Kërko

NICARAGUA-UNREST-100 DAYS NICARAGUA-UNREST-100 DAYS 

Nikaragua: Kisha persekutohet, por shtypja e bashkon popullin

Imzot Carlos Avilés Cantón, mëkëmbës i përgjithshëm i kryedioqezës së Managuas e këshilltar i Komisionit për dialogun kombëtar: “Kisha persekutohet, por meshtarët luten për persekutuesit e tyre. Qeveria vijon t’i shtypë kundërshtimet e kundërshtarët, por dhuna i bashkon edhe më shumë njerëzit”.

R. SH. - Vatikan

Në Nikaragua, siç pati ndodhur në vitin 1980, po shkruhet një faqe e re e historisë së persekutimit kundër Kishës e meshtarëve të saj. Tani nuk ka luftë, por qeveria kërkon, ashtu si në atë periudhë, ta përdorë Kishën si mashë për qëllimet  e veta. Po meshtarët,  ndërkaq, luten për ata, që po i persekutojnë, pa harruar të kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë. Këtë thekson, gjatë një interviste dhënë dje në “Canal Católico de Nicaragua”, imzot Carlos Avilés Cantón, mëkëmbës i përgjithshëm i kryedioqezës së Managuas e këshilltar i Komisionit për dialogun kombëtar.

Qeveria shpif kundër Kishës

Kisha - deklaron imzot Avilés - nuk e nxit dhunën. Kisha nuk fsheh armë, siç mendon presidenti Ortega. Këto janë thjesht shpifje. Kisha nikaraguense i ndihmon të gjithë ata, që kanë nevojë për mbrojtje. E tregon edhe ç’duhet bërë për t’i dhënë fund krizës, që rëndon mbi Nikaraguan. Ndërmjet tjerave, kërkon sidomos përfundimin e çdo tipi të dhunës dhe çarmatimin e grupeve paraushtarake. Por procesi i paqes është ndalur në vend – vëren imzot Avilés – sepse qeverisë i mungon vullneti për të ecur në këtë udhë.

Kisha, pranë të vuajturve

Presidenti i Nikaraguas, Daniel Ortega - kujton mëkëmbësi i përgjithshëm i Managuas - i quan ipeshkvijtë dhe meshtarët nikaraguensë golpistë e komplotistë. Akuzohemi kështu - shpjegon- sepse Kisha është shumë pranë njerëzve, që vuajnë. Kisha i mbështet ata që, duke marrë pjesë, për shembull, në një manifestim proteste, plagosen e i ndihmon të ikin nga dhuna e grupeve paraushtarake. Çka i nxiti protestat në prill, ishte njoftimi nga ana e qeverisë, për reformën e padëshiruar të pensioneve, propozuar nga qeveria sandiniste me frymëzim marksist e presidentit Ortega, që parashikonte shtimin e kontributeve e pakësimin e pensioneve, edhe kështu, të pamjaftueshme.

Udha e dialogut

Reagimi i ashpër kundër protestave nga ana e forcave të policisë  dhe nga grupet paraushtarake, ka shkaktuar deri tani vdekjen e 450 vetëve. Ndërsa të zhdukurit janë 600. Tani - kujton imzot Avilés – situata mbetet kritike, por shtypja qeveritare i bashkon njerëzit. Kisha nxit udhën e dialogut e në këtë udhë, mbështetet fort nga Papa Françesku. Mbështetet edhe nga populli. Por, pa vullnetin  e mirë të qeverisë - shpjegon - nuk mund të ketë dialog. E qeveria nuk do ta përballojë çështjen politike, nuk do të shikojë se njerëzit duan ndryshime, nuk do të pranojë një qeveri të re.

Populli në lutje

Në muajin maj u hap dialogu kombëtar e Kisha mori pjesë në rolin e ndërmjetësit e të dëshmitarit. Por ky kanal i hapur për promovimin e paqes  tani u ndërpre. Në këtë situatë krize, shumica e popullsisë nikaraguense - shton mëkëmbësi i përgjithshëm i Mangauas - kërkon drejtësi, vërtetësi e paqe dhe shpreson, sidomos, që të marrë fund dhuna. Katolikët, e jo vetëm, i jetojnë këto ditë duke ia besuar lutjes shpresat e tyre për pajtim.

Letra e ipeshkvijve, Ortegës

Ipeshkvijtë e Nikaraguas i shkruan një letër presidentit Daniel Ortega. E pyetën, përmes saj, së pari, nëse Konferenca ipeshkvnore nikaraguense konsiderohet akoma nga qeveria si ndërmjetësuese për promovimin e dialogut kombëtar. Ndërkaq populli e Kisha vijojnë të shpresojnë në paqen!

Nis faza më e rreptë e shtypjes

Tri, fazat e shtypjes. E para, ajo e përdorimit të forcës nga ana e policisë. E dyta, organizuar nga presidenti Ortega për zhdukjen e  barrikadave të ngritura rrugëve nga manifestuesit. Tani po përdoren institucionet, për t’i kriminalizuar ata, që protestojnë. Kjo, faza e tretë, më e ashpra: fushata e shtypjes, që nisi me miratimin e një ligji anti-terrorizëm nga ana e parlamentit nikaraguens.

Ligji kundër terrorizmit

Ligji anti-terrorizëm dënon këdo, që dëmton pasurinë publike ose private, në kuadrin e protestave kundër qeverisë. Me këtë ligj, të gjithë ata që protestojnë, mund të konsiderohen terroristë. Po kush proteston - nënvizon kryetari i Caritas Nicaragua, imzot Carlos Herrera – nuk është i armatosur, as nuk është terrorist. Disa mjekë e punonjës shtetëror të shëndetësisë denoncojnë, së fundi, se janë pushuar nga puna vetëm sepse kanë shkelur urdhërin për të mos i mjekuar kundërshtarët e plagosur gjatë manifestimeve.

28 korrik 2018, 14:48