Kërko

 Emigrantët në Portin e Katanies Emigrantët në Portin e Katanies 

Anija Diciotti: Shqipëria hap portat. Kisha falënderon qeverinë

Shqipëria u hap portat emigrantëve: strehon 20 refugjatë eritreas. Falënderimi i Kryetarit të Konferencës ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo

R. SH. - Vatikan

Duke u kthyer nga shtegtimi në Irlandë për Takimin IX Botëror të Familjeve, Papa foli për situatën e krijuar në anijen “Diciotti”, që  buçiti këto ditë në të gjitha mediat italiane. Me të, edhe për problemin e madh të emigracionit, të strehimit dhe integrimit të emigrantëve, njerëz që ikin nga lufta e mjerimi. Fenomen tejet i njohur për Shqipërinë. Vendi prej nga janë larguar në kërkim të një jete më të mirë, më se një milion vetë - sipas pohimit të ministrit të jashtëm, Ditmir Bushati. E është pikërisht ministri ai që, duke dhënë lajmin në gazetën italiane “Corriere della Sera” (25. 08. 2018), shkruan: “Kur eritreas ishim ne, 26 vjet më parë, ju, italianët, na hapët portat, na mikpritët në shtëpitë tuaja, na dhatë të hamë. Sot duam t’jua kthejmë pakëz nga ky borxh, duke strehuar 20 refugjatë të kësaj anijeje”.

Kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot George Frendo, sapo mori lajmin, iu përgjigj kësaj nisme humane me një letër, drejtuar pikërisht ministrit Bushati:

Shumë i Nderuar Zoti Ministër, shkruan kryeipeshkvi. Sot kam lexuar në gazetë se keni pranuar 20 refugjatë që ndodheshin në anijen e bllokuar në Catania. Ju uroj përzemërsisht për këtë gjest fisnik njerëzor. Kanë bërë një udhëtim të gjatë nga Eritrea, madje një udhëtim shumë të rrezikshëm. Megjithatë tani kanë fat se do të gjejnë strehim tek një popull shumë i njohur për shpirtin e tij mikpritës dhe bujar.

Ju u keni dhënë një shembull të mirë shumë vendeve të tjera që kishin më tepër mundësi dhe detyrë të pranojnë disa refugjatë, vende në BE.

Më bënë shumë përshtypje fjalët tuaja: “Dikur ishim ne ata eritreasit, që vuajnë prej ditësh e netësh në mes të detit, në pritje që të zgjohet Evropa!” M’u kujtuan fjalët e Biblës: “Mos e shfrytëzo as mos e shtyp të huajin, sepse edhe ju ishit të huaj në dheun e Egjiptit” (Dal. 22, 20), dhe: “Nëse jeton me ju i huaji në tokën tuaj, mos e shtypni; por le të jetë ndër ju si vendas dhe duajeni si vetveten: edhe ju ishit të huaj në dheun e Egjiptit” (Lev. 19, 33-34).

Zoti bekoftë Shqipërinë për shpirtin e saj humanitar dhe mikpritës.

Me respekt,

Mons. George Frendo

Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit

27 gusht 2018, 14:30