Kërko

Mons Simon Kulli vescovo di Sapa Albania Mons Simon Kulli vescovo di Sapa Albania 

Misioni Veror 2018 i dioqezës së Sapës në zonat malore

Imzot Simon Kulli, në përkim me traditën e trashëguar nga paraardhësit, në këtë periudhë vijon muajin e misionit veror në zona të thella të territorit të dioqezës në Pukë, Fushë Arrëz dhe Tropojë.

R. SH. - Vatikan

Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli, në përkim me traditën e trashëguar nga paraardhësit, në këtë periudhë vijon muajin e misionit veror në zona të thella të territorit të dioqezës.  Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme që të predikojmë edhe atje” (Mk 1, 38), kjo është ftesa që Imzot Simoni u ka drejtuar meshtarëve, motrave rregulltare, katekistave dhe besimtarëve laikë vullnetmirë, që së bashku, në këtë muaj të korrikut, të jenë në shërbim të besimtarëve që banojnë në zonat malore, si Pukë, Fushë Arrëz dhe Tropojë.

Sot duhet ta perceptojmë, me ndjesinë e fesë, se jemi popull i Zotit, në bashkim me Atin dhe me Krishtin, përmes Shpirtit Shenjt. Në këtë mister bashkimi, Kisha gjen burimin e pashtershëm të misionit të saj, që realizohet përmes dashurisë. Dashuria na bën ta njohim Jezusin, e dashuria për Zotin e të afërmin, është urdhërimi më i madh i Ungjillit dhe Zoti na thërret të përkojmë bujarisht me thirrjen ungjillore të dashurisë, duke e vënë Atë në qendër të jetës sonë e duke iu kushtuar shërbimit të vëllezërve, posaçërisht atyre, që kanë më shumë nevojë për ndihmë e ngushëllim. Po më hollësisht nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit...

Dëgjo informacionin e Violeta Marashit...

“Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme që të predikojmë edhe atje” (Mk 1,38). Misioni Veror 2018

Me nismën e ipeshkvinjëve paraardhës, Imzot Dodë Gjergji dhe i ndjeri Imzot Lucjan Avgustinit, edhe ipeshkvi i vendit Imzot Simon Kulli, e ka vazhduar traditën e trashëguar prej 18 vitesh që muaj Korrik për dioqezën e Sapës të jetë muaji i misionit veror.“Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme që të predikojmë edhe atje” (Mk 1, 38), është kjo ftesa që Imzot Simoni u ka bërë meshtarëve, motrave, katekistave dhe laikëve vullnetmirë, që së bashku në këtë muaj të korrikut t’i kushtohemi shërbimit pastoral për besimtarët që banojnë në zonat malore, si Pukë, Fushë Arrëz dhe Tropojë.

 Në çdo cep të këtyre zonave, pavarësisht vështirësive të terrenit apo dhe vapës së madhe, misionarët kanë qenë të gatshëm për të ofruar shërbimin tek besimtari më i largët. Ato po zhvillojnë takime të ndryshme duke bashkëndarë me të formimin moral dhe fetar dhe duke i pregatitur të rinjtë dhe të rejat për sakramentet e shenjta. Gjithashtu një vend të veçantë zënë dhe vizitat nëpër shtëpia dhe bekimi i tyre. Vlen të përmendet mikpritja nga ana e besimtarëve, ku me shumë dashuri tregojnë bujarinë e tyre për mikun që ju troket tek dera e shtëpisë.

Misioni ka qenë i shoqëruar edhe nga vetë prania e Ipeshkvit, Imzot Simon Kulli, i cili ka shkuar tek çdo grup duke i vizituar dhe parë nga afër. E momenti më i gëzueshëm për banorët ka qenë shpërndarja e sakramenteve, kryesisht i krezmimit nga ana e Imzot Simonit.

Është për t’u vlerësuar fakti se bashkëjetesa mes grupeve të misionarëve ka sjellë një klimë të bukur dhe një harmoni të plotë mes tyre, ku përveç çlodhjes nga misioni ditor, të gjithë së bashku kanë bashkëndarë momente të gëzueshme, duke sjellë gëzim e argëtim mes njëri-tjetrit.  Qendrat kryesore të banimit për misionarët kanë qenë shtëpia e motrave në Fushë –Arrëz dhe në Dushaj të Tropojës, të cilat meritojnë një falenderim të veçantë që kanë hapur dyert e zemrës dhe të shtëpisë për misionarët.  

Me gjithë këtë eksperincë të mrekullueshmë në shpalljen e Ungjillit, qoftë për misionarët qoftë për ato pak banorë vendas që kanë mbetur në ato zona, kanë kaluar ditë të bukura, momente të gëzuara të shoqëruara me aktivitete të shumta të cilat do mbesin gjatë në zemrat dhe mendjet e tyre. E ky mision edhe pse i vogël në kohë, është i madh në vlerat shpirtërore për familjet, të rinjtë dhe fëmijët e këtyre zonave, të cilat fatkeqësisht për shkak të kushteve shumë të vështira për të jetuar, po kthehen në zona “viktimë e braktisjes” dhe mosdëshirës nga ana e banorëve për të jetuar aty.

Violeta Marashi

16 korrik 2018, 16:21