Kërko

Protesta e lutje në Nikaragua Protesta e lutje në Nikaragua 

Nikaragua: Papa lutet; Kisha e vendit kërkon dialog

Ipeshkvijtë e Nikaraguas janë takuar për të analizuar gjendjen në vend. Papa Françesku siguron lutje për popullin e dashur nikaraguan.

R.SH. - Vatikan

U mbajt dje, ashtu siç ishte lajmëruar, takimi i ipeshkvijve nikaraguanë për vlerësimin e gjendjes në vend, sidomos, për të vendosur nëse do të vazhdojnë të marrin pjesë në dialogun kombëtar, ku ata vetë janë ndërmjetësues mes palëve. Në përfundim të takimit nuk është dhënë asnjë komunikatë e me sa duket, nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar. Megjithatë, siç njofton agjencia katolike Fides, nga deklaratat e anëtarëve të veçantë të Konferencës Ipeshkvnore në rrjetet shoqërore vihet në dukje se Kisha Katolike mendon se dialogu duhet të vijojë, pasi është rruga e vetme demokratike për të jetuar në paqe. Gjithsesi, presidenti Daniel Ortega akoma nuk ka organizuar një takim tjetër për Dialogun Kombëtar, i cili, në këtë çast, nuk bën hapa përpara. Katolikët vazhdojnë të luten e të jenë të pranishëm në manifestimet popullore, organizuar për të denoncuar vrasjen e të rinjve, gjatë ditëve të fundit.

Papa: lutja s’është kurrë e kotë

         Në tweet-in e sotëm, Papa Françesku, i cili vijon të lutet për Nikaraguan e për popullin e saj, shkruan: “Lutja s’është kurrë e kotë: bën të mbijë gjithnjë një filiz të ri, që herët a vonë, prodhon fryte”.

Ipeshkvijtë do të mblidhen për herë të dytë

         Sipas informacioneve lokale, marrë nga agjencia Fides, ipeshkvijtë e Nikaraguas do të takohen edhe një herë kësaj jave për të vlerësuar pjesëmarrjen e tyre si ndërmjetësues në Dialogun Kombëtar, por në këtë takim do të analizohet sidomos gjendja e tmerrshme e tensionit, që përjeton vendi.

Denoncimi i kardinalit Brenes

         Të dielën e kaluar, kryeipeshkvi i Managuas, kardinali Leopoldo Brenes, kremtoi meshën në kishën e Mëshirës Hyjnore, sulmuar më parë nga paraushtarakët. Aty humbën jetën dy të rinj, vetëm sepse po riparonin kishën, pas përdhosjes së saj nga forcat përkrahëse të Ortegës. Para besimtarëve, kardinali Brenes lartoi kryqin nga gjoksi, duke thënë: “kjo është arma jonë e vetme”. Kujtoi se në fillim të krizës, ai vetë u tha meshtarëve të hapnin kishat për të rinjtë, në mënyrë që, ashtu siç thotë Papa Françesku, ato të bëhen “spitale fushore”. Si prelati, ashtu edhe ipeshkvijtë e meshtarët e tjerë të Nikaraguas hodhën poshtë akuzat qeveritare, sipas të cilave Kisha Katolike ka interesa politike për të larguar nga pushteti presidentin Ortega.  

Forcat paraushtarake sulmojnë Jinotega-n

         Gjendja në vend mbetet e pasigurtë, Dje, forcat paraushtarake sulmuan qytetin e Jinotega-s, 140 km në verilindje të Managuas. Forcat speciale të policisë kërcënuan e arrestuan shumë manifestues. Gjithnjë në Jinotega u përdhos kapela e Zemrës së Krishtit: tabernakulli i dëmtuar u gjet afër kishës.

Intervistë e Ortegës për Fox News

         Nuk lënë vend për shpresë as deklaratat e vetë presidentit Ortega, i cili dje, i dha një intervistë kanalit amerikan Fox News - intervista e tij e parë për një televizion të pavaruar, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Ortega nënvizoi se nuk ka ndërmend të organizojë zgjedhjet e parakohshme, kërkuar nga protestuesit, pasi kjo do ta “destabilizonte” Nikaraguan e do ta keqësonte gjendjen. Gjithashtu, mohoi mbështetjen e paraushtarakëve nga ana e qeverisë, duke pohuar se ata financohen nga trafiku i drogës dhe nga vetë SHBA-të. Natyrisht, janë deklarata, që bien ndesh me çdo të dhënë nga vendi dhe me çdo raport të organizatave ndërkombëtare. Shtypi ndërkombëtar kritikon ashpër qeverinë e presidentit Daniel Ortega për sasinë e lajmeve të rreme, që dëshiron t’u imponojë gazetarëve, por që përgënjeshtrohen nga vetë popullsia, përmes rrjeteve shoqërore.

24 korrik 2018, 16:29