La Porta Bella sulle Mura di Gerusalemme La Porta Bella sulle Mura di Gerusalemme 

Toka e Shenjtë: kard. Bassetti , “tё përforcohet dialogu ndërfetar që na çon te rrënjët e identitetit ungjillor"

Kard. Bassetti: të intensifikojmë jo vetëm me urdhër, por me dëshirë të sinqertë takimin dhe njohjen, dialogun ndërfetar, i cili nuk na distancon, por përkundrazi na çon te rrënjët e identitetit ungjillor.

R.SH. - Vatikan

"Në Tokën e Shenjtë shkohet jo vetëm për arsye humanitare, për të sensibilizuar sot të ashtuquajturin Perëndim për nevojat qё kanë ato territore të goditura nga dhuna e konfliktet, por për të marrë gjithmonë dhe përsëri mesazhin e pashkruar, limfën jetike per te mirën njerëzore e shpirtërore. Jemi të gjithë, të krishterë e besimtarë si dhe e tërë kultura jonë, ata që kemi nevojë tё ushqehemi prej atyre rrënjëve". Kёshtu thotё Presidenti i Konferencës Ipeshkёvnore italiane (CEI), kard. Gualtiero Bassetti, në një intervistë pёr revistën ‘Terrasanta’.

Kardinali italian kujton se si në udhëtimet e tij në Tokën e Shenjtë "kam pyetur dhe u kam kërkuar të gjithëve kthimin e zemrës",  që "rivendosja e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme tё mos mbetet vetëm një mirazh, por të bëhet realitet për miliona njerëz, në shenjë tё bashkëpunimit, respektit dhe harmonisë midis popujve".

Sipas kryetarit të Konferencës Ipeshkёvnore italiane (CEI), "është shumë e rëndësishme t’i rishikojmë sot cilësitë e tipareve françeskane të takimit, dialogut dhe respektit", në dritën e takimit ndërmjet Shën Françeskut dhe Sulltanit të Babilonisë.

Kryeipeshkvi Bassettti vë në dukje mësimin që del nё dritë nga ai episod: "Ne duhet të punojmë shumë për formimin e të rinjve tanë, por gjithashtu edhe të mësojmë prej tyre, tё kemi besim nё ta dhe nё kërkesat e tyre, sepse ata janë në gjendje të shkojnë drejt tjetrit pa paragjykime dhe drejt kristalizimeve që nganjëherë rrezikojnë t’i sklerotizojnë shoqëritë tona". "Prandaj duhet të intensifikojmë - përfundon kardinali - jo vetëm me urdhër, por me dëshirë të sinqertë takimin dhe njohjen, dialogun ndërfetar, i cili nuk na distancon, por përkundrazi na çon te rrënjët e identitetit ungjillor".

20 korrik 2018, 11:21