Pesë vjet pa atin Dall’Oglio, një jetë e shkrirë për Sirinë

Në Vatican News, intervistë e motrës së jezuitit të rrëmbyer në Raqqa 5 vjet më parë. Këtë të diel, përvjetori. “Ishin vite të dhimbshme - kujton familja - por kemi qenë gjithnjë pranë popullit sirian. E gjithnjë në pritje të Paolos”.

R. SH. - Vatikan

Francesca, Immacolata e Anna Maria Dall’Oglio, ashtu si edhe vëllezërit e atë Paolos, jezuitit të rrëmbyer në Siri më 29 korrik të vitit 2003, nuk kanë pushuar kurrë së mbjelluri shpresë. Pavarësisht nga dhimbja e mungesës, vijuan të besojnë në rikthimin e vëllait, që e shkriu pjesën më të mirë të jetës pranë popullit sirian, duke punuar për pajtimin, duhe hedhur ura ndërmjet Lindjes e Perëndimit, duke hapur portat e manastirit siro-katolik të Mar Musa, që ai vetë e pati bërë të rilindë më 1982 e që sot - rrëfen Immacolata - është vend pushimi, gjë me rëndësi të madhe, në një vend të prekur rëndë nga tmerret e luftës.

Rrëmbimi

Atë Paolo Dall’Oglio u rrëmbye më 29 korrik 2013, në Raqqa, që pakëz më vonë do të bëhej kryeqyteti sirian i Shtetit të vetëshpallur islamik. U kthye në Siri pas vitit 2012, kur mundi të sigurojë lejën e qëndrimit, që ia pati mohuar regjimi. Ndjehej - tregon Francesca - i mërguar, por që kishte fituar aftësinë për t’i kuptuar qartë rreziqet e luftës në vijim. E, sidomos, si jezuit i inkulturuar në jetën e sirianëve, në historinë e tyre, në të sotmen e të ardhmen, aq sa - shpjegon Immacolata - të lëshonte kushtrimin për çka po ndodhte rreth tij, duke e denoncuar të keqen me intervista shumë të ashpra.

“Nëna ime pret kthimin e të birit”

Familja flet për vite të gjata e shumë të dhimbshme, pa asnjë lajm nga atë Paolo. Megjithatë, në këto pesë vjet, u thellua për ditë e më shumë afërsia me popullin sirian, sepse - vijon të tregojë Francesca - për vëllain tonë Siria ishte thirrje e shenjtë, thirrje për të shkrirë jetën në shërbim të një populli të stërmunduar, thirrje për dialog, e kjo na ndihmoi shumë e vijon të na ndihmojë për të shkuar drejt së ardhmes. Nëna ime vijon të presë kthimin e të birit - shton - ajo  pati rastin të shkruajë një artikull për buletinin e famullisë, ku kujton një shtegtim të Paolos në Liban, në vitin e largët 1977, në fillim të noviciatit. Asokohe - shkruan nëna jonë - më pati thënë “Po shkoj për t’u bërë arab”, gjë që flet vetë për një përkushtim të plotë. Nëna jonë tha pikërisht këto fjalë: “Kjo na jep forcë për të shpresuar gjithnjë se do ta ritakojmë”. Mesazh ky, që shpresojmë t’i arrijë Paolos, kudo që të jetë.

Burrë gjithnjë përudhë, ndërmjetësues për paqen në Siri

Immacolata e pikturon kështu portretin e të vëllait, për të cilin Papa Françesku, dy vjet pas rrëmbimit, ngriti zërin në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke bërë thirrje  për lirimin e tij e të ipeshkvijve të tjerë ortodoksë, të rrëmbyer në Siri. “Duhen bashkuar copëzat e dhimbjes kolektive, që i jetoi e vijon t’i jetojë ky vend” - nënvizon motra e jezuitit. “Konflikti - vijon - krijoi copëzime edhe në botën e krishterë e sot ndjehet nevoja të kapërcehen qëndrimet e ndryshme që po mbahen për ribashkimin e Sirisë, për të krijuar një Siri të re.

Lutje për atë Paolon

Në Kori, pak kilometra në jug të Romës, qysh më 2002 është aktiv kuvendi i Shën Shëlbuesit, seli italiane e bashkësisë murgare të Mar Musa, në të cilën punohet  duke ecur në udhën e treguar nga atë Paolo në dialogun e përhershëm ndërmjet të krishterëve e myslimanëve. Këtë të diel, me rastin e 5 vjetorit të rrëmbimit, në orën 18.00, do të kremtohet një meshë për atë Dall’ Oglio-n, me shpresë - lexohet në një komunikatë - se do të mund ta përqafojmë së shpejti. Prej këndej, ftesa  për t’u lutur së bashku për të, për gjithë të rrëmbyerit e për të gjitha viktimat e dhunës e të urrejtjes, në Siri, në Lindjen e Mesme e kudo në botë!

28 korrik 2018, 13:06