Situatë e nderë në Nikaragua: vijojnë manifestimet Situatë e nderë në Nikaragua: vijojnë manifestimet 

Nikaragua: ipeshkvijtë pohojnë se duan të vijojnë udhën e dialogut kombëtar

Të shumta mesazhet e solidaritetit, që vijojnë t’i vijnë Kishës nikaraguense. Ipeshkvijtë do ta vijojnë shërbimin e kërkuar nga qeveria si ndërmjtësues e dëshmitarë në Dialogun kombëtar. Ankth për të ardhmen!

R. SH. - Vatikan

Ditë e ngarkuar me ngjarje, për Ipeshkvijtë e Nikaraguas, ajo që sapo përfundoi, në anën tjetër të botës, me ankth, ditët që priten.

Mesazhe solidariteti, nga të katër anët

Të shumta mesazhet e solidaritetit, që vijojnë t’i vijnë Kishës nikaraguense, e, në veçanti, kardinalit Leopoldo Brenes, ipeshkvit-ndihmës të Manguas, imzot Silvio José Báez dhe nuncit apostolik, imzot Waldemar Stanislaw, që të tre, viktima të sulmit të së hënes në Diriamba. Të gjitha organizmat ndërkombëtare e dënuan njëzëri këtë sulm të papranueshëm; orët e fundit shprehën afërsinë e tyre edhe episkopatet e Argjentinës dhe të Guatemalës.

Dje pasdite ipeshkvijtë nikaraguensë u takuan e, më në fund, siç njofton përmes një twitter-i imzot Báez, vendosën ta vijojnë shërbimin e kërkuar nga qeveria si ndërmjtësues e dëshmitarë në Dialogun kombëtar. Mbetet, prandaj, një fill fare i hollë shprese, ndërsa situata vijon të jetë e nderë dhe e paqartë. Në mëngjes kardinali Brenes, ndihmësi i tij dhe nunci apostolik u takuan me delegacionin e Bashkimit Evropian, i pranishëm në Nikaragua.

Shqetësim, nga ana e vëzhguesve evropianë

Vëzhguesit evropianë shprehën shqetësimim e tyre për sulmin, por e vlerësuan lart veprimtarinë e ndërmjetësimit, zhvilluar deri tani nga Kisha. E ndërsa vijojnë sulmet e forcave speciale në një mori lokalitetesh (Qendra nikaraguense për të drejtat e njeriut flet për një masakër të mirëfilltë në Carazao, gjatë fundjavës, me 24 viktima e kujton se dje u rrethua  një kishë në Jinotepe) vendi pret ankthshëm ç’do të ndodhë deri në fund të javës.

Manifestime të reja

Ankth, sepse përgatiten manifestime të reja, ndërsa Kisha kërkon një ditë lutjeje për mbarë vendin. Në pritje të së premtes. Që afrohet e ngarkuar me të papritura, sepse do të jetë ditë e grevës së përgjithshme.

 

11 korrik 2018, 11:34