Kërko

2017-12-04 Filippo Lippi_FotoMauroCoen.jpg 2017-12-04 Filippo Lippi_FotoMauroCoen.jpg 

Shenjtorët e javës 29 korrik – 5 gusht

Në liturgjinë e kësaj së diele, posaçërisht në fragmentin e Ungjillit, buka që Jezusi shumëfishon për të ushqyer turmën, e cila e dëgjon me fe është simbol i asaj që Krishti do t’u japë besimtarëve në Kishën e vet.

R.SH. - Vatikan

E diel 29 korrik, Kisha katolike kremton të Dielën e 17-të gjatë vitit liturgjik, e gjithnjë më 29 korrik kalendari përkujton Shën Martën, shën Lazrin, shën Olafin, shenjtorët Simpliçin, Faustinin, Beatriçjën, Feliçin e Rufin, martirë. Në liturgjinë e kësaj së diele, posaçërisht në fragmentin e Ungjillit, buka që Jezusi shumëfishon për të ushqyer turmën, e cila e dëgjon me fe është simbol i asaj që Krishti do t’u japë besimtarëve në Kishën e vet.

Të hënën më 30 korrik, kalendari përkujton shën Pjetër Krizologun, ipeshkëv. Liturgjia na fton të meditojmë se shëlbimi që na siguroi Jezusi nuk njeh pengesa. Ajo që ka rëndësi, është ta takosh Jezusin përmes fesë, ashtu siç na mëson Ungjilli. 

Të martën më 31 korrik, kalendari përkujton shën Injacin e Lolojës, themeluesin e Urdhrit të Jezuitëve. Liturgjia na kujton se ligji i ri i Krishtit i fton të gjithë të jenë plot dashuri e mëshirë, bujari e solidaritet, si kur fitojnë, ashtu edhe kur, për syrin e botës, humbasin. Duhet të galdojmë përherë në Zotin, që na shpëton. O Zot, më jep dashurinë tënde e hirin tënd, e kjo më mjafton!”, shkruante mes tjerash shën Injaci i Lojolës.

Të mërkurën më 1 gusht, kalendari përkujton shën Alfons Maria de Liguorin, ipeshkëv e doktor i Kishës, themelues i Kongregatës së Shëlbuesit të Shenjtë, shtatë vëllezërit Makabej dhe të Lumin Pietro Favre, meshtar jezuit. Liturgjia e ditës, duke treguar shëmbëlltyrën e të pasurit, që grumbullonte pasuri veç për vete, na kujton se të mirat e kësaj bote kanë vlerë, por nuk duhet të absolutizohen në dëm të së mirës së vërtetë të njeriut e të familjes. Pasuria, nëse nuk jemi të kujdesshëm, mund të na bëjë skllevër të saj.

Të enjten më 2 gusht, kalendari përkujton Shën Euzebin nga Verçeli, ipeshkëv dhe shën Pier Xhulian Ejmard-in, themelues i Sakramentinëve. Liturgjia e kësaj së dielena kujton përmasën e pritjes së Zotit si pjesë përbërëse e themelore të jetës së krishterë. Fjala e Zotit na ndihmon ta kuptojmë domethënien e plotë që ka pritja e takimit më të rëndësishëm të jetës sonë: takimi me Krishtin, Dhëndrin e njerëzimit.

Të premten më 3 gusht, kujtohen shën Lidia, dishepulle e Shën Palit, shën Asprenati e shën Eufroni.  Liturgjia e ditës kujton se Zoti rindërtoi Sionin dhe u duk në gjithë shkëlqimin e vet. Deti, në Bibël, konsiderohet si një fuqi e tmerrshme dhe është simbol i forcave që kërcënojnë botën. Jezusi, jo vetëm e dominon atë, por bën që edhe të tjerët të marrin pjesë në këtë dominim, kur kanë besim në Të.

 

Të shtunën më 4 gusht, bie përkujtimi i famullitarit të shenjtë të Arsit, shën Gjon Maria Vianejt, pajtor i klerit.  Liturgjia e ditës na mëson se Zoti na ruan, siç bën bariu me grigjën e vet. Jezusi i respekton etapat e misionit të marrë nga Ati: shpall mbretërinë e Hyjit dhe u jep mision dishepujve tua shpallin atë paganëve. Por kur feja hap zemrën e zgjon lutjen e përvuajtur, të gjitha etapat mund të digjen.

 

Të dielën e ardhshme më 5 gusht,  Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 18-të gjatë vitit liturgjik, e po më 5 gusht bie festa e madhe në Romë për kujtimin e kushtimit të Bazilikës së Zojës së Madhe. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është Mesia, që Zoti e ka dërguar në popullin e vet, është shërbëtori i Hyjit që shkon drejt vdekjes për të plotësuar misionin e tij të shëlbimit.

29 korrik 2018, 11:05