Kërko

Takim i Taizé-së Takim i Taizé-së 

Të krishterë e myslimanë në Taizé

Nga 5 deri më 8 korrik, në bashkësinë ekumenike të Taizé-së, u mbajt fundjava e dytë e miqësisë islamo-kristiane. 300 të rinj nga të dyja fetë mundën kështu, të njiheshin e të bëheshin miq.

R.SH. - Vatikan

Shqiptarët e njohin mirë tashmë bashkësinë ekumenike të Taizé-së, ku çdo vit, shkojnë për lutje të rinj nga e gjithë Shqipëria, jo të gjithë katolikë, por edhe ortodoksë e ungjillorë e madje, edhe myslimanë. Kjo përbërje e zakonshme e grupit shqiptar, ka qenë përvoja e përgjithshme, këtë vit, edhe në këtë vend të vogël në jug të Francës, ku nga 5 deri më 8 korrik, u mbajt fundjava e dytë e miqësisë islamo-kristiane. 300 të rinj nga të dyja fetë mundën kështu, të njiheshin e të bëheshin miq.

Fra Alois: “shenjë shprese”

         Është “shenjë shprese të jetohen së bashku përvoja të tilla vëllazërimi – deklaron eprori i Bashkësisë, fra Alois – pavarësisht se jemi të vetëdijshëm për ndryshimet. Kur jemi thellësisht të rrënjosur në fe, nuk duhet t’i trembemi aspak dialogut me ata, që e mendojnë ndryshe e madje, mund edhe të lidhim miqësi të vërtetë me ta. Kjo është përvoja jonë”.

Zoti është më i madh se kufijtë, që i vendosim ne

         Pyetje mbi fenë, dialogun, lutjen, mbi marrëdhëniet me Zotin: këto ishin kuriozitetet e të rinjve, të cilëve iu përgjigjën edhe profesorë si Ousama Nabil nga Universiteti al-Azhar i Kajros, dhe autoritete të Kishës Katolike si kreu i Këshillit për Marrëdhëniet Ndërfetare në Konferencën Ipeshkvnore Franceze, imzot Jean-Marc Aveline. U theksua se çdo njeri mund ta trashëgojë religjionin, por jo fenë, pra atë marrëdhënie intime e personale me Zotin, që i bashkon besimtarët kudo në botë. Lutja, që buron nga zemra, është mënyra më e mirë për të hyrë në dialog me Zotin. E pastaj, kur je i sigurtë në fenë tënde, hyn në dialog edhe me tjetrin, gjë që do të thotë të pranosh se tek tjetri ka një të vërtetë, të cilën ndoshta ti nuk e kupton. Por do të thotë edhe të pranosh se Zoti është më i madh nga ç’mendojmë ne e i kalon kufijtë e institucionit fetar, të cilit i referohemi.

18 korrik 2018, 14:29