Kërko

 NIkaragua: sulm kundër prelatëve të lartë NIkaragua: sulm kundër prelatëve të lartë 

Nikaragua: sulmohen kardinali Brenes dhe nunci Sommertag

Tre prelatë të lartë të Kishës nikaraguense u goditën nga ndjekësit e presidentit Ortega, sepse po shkonin t’i ndihmonin disa përfaqësues të opozitës, strehuar në Kishën e Shën Sebastianit në Diriamba. Dhuna antiqeveritare javën e kaluar u mbyt në gjak. Të paktën, 14 viktima.

R. SH. - Vatikan

“I rrethuar nga një turmë e egërsuar, që donte të hynte në Bazilikën e Shën Sebastianit, në Diriamba, u plagosa në krah, u godita në stomak, m’u shkulën simbolet ipeshkvore e u fyeva me një mori fjalësh të pahijshme. Por tani  faleminderës Zotit, jam mirë. Bazilika u lirua me gjithë ata, që strehoheshin aty brenda. I falënderoj të gjithë për solidaritetin dhe lutjen”. Kështu, në Facebook, imzot José Silvio Baez tregon si u sulmua së bashku me kardinalin Leopoldo Brenes, kryeipeshkëv i Managua-s dhe nuncin apostolik, imzot Waldemar Stanislaw Sommertag.

Rrethimi i Kishës së shën Sebastianit nga proqeveritarët

Ngjarja ndodhi dje para kishës së Shën Sebastianit të Diriamba-s, kur tre prelatët  e lartë, së bashku me klerikë të tjerë, shkuan për t’i ndihmuar priftërinjtë vendas, që kishin strehuar një grup kundërshtarësh në mjediset e ndërtesës kishtare.

Dhjetra manifestues dhe disa paraushtarakë pro-qeveritarë, dule ulëritur “vrasës” e “terroristë”, fjalë këto, drejtuar kardinalit Brenes dhe grupit që e shoqëronte, i goditën njerëzit e Kishës, duke e plagosur imzot Baez në krah e imzot Miguel Mantikën, në qafë. U goditën edhe disa gazetarë të pranishëm në kishë, të cilëve iu vodhën edhe celularët e iu shkatërruan aparatet fotografike,

Dënimi i Konferencës Ipeshkvnore

Kardinali Brenes, që është edhe kryetar i Konferencës ipeshkvnore të Nikaraguas,  shprehu, për shtypin, kënaqësinë për talljet, ligështinë, vuajtjen, persekutimin që pësoi, “sepse gjithçka vuajti, e vuajti për Krishtin”- duke shtuar edhe se “pikërisht kur ndjehet i ligshtë, atëhere është vërtet i fortë”.

Konferenca ipeshkvnore vendase e dënoi vendosmërisht ngjarjen: “Kisha në Nikaragua e dënon  thellësisht agresionin fizik e verbal” kundër prelatëve – lexohet në një komunikatë. – “Delegacioni ipeshkvnor po kryente misionin e Krishtit, duke u radhitur përkrah popullit të vuajtur e duke i bërë një vizitë baritore meshtarëve dhe besimtarëve të një zone, viktimë e policisë, paraushtarakëve e ndeshjeve, që prodhojnë vdekje e dhimbje”.

Solidariteti i Kishës së Kosta Rikës

Konferenca Ipeshkvnore e Kosta Rikës u shprehu solidaritetin ipeshkvijve nikaraguensë, duke dënuar haptazi “shtypjen në rrittje nga ana e qeverisë nikaraguense kundër popullit të vet”.

Dhuna e fundjavës: 14 të vdekur

Zona e Diriambës dhe e Jinotepe-s ishin skenari i sulmeve të dhunshme nga ana e njësive të policisë kundër manifestimeve dhe grupeve të parregullta gjatë gjithë fundjavës, që lanë pas 14 të vdekur, të cilët u shtohen  30 të tjerëve, vrarë gjatë protestave në shesh, prillin e kaluar. Në rolin e ndërmjetësve, ipeshkvijtë  kërkuan zgjedhje të reja. Nga ana e tij, kreu i shtetit, Daniel Ortega, njoftoi  se nuk e ka aspak në mend të rikthehet tek kutitë e votimit, duke e frenuar, kështu, dialogun kombëtar, nisur më parë për t’i dhënë fund protestave.

Shkaqet e tensioneve

Në zanafillë të dhunës ishte reforma e pensioneve, propozuar nga qeveria sandiniste me frymëzim marksist e presidentit Ortega, që parashikonte shtimin e kontributeve e pakësimin e pensioneve, edhe kështu, të pamjaftueshme. Ndonëse më pas u tërhoq, reforma u bë shkak për shpërthimin e protestave popullore,  që me të drejtë, kërkojnë dorëheqjen e kreut të shtetit, në fuqi që më 2006, pasi e ndryshoi kushtetutën, për të zhdukur kufizimin e dy mandateve.

10 korrik 2018, 14:35