Cerca

Vatican News
San Giacomo il Maggiore Apostolo San Giacomo il Maggiore Apostolo 

25 korrik kalendari kishtar përkujton Shën Jakun e Madh, Apostull

Jezusi e zgjodhi Jakun, së bashku me Pjetrin e Gjonin, që të ishin dëshmitarë të disa ngjarjeve të jashtëzakonshme, si shndërrimi mbi Malin Tabor e agonia në kopshtin e ullinjve në Gjetseman. Peshkatar, Jaku iu përgjigj thirrjes së Jezusit, duke ndjekur gjurmët e Tij , zë vërtetë një vend të parë, është i pari që dha jetën për Krishtin .

R.SH. - Vatikan

Shën Jaku u quajt "i madh" për ta dalluar nga apostulli tjetër i Jezu Krishtit, me të njëjtin emër. Ishte i biri i Zebedeut dhe vëllai i madh i Gjonit. Jezusi e zgjodhi atë, së bashku me Pjetrin e Gjonin, që të ishin dëshmitarë të disa ngjarjeve të jashtëzakonshme, siç janë shërimi i vjehrrës së Shën Pjetrit, ringjallja e së bijës së Jairit, shndërrimi mbi Malin Tabor dhe agonia në kopshtin e ullinjve në Gjetseman. Jaku ishte peshkatar i thjeshtë e, ashtu si Pjetri, iu përgjigj me gatishmëri thirrjes së Jezusit, duke lënë varkën e babain me shegertët.

Ndoqi, kështu, gjurmët e Krishtit, duke braktisur skemat që të krijojnë siguri. Zelli i tij për të ecur pas Krishtit ishte aq i rrëmbyer, sa Jezusi i quajti atë e të vëllain “Boanerghes”, bijtë e bubullimës. E kjo ndoshta sepse të bijtë e Zebedeut janë protagonistë të ngjarjes që ndodhi në një fshat samaritanësh, banorët e të cilit nuk deshën ta mikpresin Jezusin. “Zot, a dëshiron të themi që të zbresë zjarr nga qielli e t’i bëjë hi e pluhur?” - pyesin dy nxënësit, në sa Zoti u përgjigjet me një qortim.

Në se kundërveprimi i Jakut e i Gjonit diktohet nga dashuria për Mesinë, Jezusi mëson mospërdorimin e dhunës, mësim që sot, kur vëmendja e gjithë popujve është përqendruar rreth Tokës ku u zhvilluan ngjarjet për të cilat po flasim, tingëllon më aktual se kurrë. Nxënësi mësoi ç’kishte ndër mend të bënte Mesia, kur e pa të shndërrohej mbi malin Tabor dhe pastaj në agoni, në Kopshtin e Ullinjve. Por përvoja e vërtetë, që e çoi drejt pjekurisë, qe ajo e Kryqit. Apostullit iu desh të parandiejë se Mesia, i pritur si ngadhënjimtar, në të vërtetë nuk ishte i rrethuar vetëm me nderime e lavdi, por edhe me vuajtje e ligështi, se lavdia e Krishtit realizohet pikërisht në Kryq, në pjesëmarrjen e Tij ndër vuajtjet tona.

Pasi kërkon një trajtim të posaçëm në mbarimin e kohës, mëson edhe se të ndjekësh Krishtin do të thotë të pish së bashku me të një kelk tepër të hidhur. E Jaku e piu me të vërtetë kelkun! Viktimë e persekutimit të parë judaik pas Rrëshajëve, gjatë të cilit qe burgosur e qe rrahur mizorisht, u martirizua në vitin 42 pas Krishtit nën Herodin Agripa. Ky është edhe lajmi i fundit që na jep Besëlidhja së Re për Jakun e Madh.

Nga përvoja e Shën Jakut Apostull mësojmë gatishmërinë për ta pranuar thirrjen e Jezusit edhe kur na kërkon ta lemë varkën e sigurive tona njerëzore, mësojmë se duhet ta ndjekim me entuziazëm në rrugët që na tregon, larg çdo mendjemadhësie; mësojmë se duhet ta dëshmojmë me guxim, e në se është e nevojshme, deri në flijimin më të lartë, deri në dhurimin jetës.

Sipas traditës, Shën Jaku ungjillëzoi Spanjën e trupi i tij pushon në paqe në Santiago të Kompostelës, ku sot festa e Apostullit u kremtua me madhështi. U paraqit, si çdo vit “ofrenda” apo lutja tradicionale drejtuar Apostullit. Në kremtimin, tashmë shumëshekullor, ndërthuren tradita shpirtërore e folklorike, që ndiqen nga shtegtarë të cilët nisen nga të katër anët e botës, për t’u bashkuar në lutje pranë varrit të Apostullit.

Katër janë rrugët që çojnë në Santiago, të cilat në Puente la Reina takohen e bëhen një rrugë e vetme…” me këto fjalë nis “Doracaku i shtegtarit të Santiagos”. E shtegtarët evropianë që prej dhjetë shekujsh vijojnë të ecin në këmbë nëpër të katër rrugët, për t’u pastruar shpirtërisht tek Varri i Apostullit të madh, Pajtorit të Spanjës, të shtegtarëve, të kalorësve e të njerëzve që vuajnë nga reumatizmi. Prandaj simbolet e Shenjtit janë kapela e shtegtarit dhe guaska e detit.

Liturgjia e kësaj dite na kujton se synimi dhe dëshira për të zënë vendet e para, për të arritur në pushtet, i tundon edhe Apostujt si të gjithë njerëzit. E Shën Jaku e zë vërtetë një vend të parë: është i pari që jep jetën për Krishtin. 

25 korrik 2018, 04:13