Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Immagine di Monastero di San Naum, Ohrid: affreschi chiesa monastero San Pantaleone Immagine di Monastero di San Naum, Ohrid: affreschi chiesa monastero San Pantaleone 

Më 27 korrik kalendari kujton shën Pantaleonin, mjek e martir

Pantaleoni lidhi miqësi me një të krishterë që e praktikonte fshehurazi fenë, për shkak të persekutimit. Kjo lidhje shënoi kthesën e tij të madhe. Nga miku i krishterë mësoi se ilaçi më i mirë, që shëron sëmundjet e korpit e të shpirtit, është Krishti.

R.SH. - Vatikan

Shën Pantaleoni u dhuroi të gjitha pasuritë e të mirat që kishte të varfërve dhe u bë dëshmitar i Ungjillit deri në martirizim. Pantaleoni lindi në gjysmën e shekullit III në Nikomedinë e Bitinisë, Turqia e sotme. I ati, Eustorgji, ishte pagan, ndërsa e ëma, Eubula, e krishterë. Eubula e edukoi të birin në fenë e vet, ndërsa i ati ia besoi mjekut të famshëm Eufrozinit, nga i cili djaloshi e mësoi mjekësinë aq mirë, sa të fitonte admirimin e vetë perandorit Maksimian, që e emëroi mjek të oborrit perandorak. 

Pantaleoni lidhi miqësi të ngushtë me Ermolaon, i krishterë që e praktikonte fshehurazi fenë, për shkak të persekutimit. Kjo lidhje shënoi kthesën e tij të madhe. Nga miku i krishterë mësoi se ilaçi më i mirë, që shëron sëmundjet e korpit e të shpirtit, është Krishti. E ai e kuptoi thellësisht këtë të vërtetë, kur arriti të ngjallte së vdekuri një fëmijë të kafshuar nga nepërka, të cilën e bëri të ngordhte para syve të mrekulluar të atyre që ishin të pranishëm. Qe mrekullia e parë – që e shtyu të ndiqte përfundimisht rrugën e krishterimit. Shumë mrekulli të tjera do të bënte më pas, sa ishte i gjallë e pas vdekjes. Duke pasur një dashuri të jashtëzakonshme për t’anë, përmes “ilaçit të lutjes”, ia doli ta kthente edhe atë në fenë e Krishtit.

Edhe historia e martirizimit të tij nis e vijon me mrekulli: perandori bëri çmos ta rikthente mjekun e ri në rrugën e idhujtarisë, duke e nxitur të adhuronte, perëndinë e mjekësisë, Eskulapin, në vend të Krishtit. Pantaleoni propozoi të organizohej një lloj gare ndërmjet tij e priftërinjve paganë. Thirrën për këtë qëllim një njeri të paralizuar.

Priftërinjtë paganë iu luten me sa zë që kishin Eskulapit ta shëronte. Më kot. Ndërsa Shenjti iu lut me gjithë zemër Krishtit e paralitiku u ngrit përsëri në këmbë. Mrekullia i mahniti të pranishmit, shumë prej të cilëve u kthyen në fenë e krishterë. Por njëkohësisht ndezi edhe zilinë e priftërinjve idhujtarë, të cilët e nxitën perandorin ta torturonte mjekun e ri, derisa të rikthehej tek idhujt.

Këtu historia e martirizimit merr trajtat e një romani, në të cilin përfshihen edhe Ermolao e shumë të krishterë të tjerë. Vijojnë mrekullitë, të cilat kanë thjeshtë karakter gojëdhanor, prandaj nuk pranohen nga kritika hagjiografike, e cila i kushton shumë vëmendje vërtetësisë historike. 

Shenjti u dënua me një vdekje të tmerrshme, ia gozhduan të dy krahët në kokë e pastaj ia prenë. Gjaku rrodhi çurg nga krahët e prerë e, sipas traditës, një grua e përshpirtshme e mblodhi në një shishe të madhe, të tejdukshme.

Relikja ruhet në kapelën e Shenjtit, pranë katedrales së Ravelos, në Napoli të Italisë. Gjaku i martirit shkrihet çdo vit, natën e festës së Tij. Për herë të parë ky fenomen u vërejt në vitin e largët 1112, duke ngjallur një devocion të veçantë në zemrat e besimtarëve të të gjitha viseve për rreth Ravelos, që edhe sot e kësaj dite mblidhen me shumicë për t’u lutur.

E shenjti ishte mjeshtër i uratës aq, sa lutjet e tij janë mbledhur në një libër të veçantë me titullin “Libri magjik i Shën Pantaleonit”. Ishte viti 305, data 27 korrik.  Në këtë datë kujtohen edhe Ermolaou e shokët e tij. Shenjti është pajtor i qytetit italian Kremona, që e kremton më 10 qershor, ditë në të cilën, me ndërmjetësinë e tij, qyteti shpëtoi nga murtaja.

Shenjti, që nderohet edhe ndër shqiptarë, është pajtor i Kremës, i Milianikos, Ravelos e Pianelës në Itali. Për nder të tij janë ngritur shumë Kisha, njëra nga të cilat, në zemër të Romës. Arbëreshët kanë themeluar një shtëpi, që e quajnë ‘Shtëpia e Arbëreshëve në Itali’. Ka si pajtor Shën Pantaleonin. Shenjti, emri i të cilit vjen nga greqishtja e do të thotë ‘luan i fuqishëm’, është edhe pajtor i mjekëve e i mamive e ka si shenjë dalluese, palmën e martirizimit.

27 korrik 2018, 14:56