Kërko

Senza titolo-11.png Senza titolo-11.png 

90-vjetori i shtegtimit të Shën Nënë Terezës nga Letnica drejt Kalkutës (1928-2018)

Kisha katolike e Kosovës shënon sot 90-vjetorin e nisjes së Ganxhe Bojaxhiut - Nënë Terezës drejt Kalkutës, në Indi. Këtë jubile, Kisha e Kosovës e përkujton me simbolin e Qiriut, të cilin, vitin e kaluar, Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovës e solli në Prishtinë nga varri i Nënë Terezës, në Kalkuta.

R.SH. - Vatikan

Sot më 14 gusht kujtojmë figurën dhe shembulli e Shën Nënë Terezës, Ganxhe Bojaxhiut, me rastin e 90-vjetorit të thirrjes së saj rregulltare, fituar në Shenjtëroren e Zojës së Madhe në fshatin Letnicë të Kosovës. Kjo ngjarje shpirtërore e shënoi jetën dhe frymëzoi veprën e misionin e të Shenjtës shqiptare

Kisha katolike e Kosovës shënon sot 90-vjetorin e nisjes së Ganxhe Bojaxhiut - Nënë Terezës drejt Kalkutës, në Indi. Këtë jubile, e përkujton me simbolin e Qiriut, të cilin, vitin e kaluar, e solli në Prishtinë nga varri i Nënë Terezës në Kalkutë, Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovës.

Ky Qiri shtegton sot, 14 gusht 2018, nga Katedralja e Prishtinës në Shenjtëroren e Zojës në Letnicë, pikërisht në vendin ku shën Nënë Tereza dëgjoi thirrjen e Zotit për  jetën rregulltare, për jetën e përkushtuar, pra për t’u bërë murgeshë e pastaj, edhe misionare në një shërbim të pakursyer  ndaj më të varfërve të shoqërisë.

Pas shugurimit të Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë, më 5 shtator 2017, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, në nëntorin e kaluar, shtegtoi te varri i Shën Nënë Terezës në Kalkutë, për ta falënderuar Zotin për dhuratën e Katedrales, e cila i ngrit me ndërmjetësinë e shenjtes shqiptare të bamirësisë, në kryeqytetin e Kosovës. Gjithashtu, ndjeti i ipeshkvit ishte t’i lutej Zotit, përmes ndërmjetësimit të Shenjtes shqiptare, për të gjithë bamirësit, që kanë ndihmuar në ndërtimin e kësaj shenjtëroreje, që i madhi Zot t’ua shpërblejë sakrificat, përkrahjen dhe dashurinë e vazhdueshme që treguan gjatë dhjetë vjetëve të ndërtimit të Tempullit të Shenjtë, në Prishtinë.

Te varri i Shën Nënë Terezës në Kalkutë, përveç lutjes drejtuar Zotit, kremtimit të Eukaristisë (Meshës) shenjte bashkë me kryeipeshkvin e Kalkutës dhe me pjesëmarrjen e Motrave Misionare të Dashurisë Nënë Terezë, ipeshkvi imzot Doda ndezi një Qiri – simbol i dritës së Zotit që Nënë Tereza  fitoi. Qiriun e solli pastaj me vete në Kosovë.

Gjatë kthimit nga Kalkuta, duke u ndalur në Vatikan, imzot Dodë Gjergji, mori pjesë në Meshën e Papës Françeskut, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Ditën Botërore të të Varfërve. Me këtë rast, gjatë Meshës së Papës, Qiriu u bart në procesionin liturgjik, së bashku me dhuratat eukaristike, bukën e verën, e kështu, mund të thuhet se u bë edhe simbol drite i dashurisë së Nënë Terezës për të varfrit e gjithë botës.

Pasi ipeshkvi u kthye në Kosovë, gjatë kremtimit të Meshës të së dielës, më 26 nëntor 2017, në Katedralen e Prishtinës, i njëjti Qiri u bart në procesionin liturgjik te altari kryesor i kishës së madhe kushtuar Shën Nënë Terezës. Pas homelisë, ipeshkvi imzot Dodë Gjergji në procesion me meshtarë, ministrantë, besimtarë e fëmijë e vendosi Qiriun pranë Relikuarit të Gjakut të Nënë Terezës.

Kështu, nga ky vend, Qiriu, simbol i Dritës që Zoti i pati dhuruar shën Nënë Terezës, vazhdon të ndriçojë pandërprerë, si shenjë e dritës së asaj Dashurie Hyjnore, që rrezatohej nga jeta dhe veprat e Nënës sonë, Ganxhe Bojaxhiu. Besimtarët e njerëzit vullnetmirë, tani, përmes ndërmjetësimit të Shën Nënë Terezës, mund t’i drejtohet Zotit të nxitur edhe nga kjo dhuratë.

Në vazhdim, botojmë programin dërguar nga Ipeshkvia e Kosovës rreth kësaj ngjarjeje

 

Shtegtimi i Dritës së Nënë Terezës në Letnicë

Më 14 gusht 2018, ditë e martë, do të festojmë 90-vjetorin e shkuarjes së Ganxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës në Kalkutë.

Për të shënuar këtë jubile të rëndësishëm të jetës së Nënë Terezës, Kisha Katolike në Kosovë, e prirë nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, organizon shtegtimin e Dritës së Qiriut të saj nga Katedralja Shën Nënë Tereza në  Shenjtëroren e Letnicës.

Programi i shtegtimit të Dritës:

Ora 13:30: Nisja e shtegtimit të Dritës nga Kisha e Zemrës së Krishtit në Viti drejt Shenjtërores së Letnicës. Shtegtimit në këmbë (rreth 11 km) i prinë Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovës, i shoqëruar nga meshtarë, rregulltarë e besimtarë.

Ora 16:30 – 17:00: Arritja në Shenjtëroren e Letnicës dhe pritja nga Rektori i Shenjtërores me besimtarë. Vendosja e Dritës në Shenjtërore dhe lutja.

Ora 19:00: Mesha e Vigjiljes së Festës së Zojës.

Ora 20:00: Procesioni i Dritës rreth objekteve të Shenjtërores së Letnicës (rreth 30 min.)

14 gusht 2018, 12:27