Cerca

Vatican News
logo del viaggio del Papa in Lituania logo del viaggio del Papa in Lituania 

Papa Françesku në Lituani: don Sotnicenka, "vizitë e nevojshme "për të "rigjetur shpresën"

Lituania e pret Papën Françesku me gëzim e shpresë. Don Sotnicenka,"kemi nevojë për shpresë dhe për të shikuar drejt së ardhmes" .

R. SH. - Vatikan

Lituania e pret me gëzim dhe shpresë vizitën e Papës Bergoglio në shtator të ardhshëm. "Kur Gjon Pali II erdhi në Lituani në vitin 1994, asokohe foli shumë për të kaluarën tonë. Tani Papa Françesku do të na flasë për të ardhmen, ndoshta do të na thotë që të mos mendojmë më për të kaluarën e të shohim të tashmen dhe të ardhmen". Kështu pohon don Mykolas Sotnikenka, zëvendës sekretar i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkëvnore, përgjegjës për kujdesin baritor universitar dhe noter për gjykatën kishtare. Duke shpjeguar moto-n e vizitës së Papës në Lituani që është "Krishti Jezus, shpresa jonë", shton: "Lituania është një vend pa shpresë dhe ne kemi nevojë aq shumë për shpresë; prandaj jemi duke u përgatitur intensivisht dhe gjithë programi do të sillet rreth asaj se si të punohet për ta rritur shpresën".

Duke folur për shenjat e "dëshpërimit" që vërehen në vend, meshtari i referohet "numrit të vetëvrasjeve", që "është më i larti në Evropë" ose numri i lartë i lituanezëve që largohen nga vendi e "shkojnë jashtë vendit, në Norvegji, në Britani të Madhe për të kërkuar punë". Një shenjë inkurajuese, sipas Don Sotničenka, janë të rinjtë. "Kemi grupe shumë të forta të famullive kishtare dhe të shoqatave rinore. Në famullitë tona kishtare kemi më shumë të rinj se sa të moshuar.

Tani shpresa jonë janë pikërisht ata: të rinjtë i kanë rrënjë solide dhe rriten si katolikë autentikë që shkojnë në Kishë jo për traditë, por për bindje, sepse besojnë në Zotin". Më 22 shtator, Papa Françesku do t'i takojë të rinjtë në sheshin para Katedrales së Vilniusit dhe do t’i dëgjojë dëshmitë e tyre. "Gjithashtu u kemi kërkuar të rinjve  - shpjegon meshtari – që në këtë takim të mos i marrin telefonat: sepse të rinjtë duhet të shikojnë Papën në sy, ndoshta do të jetë vetëm për një sekondë, por do të jetë vështrim personal”.

16 korrik 2018, 18:07