutur me Rruzaren në dorë, mbikqyrur me rreptësi nga Armata e Kuqe.

Maj e tetor: muajt e Zojës

         Vitet kalonin e populli vazhdonte t’i lutej Zojës së Fatimës, që pati kërkuar kthimin e Rusisë. E ja, në vitin 1955, papritmas, Kancelari austriak thirret në Moskë, ku i komunikohet tërheqja e trupave sovjetike. Iu kërkua vetëm neutraliteti i Vjenës, që shpejt e ktheu qytetin në qendër të OKB-së, pas Nju Jorkut dhe Gjenevës. Lajmi i tërheqjes së komunistëve sovjetikë - jo rastësisht për ata, që u lutën 10 vjet më radhë - u dha më 13 maj, përvjetori i dukjeve të Zojës në Fatima. E Shën Maria e plotësoi kuadrin: Armata e Kuqe u tërhoq përfundimisht në tetor, tradicionalisht muaji i Rruzares.

12 gusht 2018, 10:12