Kërko

Dyshimet mbi gjurmët e gjakut në Sindonë Dyshimet mbi gjurmët e gjakut në Sindonë 

Sindona: pa asnjë bazë shkencore studimi, që i quan të rreme disa njolla gjaku

Profesoresha Marinelli, sindonologe me famë botërore: studimi nuk është shkencërisht i besueshëm. Grupe ideologjike investojnë para për kërkime shkencore të sajuara, që të dëshmojnë se Pëlhura e Shenjtë është e rreme.

R.SH. - Vatikan

Lajmi tashmë vijon të rrotullohet me globin: “Gjysma e njollave të gjakut, mbetur mbi Sindonën, qenkëshin të papërputhshme me  pozicionin e një njeriu të kryqëzuar e, disa të tjera, si me pozicionin mbi kryq, ashtu edhe me atë në varr. Në dukje, një bombë, ky  dokument plot respekt. Nënshkrimi është i Universitetit të Liverpool, që e botoi në Journal of Forensic Sciences. Dy bashkëpunëtorët shkencorë, autorë të punimit, Mateo Borrini i të njëjtit atene e Luigi Garlaschelli, i Komitetit Italian për Kontrollin e pseudoshkencave, provuan ta vërtetojnë derdhjen e gjakut me një manikin, të pozicionuar mbi një çarçaf: provat nuk paskëshin dhënë të njëjtat rezultate, që njihen, për Sindonën. Në këtë pikë nisi breshëria e titujve në të katër anët e globit; gjysma e njollave të gjakut, nuk janë të vërteta! Pra Sindona nuk është qefini i Krishtit të zbritur nga kryqi e të vënë në varrin, prej nga u ngjall!

Studim i pabesueshëm: nuk ka rigorozitet shkencor

Bomba, që iu shkreh pranë karrikës, ku qe ulur, nuk e bëri të tundej aspak nga vendi profesoreshën Emmanuela Marinelli, sindonologe me famë botërore. Përkundrazi. Iu përgjigj qetë-qetë zërit, që i fliste në telefon, fare e patrazuar, sadoqë ndjehej në të ndonjë notë indinjimi.  “E lexuat studimin?. Si ju duket?”. - “Po juve? Ju duket kriter shkencor të marrësh një manikin, nga ato që përdoren për veshjet e vitrinave të dyqaneve e edhe një sfungjer të ngopur me gjak artificial,  të ngulur mbi një  shkop, e  ta shtrydhësh mbi surratin e bostanit, për të parë ku do të bien njollat e gjakut? Kjo  punë nuk e ka aspak rreptësinë e kërkimeve të tjera, realizuar gjatë 40-vjetëve të fundit mbi kufomat e njerëzve të vdekur nga shkaku i emopericardit (siç mendohet të ketë vdekur Jezusi), të pozicionuar  vertikalisht e të shpuar me bisturi ndërmjet brinjës së pestë e asaj të shtatë, siç pati bërë heshta e ushtarit romak. Prova, që patën rezultate krejt të ndryshme nga këto të Borrinit e të Garlaschellit - përgjigjet pa asnjë ngurrim profesoresha. 

Grupe ideologjike financojnë kërkime pseudo-shkencore, për të vërtetuar se Sindona është e rreme

Atëhere nuk mund të mos pyesësh sesi është e mundur që institucione si Liverpool University të ketë vendosur ta vlerësojë, e për më tepër, edhe ta bëjë publik, një kërkim plot me dyshime metodologjike themelore, që ia minojnë krejtësisht besueshmërinë. Përgjigjja e Marinellit është e prerë. Madje hap një dritare mbi një skenar tjetër, edhe më të errët: për të mbrojtur tezën, sipas së cilës Sindona është e rreme, grupe ideologjike financojnë pa kursim kërkime stereotipe, të parasajuara në tavolinë: “Mjafton të rrahësh paratë, pa kërkimet bëhen menjëherë”- kujton Marinelli. - E gjindet menjëherë edhe kush t’i boton! Nuk mund të mohohet se pas tyre fshihen grupe, që duan të vërtetojnë se Sindona është falsar historik. E falsifikimet në histori, e dimë, nuk janë të pakta. Prandaj mund të ngjallin edhe një farë besimi. Tek ata, që nuk i dinë mirëfilli punët e ngjarjet. Një shembull për të gjithë: kemi një dokumentar të bukur, titulluar “nata e Sindonës”. Ky dokument nuk është transmetuar kurrë nga Rai, sepse përmban pohimin, që ndokujt edhe mund të mos i pëlqejë. E ky pohim është një letër e shkruar mbi kartë të intestuar të Kuries së Torinos, që kardinali Anastasio Ballestrero, asokohe rojtar i Sindonës, ia pati dërguar këshilltarit shkencor, inxhinjerit Luigi Gonella, përmes së cilës pohonte me bindje të plotë  se në datimin me karbon 14 (më pas hedhur poshtë nga kërkime të mëvonshme shkencore) ishte “kthetra” e masonerisë, që synonte të vërtetonte me çdo kusht se Sindona i përkiste epokës mesjetare”. Pra, nuk kishte të bënte fare me Krishtin. Me sa duket, një Sindonë e vërtetë bezdis kë synon të mohojë  jo vetëm Krishtin, por edhe, e kryesisht, Ngjalljen e Tij. Siç thoshte kardinali Giacomo Biffi: “Për një katolik,  të zbulojë se Sindona nuk është e vërtetë, nuk ndryshon asgjë. Po për një universitet ndryshon që ç’ke me të! E ndoshta pikërisht kësaj i druhet, kush lodhet e këputet për të vërtetuar me çdo kusht falsitetin e Pëlhurës, që besohet të jetë Çarçafi i vdekjes së Jezusit”, të cilin Zoti e vulosi me gjakun e vet

18 korrik 2018, 12:06