Kërko

 Zoja e Karmelit Zoja e Karmelit 

Zoja e Karmelit: një nga devocionet më të lashta e më të dashura

Sot, 16 korrik, kremtohet Zoja e Karmelit. Devocion i lashtë, që nis qysh me profetët e Biblës. Festime në Romë e në të gjitha Kishat e botës, ku nderohet Zoja Karmë.

R. SH. - Vatikan

Kulti marian, rast unik në kultin e shenjtorëve, i ka rrënjët shumë thellë, nëntë shekuj para lindjes së Marisë. Profeti i parë i Izraelit, Elia, duke banuar mbi malin e Karmelit, pati vegimin e ardhjes së Virgjërës. E pa duke u lartuar mbi një re të vogël, prej së cilës, më pas, u shkreh një shi providencial, që e shpëtoi Izraelin nga thatësira shkatërrimtare. Eshtë një nga kultet më të lashta të Romës së krishterë e, natyrisht, edhe të Urdhërit Karmelitan, që lidhet ngushtë me vegimin e Elisë e me profecinë e Profetit  për ardhjen e Virgjërës Nënë dhe lindjen e Birit të Zotit. Që në shekullin e parë pas Krishtit, eremitët që jetonin në malin e Karmelit, ndërtuan një kapelë kushtuar pikërisht Zojës Karmë. “Karmelitanët e kanë për traditë lidhjen e ngushtë me Zojën - shpjegon atë Agostino Farcas, famullitar i Kishës së Zojës së Karmelit, në Mostaciano, Romë - por edhe me Elinë, domethënë, me  aftësinë, si ajo e profetit, për të dëgjuar  zërin e Zotit”:

“I qe thënë: ‘Dil e ndalu mbi mal në praninë e Zotit’. E ja, Zoti kaloi asajt. Fryu një erë e fortë, e vrullshme, aq sa të përmbyste malet e të çante shkëmbinjtë para Zotit, por Zoti nuk ishte në erë. Pas erës, toka u lëkund deri themele nga tërmeti, po  Zoti nuk ishte në tërmet. E, pas tërmetit, ra zjarri, por Zoti nuk ishte në flakë. Pas flakëve, nisi mërmërima e një flladi të lehtë. E Zoti ishte në fllad!”.

Ikonografia popullore

Sipas ikonografisë popullore, Zoja e Karmelit nuk e mban Krishtin në krahë, por shtrin krahët përpara, duke ofruar skapolarin. Figura na kujton dukjen e 16 korrikut 1251. Atë ditë, Zoja iu duk Shën Simonit Stock, i dorëzoi Skapolarin dhe i  foli për hiret, që lidhen me këtë kult.  “Skapolari nuk është hajmali - vijon don Agostino - po shenjë shëlbimi. Kush e mban, vishet me hirin e Zojës, me dhantitë e saj. Nëse unë them sot “dua skapolarin”, mendoj se po marr një shenjë shëlbimi, që më ndihmon të pajisem me virtytet e Marisë; më ndihmon të përpiqem për të jetuar si Ajo”.

Sivëllazëritë  e Zojës së Karmelit

Sivëllazëritë me emrin e Zojës së Karmelit dhe favoret e disa papëve, erdhën duke u shtuar gjithnjë më shumë në rrjedhë kohe. Me to, edhe privilegjet shpirtërore e devocioni popullor.

Në vitin 1623, një dekret i Kongregacionit themelonte “Traditën e së Shtunës”. Sipas kësaj tradite, Zoja e Karmelit  u hap në këtë ditë të vdekurve në hir të Zotit, udhën për të arritur menjëherë në përsosurinë e dashurisë hyjnore.

Në Romë  kremtohet “Zoja e Noantri-t”

Zanafilla e kultit, që vijon të ndjehet edhe sot në Qytetin e Amshuar, nis që në vitin e largët 1535. Në këtë vit, disa detarë gjetën në brigjet e Teverit, në zonën e Fiumiçinos, një shtatore të Zojës së Karmelit, që u mbart menjëherë në Ripa Grande e u vendos në kishën e Krisogonit. Që asokohe Virgjëra e Skapolarit (tjetër epitetet, ky, për Virgjërën e Karmelit), u quajt edhe “e Noantrit” ose “Fiumarola”, për kujtim të vendit ku u gjet. Kështu mund të themi, pa e tepruar fare, se festa që i kushtohet Zojës me këtë titull, është më e madhja që kremtohet në mbarë Romën.

E veçantë, Shtatorja në Trastevere

Shtatorja e Zojës së Karmelit ruhet edhe në kishën e Shën Ages, në Trastevere. Ashtu si në figuren e saj klasike, nuk e mban në krahë Foshnjën Hyjnore. Krahët  i drejton poshtë e është e veshur si terciare karmelitane. Në mjediset e kishës  ekspozohen petkat e saj prej mëndafshi të kaltër, të bardhë e të verdhë dhe tre mantelet, dhuruar nga Princesha Bianca Caracciolo di Fiorino. E veç këtyre të princeshës, edhe veshjet e ruajtura nga murgeshat e Shën Paskualit, dhuruar nga njerëz të të gjitha klasave e shtresave shoqërore. Njëra prej tyre u dhurua më 1970 nga një grup rrobaqepësesh, që punuan tri vjet rresht për ta realizuar. Në këtë koleksion mund të sodisim edhe disa kurora argjendi e metali, stolisur me gurë të çmuar, që përdoren gjatë procesioneve.

Gjon Pali II dhe Zoja e Karmelit

I njohur nga të gjithë, devocioni i Shën Gjon Palit II për Virgjërën Mari. Më poshtë po kujtojmë një fragment nga lutja kushtuar Zojës Karmë, shkruar nga Papa Shenjt:

“Premto, o Zojë, që vëllezërit e pajtuar, të shtrëngohen në një përqafim vëllazëror, të zhuken urrejtje e hakmarrje, të kapërcehen përçarje e mure, të sheshohen konfliktet e të përthahen plagët! Amen!”.

16 korrik 2018, 14:34