Kërko

Asambleja e 19-të e përgjithshme e Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës Lindore (Amecea) Asambleja e 19-të e përgjithshme e Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës Lindore (Amecea) 

Riungjillëzimi - Mesazhi përfundimtar i Amecea-s

Emigrantët, familjet, të rinjtë: këto janë pikat kryesore të mesazhit të Plenares së 19-të të Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës Lindore (Amecea), që përfundoi sot në Addis Abeba të Etiopisë. U shpreh impenjimi për bashkëpunim me Dikasterin vatikanas për Komunikimin.

R.SH. - Vatikan

Nevojitet “riungjillëzimi” i vendeve të Afrikës Lindore. Kjo është një nga temat më të rëndësishme të mesazhit përfundimtar, dalë nga Asambleja e 19-të e përgjithshme e Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës Lindore (Amecea), që përfundoi sot në Addis Abeba të Etiopisë. Teksti u lexua nga kryetari i ri i Amecea-s, imzot Charles Kasonde, ipeshkëv i Solwezi-t në Zambia.

Të mbrohet dinjiteti njerëzor

         Në 21 pikat e mesazhit, ipeshkvijtë dënojnë, para së gjithash, përdorimin negativ të ndryshimeve etnike për ta përçarë shoqërinë. Dinjiteti i njeriut është për ta strumbullari, rreth të cilit merr jetë zhvillimi shoqëroro-ekonomik, politik e kulturor i vendeve afrikane. Për të pasur paqen, sipas ipeshkvijve, nevojitet mbështetja në katër shtylla kryesore: mbrojtja e dinjitetit të barabartë për të gjithë njerzit; promovimi i zhvillimit të gjithanshëm njerëzor; mbështetja e institucioneve ndërkombëtare dhe falja.

Etiopia-Eritrea dhe Sudani Jugor

         Ipeshkvijtë shprehin vlerësimin e tyre për hapat e reja të kësaj periudhe, në drejtim të vendosjes së paqes e të dialogut ndërmjet Etiopisë dhe Eritresë, pas 20 vjetësh konflikti. “Kisha Katolike – shkruajnë – u bën thirrje palëve të interesuara të garantojnë rivendosjen e drejtësisë e të paqes dhe uron që popujt e këtyre vendeve të përfshihen në proces, që zëri i tyre të dëgjohet e të burgosurit të kthehen në familjet e tyre”. Shprehet kënaqësia edhe për përparimet e bëra në bisedimet për paqen në Sudanin e Jugut. Ipeshkvijtë luten për zgjidhjen e shpejtë të konfliktit në këtë vend.

Riungjillëzimi, familja, të rinjtë

         Prelatët vënë në dukje nevojën për riungjillëzimin e Afrikës, shprehin vullnetin e tyre për të mbështetur familjet përmes formimit të vazhdueshëm e katekizmit, por edhe përmes denoncimit të papunësisë e pabarazisë, që i sprovojnë ato. Rëndësi të posaçme i japin punës me të rinjtë, për t’i shkëputur ata nga thonjtë e ekstremizmit fetar e të terrorizmit. Universiteteve dhe shkollave katolike u kërkohet të integrojnë mësimet e Kishës me argumente si dinjiteti njerëzor, zhvillimi i gjithanshëm, ekologjia, bashkimi në paqe, drejtësia, zgjidhja e konflikteve dhe qeverisja e mirë. Ndër temat e tjera të mesazhit të Amecea-s, edhe ambienti e kujdesi për “shtëpinë tonë të përbashkët”, emigrantët e të shpërngulurit e brendshëm, korrupsioni dhe abuzimet me të miturit.

23 korrik 2018, 15:17