Kërko

Suore Francescane Montenegro Motrat Françeskane te Zojes se Paperlyer Suore Francescane Montenegro Motrat Françeskane te Zojes se Paperlyer 

Motrat Françeskane të Zojës së Papërlyer: Të zbulojmë gëzimin e shërbimit në shpirtin françeskan

Kapitulli pati dy pjesë: punuese dhe zgjedhore, sipas parimit: syçelur, mendje zgjuar dhe zemër pastër, për të vështruar e vlerësuar me urti dhe guxim ungjillor misionin. Në Kapitull u zgjodh udhëheqja e Provincës rregulltare me motër Lidia Kçira – Eprore Provinciale, dhe m. Maria Nua, m. Irena Prenrecaj, m. Mira Bashiq e m. Hana Rushaj – këshilltare.

R. SH. - Vatikan

Motrat Françeskane të Zojës së Papërlyer kohëve të fundit zhvilluan kapitullin e tyre të 18-të provincial, në Shkodër, mbi temën: “Të zbulojmë rishtas gëzimin dhe lirinë e shërbimit në shpirtin françeskan”. Në Kapitull morën pjesë 33 motra, në krye me Eproren e Përgjithshme nga Grazi i Austrisë, m. Petra Rosenberger. Kapitulli pati dy pjesë: punuese dhe zgjedhore, sipas parimit: syçelur, mendje zgjuar dhe zemër pastër, për të vështruar e vlerësuar me urti dhe guxim ungjillor misionin. Në Kapitull u zgjodh udhëheqja e Provincës rregulltare me motër Lidia Kçira – Eprore Provinciale, dhe m. Maria Nua, m. Irena Prenrecaj, m. Mira Bashiq e m. Hana Rushaj – këshilltare. Më tepër të ndjekim shërbimin e Motër Olga Dulaj....

Moter Olga Dulja

Motrat Françeskane të Zojës së Papërlyer mbajtën kapitullin e 18-të provincial në Shkodër mbi temën: “Të zbulojmë rishtas gëzimin dhe lirinë e shërbimit në shpirtin françeskan”. Në Kapitull, kanë marrë pjesë 33 motra, në krye me eproren e përgjithëshme nga Grazi i Austrisë, m. Petra Rosenberger. Këtij Kapitulli, me qëllim të nji përgatitjeje sa ma solide, i kanë parapri takimet dhe seminaret e ndryshme me të gjitha motrat e Provincës. Kapitulli kishte për qëllim që, si gjithherë, me bâ nji rishikim të t`jetuemit së jetës rregulltare në Bashksi dhe dërgimit në Kishë dhe në botë.

Motrat, gjatë Kapitullit prandaj, janë përpjekë që të rizgjojnë në vetvete shpirtin e karizmës dhe si Bashkësi të hedhin thellë shikimin në vetvete, e të pyeten me përgjegjësi: Kush jemi na, cili âsht vendi ynë në Kishë e në botë  në këtë kohë, në këto rrethana..., të vetëdijshme se karizma jonë âsht Dhuratë e Shpirtit Shêjt, e veçantë për Kishën dhe të mirën e botës dhe se në thirrjen dhe dërgimin tonë duhet tˋi mbesim besnike Krishtit, Ungjillit, Kishës në nevojat e saj në kohë dhe hapsinë, tˋi mbesim besnike njeriut dhe jetës sonë rregulltare.

Në këtë kontekst, motrat tue u pasqyrue në figurën e Shêjtit të vogëlsisë dhe vorfnisë, pra shën Françeskut dhe themelueses Nânës Franciska Antonia Lampel e cila jetoi simbas logjikës ungjillore, sikur kokrra së grunit... e cila jep fryt vetëm nëse hedhet në tokë dhe vdes. Ajo - në thjeshtësi dhe vetmohim të përjetshëm... por, me shpirt të madh profetik lexoi shêjat e kohës, përpiqej të rishqyrtojë e ecjen drejt Rrugës që âsht Krishti.

Motrat Françeskane të Zojës së Papërlyeme, punojnë në Mal të Zi, Kosovë, Shqipni, Kroaci, Slloveni, Gjermani, Zvicer, Austri, SHBA si dhe në misione /Afrike/ dhe fushëveprimi tyne përbân nji spektër të gjânë, si: në pastoral, shëndetsi, arsim dhe edukim, kujdes për të moshuem etj.,  prandaj nevoja për të sjellë në tryezën e përbashkët të Bashksisë të frytet e punës, e me to edhe brengat, vështirësitë, dyshimet, kërkesat, sfidat e mbi të gjitha falënderimet, gëzimin dhe shpresën se Hyu dhe provania e Tij e shêjtë e drejton veprën e vet.

Kapitulli, përbâhej nga dy pjesë: ajo punuese dhe zgjedhore, gjithnji tue ndjekë parimin: syçelun, mendje - zgjuet dhe zemër - pastër të vështrojmë, me urti të vlerësojmë dhe me guxim ungjillor konkretisht të veprojmë. Në Kapitull pra, motrat bânë edhe zgjedhjen e udhëheqsisë së Provinces: m. Lidia Kçira – eprore provinciale. Ndersa, m. Maria Nua, m. Irena Prenrecaj, m. Mira Bashiq dhe m. Hana Rushaj – keshitlltare.

E tânë puna e Kapitullit ishte e përcjellun me ndjenja falënderimi për të gjitha hiret që Hyu i ka dhuruar kësaj Province. Kulmi dhe burimi i këtij falënderimi ishte Eukaristia e përbashkët, drejtue nga Nunci apostolik ne Tirane imzot Charles John Brow,  argjipeshkvi i Shkoder – Pultit imzot Angjelo Massafra, argjipeshkvi i Tivarit imzot Rrok Gjonlleshaj dhe meshtarë tjerë, si fra Gazmed Tinaj, fra Aurel Gjerkaj e don Leonardo, të cilët mbeshtetnin, inkurajonin dhe  falenderoni tue bashkenda me motrat Fjalen Zotit dhe Buken qiellore, me qellim qe thirrja dhe dergimi yne te jete njimend lavdia e Hyut.

nga  moter Olga Dulaj    

Ja edhe disa të dhëna rreth Kongregatës së Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer

Historia e Kongregatës
Kongregata e motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer – Motrat Shkollore, themeluar në Grac të Austrisë në vitin 1843, ku aktualisht është edhe Shtëpia Nënë. Karizma e kësaj Kongregate është shkollimi dhe edukimi i vajzave, në fe dhe në kulturë të përgjithshme.

Si ka lindur kjo Kongregatë?
Antonia Lampel dhe motra e saj Amalia Lampel ishin mësuese në shkollën private të udhëhequr nga zonjusha Ana Engel në Neuthogasse. Pas vdekjes së themelueses së kësaj shkolle, drejtimin e mori Amalia, jo Antonia edhe pse ishte më e madhe. Antonia kishte arsim të lartë, ajo zotëronte shumë mirë gjuhën francese dhe italiane, kishte talent për vizatim dhe muzikë, por në veçanti ishte e talentuar në punëdore. Antonia edhe pse kishte aftësi të veçanta, ishte shumë e ndrojtur. Ajo nuk kishte dëshirë të urdhëronte, por vetëm të shërbente. Duke qenë e tillë, kur kishte nevojë të paraqitej para të tjerëve, ajo gjithnjë shtynte të motrën e vet, e cila ishte tre vjet më e vogël, Amalian, më e guximshme dhe më e gjallë se ajo. Megjithatë, nuk dyshohet se Antonia ishte shpirti i shkollës edhe pse ajo drejtohej nga Amalia.

Kështu motrat Lampel me një grup mësuesesh të reja e ngritën shkollën e tyre në një nivel të lartë. Por jo vetëm kaq, ato jo vetëm që ditën t’i përgatitnin ndihmëset e tyre që të bëhen mësuese dhe edukatore të mira, por edhe që të bëhen të krishtera të mira dhe të përshpirtshme. I gjithë grupi hyri në Urdhrin e Tretë të shën Françeskut dhe me një entuziazëm të lartë u munduan që në jetën e përditshme ta realizojnë idealin e shën Françeskut, në veçanti dashurinë e tij ndaj varfërisë. Pra, detyra kryesore e rregullit ishte varfëria françeskane. Ato si vajza të pasura qytetare, të gjitha forcat dhe aftësitë e tyre i vunë në shërbim të shkollimit të vajzave "të shtresave më të ulta".

Bashkëpunëtoret e tyre gjithashtu i kishin edukuar me idealet e shën Françeskut, kështu që ato jetuan së bashku në një bashkësi, që sipas mendimit të tyre nuk ishte përcaktuar për një jetë të vërtetë rregulltare. Ato ishin të kënaqura me gjërat më të domosdoshme për jetesë; shtëpia e tyre ishte shumë të vogël, pasi ato ngushtoheshin vetëm e vetëm që të pranonin një numër sa më të madh vajzash të varfra dhe që nuk kishin mundësi të paguanin. Në shkollë mbizotëronte numri i atyre nxënësve që nuk paguanin. Në këtë mënyrë dashuria e tyre për varfërinë kishte kuptim të madh shoqëror. Në përgjithësi i gjithë mundi i tyre ishte në shërbim të shoqërisë.

Ato nuk kërkuan një përsosmëri të veçantë për veten e tyre, por vetëm dëshironin t'i shërbenin Zotit duke i shërbyer në Kishë dhe në të afërmin. Atyre u mungonte vetëm leja nga Institucionet Kishtare për të qenë rregulltare të vërteta. Ato do të banojnë dhe do të luten së bashku, por edhe do të punojnë sikurse edhe punonin, por tani edhe më me vetëmohim. Duke u nisur nga kjo mënyrë jete ato i drejtohen ipeshkvit me një lutje (Magna Carta) në të cilën përfshihet i gjithë projekti i jetës së tyre në bashkësi. Arsyet kryesore ku mbështetet projekti i të kushtuarave janë si vijojnë: përvoja e tyre në përgjithësi tregon se: bashkimi bën fuqi, në veçanti nëse ato janë të njësuara në Zotin, të cilit i përkushtohemi krejtësisht.  "Pa kushte, për të mirën e njerëzimit, heqim dorë nga vullneti ynë, heqim dorë nga interesat tokësore, lirohemi nga lidhjet e botës së jashtme dhe marrëdhëniet me ta, të cilat shumë herë pengojnë apo prishin edhe nismat më fisnike".

Të përvuajturat nuk dyshojnë aspak se nuk do të kenë mundësi t'u përgjigjen dëshirave të tyre, pasi mënyra me të cilën dëshirojnë të jetojnë në bashkësi është e thjeshtë dhe e përvuajtur, madje e miratuar në shumë vende të Austrisë, prej pushtetit kishtar dhe atij laik. Të nënshkruarat e ndiejnë se janë të frymëzuara prej Zotit për të zgjedhur Urdhrin e Tretë të shën Françeskut serafik, të cilin me aq sa kanë mundur, e kanë njohur dhe e kanë praktikuar shumë vite më parë, pasi ky urdhër në radhë të parë është për ata që kushtimin e tyre e praktikojnë në botë. 
Të nënshkruarat e përvuajtura mendojnë, se me fjalët e shprehura kanë paraqitur në mënyrë të mjaftueshme lutjen e tyre të përvuajtur. Faktikisht ato dëshirojnë që të bashkohen në jetën rregulltare për ta edukuar rininë me shpirtin e përvujtërisë dhe të vetëmohimit. 

Themelimi
Kur Antonia Lampel dhe shoqet e saja themeluan bashkësinë e tyre rregulltare, Antonia dëshironte që Kisha ta miratonte mënyrën e jetës së tyre deri atëherë të jetuar. Ajo nuk ka dashur të imitojë ndonjë kongregatë, por vetëm që, edhe në të ardhmen, të mbahen Rregulloret e Urdhrit të Tretë, ashtu siç i mbanin edhe më parë. Antonia i ka shtuar vetëm disa pika të tjera, që kishin të bënin me rendin e kuvendit dhe mbajtjen e kushteve. 

Sipas Antonias kuvendi duhej drejtuar prej motos: “E kushtoj veten time për ta”, kjo fjalë e Krishtit ka pasur vlerë të lartë për të. Motrat e saja duhej të drejtoheshin me dëshirë kah shenjtëria, kah bashkimi me Zotin, jo edhe aq për shkak të tyre, sesa për arsye të përmbushjes së detyrës që kishin marrë përsipër. 
Ne duhet të jemi të përvuajta, sinqerisht, të jemi të vogla para Zotit, që Ai të na marrë në duart e Tij të fuqishme e kështu Ai vetë, së bashku me ne, t'i edukojë fëmijët. Gjithsesi, ne e dimë se bekimi duhet të vijë prej së larti, prej Atit të Dritës. Posa ta harrojmë këtë gjë, do ta ndiejmë se jemi të paafta”.

Në themelimin e kësaj bashkësie rregulltare, Antonia si të vetmin qëllim kishte që t’i ndihmonte anëtaret për një punë më intensive dhe më të frytshme, në nder dhe lavd të Zotit dhe për të mirën e shpirtrave, me një fjalë për apostullim. Papa Gregori XVI me shkresën e tij të datës 15 korrik 1843, lejoi themelimin e “Institutit të Motrave Shkollore të Urdhrit të Tretë të shën Françeskut në Grac”, si dhe Statutet e parashtruara.

Kështu me 29 shtator 1843, Antonia Lampel (Nëna Françiska), me ndihmën e arqipeshkvit Roman Sebastian Zängerle, themeloi në Grac bashkësinë tonë rregulltare. 
Nën udhëheqjen e eprores së dytë, Nënës Agnesa Pfund u paraqiten ndryshime rreth botëkuptimit të jetës rregulltare lidhur me detyrat e edukimit. Kështu pasi ato çuan në tensione brenda bashkësisë, nëna Françiska e braktisi Institutin me qëllim që të shpëtojë unitetin e bashkësisë. Tre muaj më vonë ajo vdiq nga “tuberkulozi në mushkëri”.

Degëzimet
Nga Kongregata e Motrave Shkollore të Gracit janë ndarë institute të pavarura: 
1860 – Vöcklabruck 
1869 – Maribor
1888 – Çeki

Provinca brenda Kongregatës së Motrave Shkollore:
Që nga viti 1857 në Shtajermark dhe në vendet e tjera, në mëyrë të vazhdueshme u themeluan filialet e reja. Ndryshimet politike dhe pjesërisht largësitë e mëdha territoriale, çoi në ndarjen në provinca.
Në vitin 1923 u themeluan Provinca e Austrisë dhe ajo e Sllovenisë.
Në vitin 1929 u themelua Provinca e Brazilit.
Në vitin 1965 u themelua Provinca e Malit të Zi.
Në vitin 1968 rajoni i Francës dhe i Afrikës jugore.

Më 4 korrik 1954 – me shkresën e Romës jemi të njohura si “KONGREGATA E FRANÇESKANEVE TË ZOJËS SË PAPËRLYER”.
Prej provincës së Malit të Zi motrat kanë ardhur në Shqipëri më 06.04.1992.
Nga ardhja në Shqipëri provinca e Malit të Zi ka themeluar këto bashkësi, që kryejnë këto aktivitete:
Në Hot të Ri – Arqipeshkvia metropolitane e Shkodër-Pultit – veprojmë: katekizëm, udhëheqjen e këndimit kishtar, kopshtin e fëmijëve, kurse të gjuhëve të huaja, kompjuter, kuzhinë, rrobaqepësi dhe ndihmë sociale për ata që kanë më shumë nevojë.

Në Shkodër: Lagjja Ndoc Mazi, Rruga Kongresi i Lushnjes, nr. 63 – shtëpi formimi për kandidatet dhe motrat që kryejnë studimet e larta. Përveç kësaj bashkësia kryen edhe disa veprimtari: katekizëm, udhëheqjen e korit, mirëmbajtjen e kishës famullitare (Zoja Rruzare), vizitë dhe ndihmë të moshuarve e të sëmurëve etj.

Në Tiranë veprojmë në Nunciatën Apostolike në Tiranë.

Në Kallmet – Në Administraturën e Lezhës bëjmë këto aktivitete: katekizëm, kopsht fëmijësh, shkollë fillore, mirëmbajtjen e kishës, udhëheqjen e korit, kurse kuzhine, rrobaqepësie, vizita dhe ndihmë të sëmurëve dhe të varfërve.

Në Lezhë kemi një bashkësi rregulltarësh, pra kuvendin dhe shkollën 8 – vjeçare 

12 korrik 2018, 12:39