Kërko

 Katedralja  Santa Maria la Antigua në Panama Katedralja Santa Maria la Antigua në Panama 

Një javë me Papën dhe Kishën në botë

Një javë me Papën e Kishën në botë: nga Irlanda, ku vlojnë përgatitjet për Takimin Botëror të Familjeve - në Stokholm të Suedisë, ku përfundoi sot takimi vjetor i ipeshkvijve delegatë-përgjegjës për baritorinë e emigrantëve, të Konferencave ipeshkvnore në Evropë.

R. SH. - Vatikan

Takimi Botëror i Familjeve: u shpërndanë të 500-mijë biletat për Meshën e Papës

Janë shpërndarë tashmë të 500-mijë biletat për Meshën, që Papa Françesku do ta kremtojë në Phoenix Park të Dublinit, për takimin botëror të familjeve, të dielë, më 26 gusht. Përballë faktit që gjashtë javë para ngjarjes nuk ka më vende të lira as për kongresin e as për meshën, sekretari  i përgjithshëm i takimit, Timothy Bartlett, kometoi: “Nuk është për t’u çuditur për këtë interesim gati-gati të pabesueshëm: familja është e rëndësishme për të gjithë ne. E njerëzve u pëlqejnë fjalët e Papës Françesku kushtuar familjes e Kishës”.

Në këtë fazë organizative, don Bartlett i fton të gjithë për bashkim, si familje e familjeve, për ta shijuar gëzimin e këtij takimi të jashtëzakonshëm. Atyre, që nuk mundën të sigurojnë bileta, u kujton se  ngjarjet do të transmetohen drejtpërdrejt, në mënyrë që të gjithë ta ndjejnë veten pjesëmarrës të takimit të madh.

DBR Panama: Papa Françesku do të kushtojë katedralen  Santa Maria La Antigua.

Gjatë shtegtimit të tij në Panama, nga 23 deri më 27 janar 2019, për Ditën Botërore të Rinisë, Papa Françesku do të kushtojë katedralen, në qendër të qytetit, që njihet me emrin Santa Maria La Antigua. Është monument kolonial me më se 220 vjet histori, nënshtruar një restaurimi të plotë, me fonde publike. Në studim e sipër edhe mundësia që Papa të përshëndesë të rinjtë e përjashtuar nga radhët e shoqërisë dhe të sëmurët, të cilët nuk mund të marrin pjesë në ngjarjet e Ditës, që u kushtohet. Pritet të takohet edhe me një grup, që do të përfaqësojë të rinjtë e ardhur nga të pesë kontinentet, me të cilët do të diskutojë për vizionin e tyre për botën e për fenë.  Këto të reja u dukën në kanalin zyrtar të DBR-së së Panamasë 2019 (Panama2019.pa), të nesërmen e njoftimit dhënë nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, për praninë e Papës në vendin qendroamerikan, në janar të vitit 2019.

Hollësirat e programit të shtegtimit papnor do të njoftohen zyrtarisht nëntorin e ardhshëm, por nga Komiteti organizator lokal (Col)  dalin që tani disa nga të rejat. Ndërmjet tyre, sipas pohimit të Victor Chang, sekretar ekzekutiv i Komitetit organizator vendas të DBR-së Panama 2019, “Takimi i Papës me ipeshvijtë qendramerikanë, me autoritetet shtetërore, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe liderët  shpirtërorë të konfesioneve të pranishëm në Panama”.

Nga ana e tij, presidenti panamez Juan Carlos Varela deklaroi se ndjehet tejet i nderuar, që po i jepet rasti të presë një nga liderët shpirtërorë më të shquar të botës.

DBR-ja 2019 - shton - nuk i përket vetëm Panamasë, por gjithë qendrës së Amerikës. Do të ketë, prandaj, mbështetjen më të plotë, që mund të japë qeveria e, natyrisht, edhe “mikpritjen dhe zemrën e hapur të popullit panamez”.

Comece: kard Schönborn për Europeinfos “Evropa, që mbron nuk vlen vetëm për kë jeton në BE”.

“Sado të rëndësishme të jenë zhvillimi dhe shndërrimi ekonomik i Bashkimit Evropian, një Evropë që mbron duhet ta ketë mirë parasysh përmasën shoqërore”. Shkruan kështu kryipeshkvi i Vjenës, kard Christoph Schönborn, në editorialin, që hap numrin veror të Europeinfos, e përmuajshme e episkopateve  të Bashkimit Evropian (Comece).

Në një kontribut, që ka të bëjë me semestrin austriak të presidencës së Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, nën shenjën e motos: “Evropa, që mbron!”, kardinali vë theksin mbi një listë me “çështje të hapura” në planin shoqëror, duke theksuar se “Evropa që mbron, nuk vlen vetëm për kë jeton në BE” por edhe për të gjithë ata, që janë personalisht viktima të persekutimit ose që u kërcënohet  jeta e, prej këndej, kërkojnë strehim në BE. Lidhur me këta njerëz, t’i mbrosh nuk do të thotë thjesht “t’i pranosh” ata e kërkesat e tyre për strehim, por edhe, e sidomos, t’i integrosh”.

Laudato si’: Kisha e Amerikës Latine përgatitet për Sinodin e Panamazonisë

“Amazona: udhë të reja për Kishën e për ekologjinë e gjithanshme”: kjo, tema e zgjedhur nga Françesku për Asamblenë e posaçme të Sinodit të ipeshkvijve për Zonën Panamazonike që, pasi nisi nësa Papa vizitonte Perunë, do të mbahet në Romë, në tetor 2019. Ndërmjet 18 anëtarëve të Këshillit para-sinodal, emëruar nga Papa, që do të bashkëpunojnë me ngjarjen, është edhe kardinali Claudio Hummes i cili, para se të shkonte në Romë për Koncistorin, ishte në Amazonë, që ta sensibilizonte Kishën vendase për sinodin e ardhshëm.

Qëllimet e Sinodit për Amazonën

Sinodi është i thirrur t’i përgjigjet pyetjes nëse Kisha në Amazonë po e zhvillon si duhet misionin e saj, të mendojë për të ardhmen e të shqyrtojë mundësitë e së sotmes. Konkretisht, duhet të gjejë udhë të reja për aktualizimin e ungjillëzimit. Situata është e vështirë - pohon kardinali Hummes - vërtet laikët bëjnë punë të madhe, por meshtarët janë pak e duhet menduar për mbarështimin e sakramenteve.

Mbrojtja e Shtëpisë së përbashkët

Amazona sot është e rrënuar për shkak të projekteve plotësisht shkatrrimtare të zhvillimit. Atëherë Sinodi duhet ta pyesë veten edhe për modelet e zhvillimit, nga të cilat duhet të frymëzohet për ardhmërinë e Amazonës, si dhe të mbarë Planetit. Në Amazonë nuk investohet për bashkësitë vendase - vëren Hirësia e Tij Hummes - por të gjitha pasuritë eksportohen. E nuk duhet nënvleftëuar as fenomeni i trafikëve.

Shqetësimi i Papës për Amazonën

Papa Françesku - nënvizon akoma kardinali Hummes – është  frymëzuesi i madh i Sinodit. Ai, që në fillim të papnisë, u shqetësua thellësisht, me shqetësim sa baritor, aq edhe njerëzor, për Amazonën dhe Kishën e saj. E ky shqetësim u konkretizua me enciklikën “Lëvduar qofsh”, kryevepër e edhe risi, në kontekstin  e shërbesës kishtare.

Bolivi:

Në Santa Cruz të Bolivisë përfunduan punimet e Kongresit V Misionar Amerikan (CAMV) me temë “Amerika në mision. Ungjilli është gëzim!”. I dërguar i posaçëm i Papës ishte kardinali Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve. Lajtmotivi, fjalët e Papës Françesku: “T’ia ngulim sytë Krishtit, misionarit të Atit, me zemër të hapur, duke e lënë të na kundrojë”.

Spanjë-Barcelonë:

Në Bazilikën e Sagrada Familia, ku vijojnë punimet prej gati një shekulli, shtohet një vepër e re arti: është fjala për shtatoret realizuar në travertin romak të tre Engjëjve në adhurim. Janë vepër e skulptorit Lau Feliu. Tri shtatoret do të vendosen tek këmbët e Kryqit të lavdishëm, ngritur më 2 korrikun e kaluar para Portikut, kushtuar Mundimeve të Krishtit.

Suedi-Stokholm:

Përfundoi sot takimi vjetor i ipeshkvijve delegatë- përgjegjës për baritorinë e emigrantëve, të Konferencave ipeshkvnore në Evropë. U mblodh me ftesën e ipeshkvit vendas, kardinalit Anders Arborelius OCD, drejtues i seksionit të “Baritorisë shoqërore” të Komisionit  të CCEE, kushtuar emigrantëve. Tema e zgjedhur për këtë vit, ishte “Lëvizja njerëzore: fluksi i emigrantëve dhe lajmet. Dialogu dhe komunikimi për kulturën e takimit”. Me këtë drejtuesit e baritorisë së emigrantëve në Evropë synojnë të thellojnë lidhjen ndërmjet fluksit të emigrantëve dhe perceptimit nga ana e opinionit publik, formuar nga një komunikim që nuk është gjithnjë në shërbim të nxitjes së dialogut e të kulturës së takimit.

15 korrik 2018, 15:26