Kërko

Kisha e Nikaraguas në mes të protestuesve Kisha e Nikaraguas në mes të protestuesve 

Nikaragua: forca e ipeshkvijve vjen nga përkrahja e Papës

Viktima të tjera në vend, për shkak të shtypjes së forcave të sigurisë e të grupeve paraushtarake. Në manifestimet kundër qeverisë marrin pjesë familje të tëra. Ortega sulmon ipeshkvijtë.

R.SH. - Vatikan

Në Nikaragua vijojnë ndeshjet me forcat qeveritare e vijojnë edhe vdekjet. Dje, katër vetë humbën jetën, siç thuhet, nga goditjet e forcave paraushtarake. Ministri i jashtëm brazilian, duke e bashkuar zërin me protestat kundër presidentit Daniel Ortega në gjithë Amerikën Latine, shprehu indinjatën e tij për vdekjen e një studenti brazilian – njërit nga viktimat e djeshme – dhe i kërkoi sqarime qeverisë së Managuas. Ndërkaq, regjistrohen 25 të plagosur e 15 të arrestuar në qytetin e Jinotega-s, ku policia sulmoi manifestuesit.

Në manifestime marrin pjesë familje të tëra

         Përmes rrjeteve shoqërore në internet, ipeshkvijtë e Nikaraguas nënvizojnë se qeveria nuk ka thirrur akoma ndonjë seancë të Dialogut Kombëtar, në të cilin ata vijojnë ta konsiderojnë veten ndërmjetësues, derisa ndokush të mos u thotë të kundërtën. Në protesta, gjithnjë e më të shumta, nuk marrin pjesë vetëm të rinj, por familje të tëra, fshatarë, punëtorë, afaristë e njerëz të thjeshtë. Komenti i zakonshëm, që shpreh edhe frikën e manifestuesve, është: “Nëse dalim nga rruga e drejtë bëhemi si Venezuela e ne nuk e duam këtë”.

Ortega akuzon Kishën se nuk është neutrale

         Gazetarja Lucia Capuzzi e gazetës italiane kishtare “Avvenire”, eksperte e çështjeve latinoamerikane, shpjegon në mikrofonin tonë, se ipeshkvijtë nikaraguanë, me kërkesën e palëve, janë dëshmitarë dhe garantë të dialogut ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Por, kjo nuk e pengon Kishën të mbrojë popullsinë civile. Natyrisht, qëndrimi kishtar nuk i pëlqen presidentit Ortega, i cili, gjatë javëve të fundit, i ka akuzuar prelatët se nuk janë neutralë. Ortega, shpjegon Capuzzi, synon ta zgjasë dialogun pa fund, duke humbur kohë, pasi nuk dëshiron zgjedhje të parakohshme, siç kërkon opozita, ipeshkvijtë dhe krejt vendi. Presidenti e ka ndryshuar Kushtetutën në mënyrë që ta mbajë pushtetin përgjithmonë. Kur ipeshkvijtë ngritën zërin, në emër të popullsisë civile, Ortega filloi të sulmojë kisha, famulli, e deri vetë ipeshkvijtë. Një shkallëzim, që synon ta diskreditojë Kishën.

Rreziku i luftës civile

         Ka rrezik, pohon gazetarja e “Avvenire”-s, të arrihet në luftë civile. Deri tani, opozita nuk ka dashur të armatoset. Por, deri kur do të rezistojë? Në këtë kuadër, në të cilin qeveria nikaraguanase dhunon të drejtat e njeriut me vrasje, ekzekutime pa gjyq, keqtrajtime, tortura dhe burgosje arbitrare – siç denoncon Komisioni ndëramerikan për të drejtat e njeriut – Kisha vijon të kërkojë armëpushim dhe dialog. Qëndrim profetik, i cili kujton rolin e imzot Oscar Romero-s (së shpejti shenjt) në prag të luftës civile në Salvador.

Kisha e ndjen mbështetjen e Papës

         Kisha, së bashku me nuncin apostolik, denoncon njëzëri dhunimin e të drejtave të njeriut, por nuk ia ka mbyllur dyert dialogut. Gjithashtu, mban gjallë edhe lidhjen e drejtpërdrejtë me Papën Françesku, i cili lutet, e ndjek çdo ditë gjendjen dhe mbështet ipeshkvijtë. Është kjo përkrahje, përfundon Lucia Capuzzi, që i jep Kishës së Nikaraguas forcën për ta çuar deri në fund rolin e saj, vërtet të ndërlikuar.

25 korrik 2018, 14:52